Kukësi plangprishës kthen Gjokën

Verilindorët ndryshojnë përsëri trajner pas humbjes me Kastriotin

Kukësi është mundur dje nga Kastrioti me përmbysje në fushën e këtyre të fundit me rezultatin 2-1. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ramazan Ndreu nuk arriti të mbrone rezultatin pozitiv të pjesës së parë, me gol të shënuar nga shtatlarti Vasil Shkurtaj. Dy gola të krutanëve të shënuar në pjesën e dytë, kanë bërë që trajneri i Kukësit, Ramazan Ndreu, të largohet nga drejtimi i skuadrës. Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, kur trajneri ishte ende duke folur për mediat për analizën e takimit, Kukësi njoftoi zyrtarisht ndërprerjen e bashkëpunimit më trajnerin Ndreu. Sipas klubit verilindor, trajneri krutan nuk arriti të menaxhonte si duhet ndehjen.

FK Kukësi njofton se, pas humbjes sot në Fushë Krujë me rezultatin 2 – 1 ndaj KS Kastriotit, shkarkohet Ramazan Ndreu . Trajneri nuk menaxhoi si duhet lojën dhe ishte shumë inaktiv në pankinë. Numri një i pankinës kuksiane ka patur mbështetje maksimale nga klubi dhe Presidenti, por humbja e sotme e ngarkon me përgjegjësi të plotë. Në vijim do kemi komunikime të tjera me publikun”-shkruhet në njoftimin e klubit të Kukësit.

Pak orë më pas, klubi verilindor i vendit reagon përsëri me një tjetër komunikatë të publikuar në faqen zyrtare në Facebook. Në njoftimin e dytë të klubit, mësohet emri i ri i trajnerit që do të drejtojë Kukësin në nëntë ndeshjet e mbetura të kampionatit. Safet Gjici ka zgjedhur ish-trajnerin Ernest Gjoka, që  shpalli Kukësin kampion të vendit dy sezone më parë, për të drejtuar skuadrën.

Ernest Gjoka rikthehet në pankinën e Kukesit në vend te Ramazan Ndreut , i larguar sot pas humbjes me Kastriotin. Gjoka ka dalë Kamipon me Kukësin për herë të parë dhe njeh mirë ekipin dhe klubin e Kukësit. Objektiva te Klubit dhe të trajnerit të ri mbeten loja e fortë dhe mos heqja dorë nga titulli Kampion derisa e lejon matematika dhe fitimi Kupës së Shqipërisë”-thuhet në njoftimin e klubit.

Skip to toolbar