“Ftesa” në Hagë, si presion për taksën? Ramushi ikën, por çon Kosovën në zgjedhje

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme, të premten pasdite. Shkak i këtij akti ka qenë një ftesë nga Gjykata Speciale për krimet e luftës në Kosovë, e cila ndër të akuzuarit, ka thirrur dhe Haradinaj. Rreth orës 16.15 të së premtes, këtë lajm e dha vetë Haradinaj: “Sapo informova Qeverinë, tani do të informojë dhe institucione të tjera, kam dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga funksioni i kryetarit të qeverisë. Arsyeja është sepse jam ftuar të intervistohem nga Gjykata Speciale. Do të kem në ditët në vijm paraqitjen, dhe kam vlerësuar se nuk mund të shkojë si kryetar i qeverisë atje, por si një qytetar, si Ramush Haradinaj. Si kryetar i qeverisë kamë vlerësuar se është e drejt të marrë këtë vendim”, u shpreh ndër të tjera Haradinaj për dorëheqjen e tij pa kthim si kryeministër.

Po për çfarë akuzohet Ramush Haradinaj? Kryeministri i Kosovës, tashmë i dorëhequr, akuzohet për krime lufte nga Serbia. Akuza ndaj Haradinajt lidhet me masakrën ndaj popullësisë civile serbe në vitin 1997. Në këtë periudhë, sipas akuzave të ngritura nga prokuroria serbe, e cila më herët kishte dhe një urdhër arresti ndërkombëtar për kreun e qeverisë së Kosovës, dyshohet se Haradinaj së bashku me vëllezërit e tij, Dautin dhe Shkëlzenin, kishte organizuar ‘sulme terroriste’ ndaj policisë serbe në rajonin e Dukagjinit.

Largimi i Haradinajt, a duhet ta pranojë presionin e ndërkombëtarëve?

Haradinaj akuzohet për thelemimin e njësisë speciale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “Shqiponjat e Zeza”, të cilat sipas Serbisë, konsiderohen përgjegjëse për torturimin dhe vrasjen e disa personave civilë serbë, trupat e të cilëve u gjetën në liqenin e Radoniqit, dhe në disa puse në Deçan. Megjithatë, ndaj Haradinajt ka pasur edhe akuza të tjera, për të cilat ka shkuar dy herë në Tribulanin e Hagës, për akuzat “krim kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve të luftës”, të kryera në 3- shtator të vitit 1998. Prej këtyre proceseve ai ka dalë i pafajshëm. Atëherë cilat mund të jenë provat e reja të rihapjes së Dosjes së Radoniqit?

Këtë nuk e di askush, por një ditë më herët në emisionin Rubikon, në KTV (ndiq këtu intervistën), Kryeministri Ramush Haradinaj ka lënë të kuptohet diçka të çuditshme. Se atij, ndërkombëtarët i kishin vendosur dy kushte. Një Deklaratë që ai nuk e elaboroi gjatë. Sipas burimeve serioze mediatike në Prishtinë, realstory.al ka mësuar se me gjasë gjithçka lidhet me qëndrimin e prerë dhe të ndryshëm të Haradinajt ndaj një marrëveshjeje të mundshme me Serbinë. Qëndrimi i tij mori jehonë në takimin e Berlinit, ku u bënë publike dhe replikat e tij të ashpra me presidentin Macron, por edhe me Edi Ramën dhe Hashim Thaçin.

Sipas informacioneve paraprake mësohet se këto dy kushte që përmendi një ditë më herët Haradinaj, janë Asosacioni ose Marrëveshja. Për të dyja këto Haradinaj ka patur qëndrime shumë kritike apo kundër. Ai i reziston prej muajsh kërkesave ndërkombëtare edhe për vendosjen e tarifave doganore 100 perqind ndaj mallrave të Serbisë. Kjo e kishte vënë Haradinajn në pozitë përballëse me ndërkombëtarët, mirëpo sondazhet e nxirrnin ne rritje partinë e tij AAK.

Një ditë më herët ndalimi për pak minuta i të vëllait të tij Dautit (edhe ai i përmendur në dosjen e Radoniqit) u duk si një lajm i rremë. Por mesa duket nuk ka qënë kështu. Burime për realstory.al thonë se Haradinaj ishte në dijeni të këtij zhvilllimi një ditë më parë, cka nuk e bën të rastësishme intervistën e tij mbrëmjen e të enjtes kur ai deklaroi se nuk do të hiqte taksën, pa njohur Serbia pavarësinë e Kosovës.

A është pra “ftesa” për në Hagë e Haradinajt, një mjet presioni ndaj tij për të pranuar një “deal” tjetër nga kryeministri kokëfortë? Vetë Haradinaj pas dorëheqjes botoi një letër ku akuzonte ndërkombëtarët pikërisht për këtë dhe paralajmëronte për ndarje, nëse liderët shqiptarë heqin dorë nga taksa në shkëmbim të njohjes.

(lexo letren e plotë)

Por shumë interesante duket pasoja tjetër e dorëheqjes së Rambos.

Dorëheqja e Haradinajt kërkon tani mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Kosovë, një gjë që Presidentit ia kujtoi vetë kryeministri i Dorëhequr në momentin e largimit: “Qeveria në dorëheqje i kryen detyrat e veta deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të lira. Tani përgjegjësia shkon tek Presidenti që ai me fillu konsultat për datën e re të zgjedhjeve me partitë politike. Unë i afrohem popullit prapë për të marrë vlerësimin për shkak se nuk jam i akuzuar por jam thirrur për t’u intervistuar”, tha Haradinaj, teksa dha lajmin e dorëheqjes për shkak të thirrjes për t’u intervistuar në Gjykatën Speciale.

Paradoksalisht (dhe jo për herë të parë) AAK do t’i duhet të futet në këto zgjedhje pa Ramushin, një test i vështirë për formacionin politik të Rambos së Dukagjinit. Por ndryshe nga herët e tjera, AAK mund të ketë edhe më shumë deputetë se 8 përqindëshi i fundit i vitit 2017. Nëse ndodh kjo, ka pak rëndësi nëse Ramushi ndodhet në Hagë, apo Prishtinë. Në Kuvendin e Kosovës, mbështetja kundër një marrëveshjeje të negociuar do të rritej me së paku 10 përqind. Dhe kjo do të ishte përgjigja e vërtetë e Haradinajt ndaj presioneve ndërkombëtare ndaj tij. /Realstory.al/



Skip to toolbar