Suli çon në prokurori Mziun: Dha leje ndërtimi në zonën “Park Kombëtar”

Një javë pasi mori drejtimin e bashkisë së  Kamzës, Rakip Suli ka deklaruar se do të dërgojë në prokurori paraardhësin e tij, Xhelal Mziu. Shkak, sipas Rakip Sulit, është fakti se Mziu ka dhënë leje ndërtimi në një zonë e cila është planifikuar të bëhet Park Kombëtar. Gjatë një dalje për mediat të enjten pasdite, nga bregu i lumit të Tiranës, Rakip Suli ka sqaruar, sipas tij, shkeljet ligjore që ka bërë Xhelal Mziu.

“Kamza tani ka një mori problemesh, por do ti rendisim sipas problematikave dhe nga ato më emergjentet. Ish-kryebashkiaku ka dhënë një leje ndërtimi me datë 29.07.2019. Në bazë të një vendimi të nxjerrë në vitin 2013, e gjithë kjo pjesë është planifikuar për Park Kombëtar. Është menduar që kjo zonë të ishte një Park Kombëtar. Dhe mendohet se edhe bulevardi kryesor i Tiranës do të vijë këtu ku jemi. Është dhënë kjo leje ndërtimi, brenda këtij territori duke shkelur të gjitha ligjet. Ky është një vendim kriminal i miratuar me datë 29.07. 2019. Qytetarëve nuk u bëhet legalizimi dhe nga ana tjetër këto japim leje. Madje kjo është një pjesë me ujë. Jemi duke dhënë leje ndërtimi në shtratin e liqenit. Brenda muajit është marrë leja e ndërtimit. Këtu mendohet do të bëhet një park për të gjithë qytetarët e Kamzës. Do të ngrihet padi për këtë çështje dhe për të gjithë personat përgjegjës”, tha Suli.

Ai ka folur edhe për ndryshimet në administratë, duke u shprehur se nuk do të ketë largime të profesionistëve nga puna.  “Nuk më ka vajtur mendja për largim. Nga stafi im do të jenë njerëz profesionistë. Kjo nuk ka për të ndodhur, çdo person që ka qenë i përgjegjëshëm dhe ka arsimin përkatës do të vijojë rrugëtimin me Rakip Sulin”, deklaroi ai Rakip Suli mori detyrën rreth një javë më parë. Kjo Bashki drejtohet pas 12 vitesh nga socialistët, pasi në krye të saj ka qëndruar Xhelal Mziu.

Basha braktis Kamzën, Mziu i lëshon zyrën bosh Sulit

Bashkia e Kamzës, një bastion historik i Partisë Demokratike ka rënë dhe është lëshuar pa dhunë nga kryetari i saj 12 vjeçar Xhelal Mziu megjithëse ai nuk ka ia ka dorëzuar detyrën pasardhësit Rakip Suli sipas protokollit por i ka lënë një zyrë bosh brenda së cilës ndodhej vetëm një fotografi e presidentit Meta, që ishte lënë e përmbysur brenda katër mureve blu. Ashtu siç RealStory.al paralajmëroi, Basha dhe PD e braktisën Mziun në betejnë për moslëshimin e zyrës, ku të vetmit që bën pak rezistencë në orët e paradites së mërkurë ishin punonjësit e bashkisë dhe nënkryetari i saj.

Kjo i detyroi fituesit e 30 qershorit që konstituimi e këshillit bashkiak dhe betimi i kryetarit të ri, Rakip Suli të realizohet në ambientet e e një shkolle në Kamëz.

Pas ceremonisë ata pak mbështetës të Mziut, që ndodheshin para bashkisë dhe paraljamëruan se nuk do i lëshonin zyrat u shpërndanë ndërsa drejt saj shkuan të zgjedhurit për këshillin bashkiak dhe kryetari Suli.

Pas orës 16:00, me përfundimin e orarit zyrtar të punës, këshilltarët e rinj bashkiakë kanë hyrën në ambientet e bashkisë, duke e hapur derën që ishte mbyllur me çelës. I pari që është paraqitur në derën e bashkisë ka qenë kryetari i këshillit bashkiak Hysen Koldashi, i cili ka hapur me forcë derën.  Në momentin kur militantë të PS dhe këshilltarët e rinj mbërritën në bashki, nuk ka pasur prani të militantëve të PD, por vetëm efektivë të policisë, të cilët ishin të pranishëm për të shmangur tensionimin e situatës. Pak minuta më vonë ka mbërritur edhe kryebashkiaku i ri Rakip Suli, i cili mori në dorë çelësat e zyrës që do të drejtojë për 4 vitet e ardhshme.

