Mediat në Itali publikuan një lajm të premten, se pas refuzimit të BE-së për t`i hapur negociatat Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev kishte dhënë dorëheqjen. Megjithatë, lajmi nuk u konfirmua zyrtarisht në Maqedoni, por mësohet se Zoran Zaev nuk e ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes.
Por vendimin do ta marrë pas mbledhjes së kryesisë së partisë së tij, LSDM. Ndërkohë, gjatë pasdites të së premtes Zoran Zaev po zhvillon takime me liderët e partive politike në Maqedoninë e Veriut. Me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, Kryeministri Zaev është takuar gjatë pasdites të së premtes. Ndërkohë, presidenti i Maqedonisë së Veritu bëri thirrje për unitet.
“Jam i bindur se tani është koha për të treguar unitet rreth orientimit tonë strategjik, pavarësisht dallimeve legjitime politike për shumë çështje,” deklaroi Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski në fjalimin që mbajti të premten.
Ai njoftoi se të dielën do të zhvillojë një takim me të gjithë liderët e partive kryesore në Maqedoninë e Veriut, ku pritet që fokus të jetë situata e krijuar nga mospasja e një vendimi të Këshillit Europian për hapjen e negociatave.