Në moment e mbërritjes në zyrë, Suli ndërroi karrigen duke marrë një më të vogël, duke mos pranuar të ulet në karrigen që më parë qëndronte Xhelal Mziu. Gjatë fjalës së tij për mediat, Suli tha se atij nuk i interesojnë ngjyrat politike, por do të merret me zgjidhjen e halleve të gjithë qytetarëve të Kamzës, ndërsa ndodhej brenda katër mureve të lyera me ngjyrë blu nga Xhelal Mziu.

Në radhë të parë mua nuk më shqetësojnë ngjyrat, do të merrem me hallet dhe problemet që i shqetësojnë nga mëngjesi në darkë. Në këtë bashki shërbimet kanë munguar, por sikur e deklarova edhe në momentin e betimit do të jem kryebashkiak i të gjithëve, pasi fëmijët nuk e dinë për kë votoi prindi, por dua kopshtin, çerdhe, shkolla, etj.  Xhelal Mziu? Nuk e njoh se kush është ky person, e njoh si person që ka ndryshuar veten dhe jo Kamzën. Ndërsa unë kam ndryshuar veten ndërsa tani do të vij të ndryshoj Kamzën”.”- tha Suli

Qëndresës së demokratëve për të mos liruar bashkitë, në fakt u erdhi fundi duke u larguar në heshtje apo rezistenca minimale deri në mbarimin e orarit zyrtar të punës dhe përjashtim nuk bëri as Xhelal Mziu, i cili ka qenë gjithmonë i ashpër në deklarata për të mos u larguar nga zyra. Të braktisur nga lidershipi i PD-së, por edhe figurave kryesore të Partisë Demokratike, kalimi i Bashkisë nga demokratët tek socialistët u bë pa dhunë dhe pa incidente. Në mbështetje të Xhelal Mziut që drejtoi për 12 vite bastionin e PD-së nuk shkoi asnjë, duke e lënë atë vetëm në qëndresën e tij, që zgjati deri në orën 16:00.

Ish-kryetari i bashkisë së Kamzës për 12 vite, Xhelal Mziu ka reaguar vetëm pas betimit të kryetarit të ri, duke deklaruar se bashkia u vodh me forcë nga socialistët. Mziu kishte paralajmëruar më herët se nuk do e lëshonte zyrën, por që braktisja nga PD, duket se e ka detyruar të tërhiqet përfundimisht dhe të respektojë zgjedhjet et 30 qershorit. Tashmë i vetmi bastion ende i palëkundur ka mbetur Shkodra, ku kryetarja e bashkisë, Voltana Ademi që mëngjesin e së mërkurës, një ditë pas takimit me Boschardt deklaroi se nuk do e lëshonte zyrën. Madje, ajo vijoi gjatë ditës të hedhë foto në profilet e saj në rrjetet sociale, si kryetare në detyrë, ndërsa ndiqte punimet e Bashkisë Shkodër. Por, edhe ajo duket se është braktisur përfundimisht në kauzën e nisur që para 30 qershorit, e cila u degradua nga dita në ditë me qëndrimet e lëkundura të kryetarit të PD, Lulzim Basha, i cili duket se po humbet edhe përkrahjen e aleatëve, që kohët e fundit, duke parë zhvillimet, që flasin negativisht për ta, kanë kërkuar që Basha të ulet në bisedime me Ramën. Por ky i fundit nuk ka pranuar dhe ka kërkuar të rikthehet në protesta. Nuk dihet nëse kjo “kryeneçësi” e Bashës do të vazhdojë dhe në shtator, por sigurisht që zhvillimet e reja mund të orkestrohen edhe pas krijimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila pritet të sqarojë edhe përplasjet e forta për 30 qershorin, i pranuar edhe nga ndërkombëtarët, por që e refuzoi opozita shqiptare.

Skip to toolbar