Soreca me Hahn: Reformat sjellin integrimin

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri Luigi Soreca ka zhvilluar një takim me Komisionerin Johanes Hahn. Sipas një mesazhi në Twitter të ambasadorit të BE, mësohet se qëllimi i takimit ka qenë hapja e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me BE. Soreca shkruan se ka informuar Komisionerin Hahn në funksion të vendimit që Këshilli i Europës do të marrë në muajin tetor për negociatat me vendin tonë.

“Jam i kënaqur që informova Komisionerin Johanes Hahn  mbi zhvillimet më të fundit të situatës politike në Shqipëri. Në funksion të tetorit, për vendimin e Këshillit të Europës për hapjen e negociatave të pranimit, është e rëndësishme që Shqipëria të vazhdojë të përqëndrohet në procesin e Reformave”, shkruan Soreca.

Shqipëria pret hapjen e negociatave për anëtarësim me BE-në në 18 tetor, kohë kur është parashikuar të mblidhet Këshilli i Europës për të marrë një vendim. Më herët, ishte Komisioni i Europës që rekomandoi hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE, duke u shprehur se ‘të gjitha kushtet janë plotësuar’. Ndërkohë, procesi i thellimit të reformave, është një nga kushtet kryesore për integrimi, ku reforma në drejtësi dhe zbatimi i saj, shihen nga vendet e unionit si thelbësore  për të afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Mogherini: Kriza politike nuk ndikon. Shqipëria i ka bërë detyrat.

Pas përfundimit të konferencës për Progres-Raportin e vendeve që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Europian, drejtuesit e lartë të unionit kanë mbajtur një konferencë për shtyp. Federica Mogherini u shpreh se Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm me reformat e ndërmarra. Shefja e Politikës së Jashtme në BE tha se Shqipëria e ka bërë punën që i takon për përmbushjen e detyrave. Tani është radha e vendeve anëtare të bëjnë atë që u takon për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

“Ne kemi qenë dëshmitarë të arritjeve dhe suksese që janë mbresëlënëse, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë treguar rezultate për reformat. Zbatim mbresëlënës i reformës në drejtësi, që ka sjellë rezultate të prekshme. Kam qenë së fundi në Tiranë për Samitin. Në bazë të një vlerësimi të rreptë dhe objektiv këtë vit për herë të dytë komisioni rekomandon çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

“Ato kanë bërë pjesën e tyre të punës dhe tashmë është radha e BE-së të bëjë punën e tij. Topi ynë tani do të kalojë në Këshillin e Evropës. BE të japë ato merita aty ku ato ekzistojnë. Kur ne vlerësojmë meritat në mënyrë objektive, ato duhen njohur. Në të kundërt do të dëmtohet besueshmëria e BE-së, do të minohet stabiliteti dhe do të shkurajonin reformat e mëtejshme, ndoshta sjellin edhe një moment zhgënjimi në këto vende të rajonit, por edhe në BE dhe tek BE si institucion”, u shpreh Mogherini.

E pyetur nga gazetarja shqiptare Marsela Karapanxho nëse kriza aktuale politike do të ndikojë në vendimin e Këshillit të Ministrave të BE në 15 qershor, i cili ka fjalën e fundit për hapjen ose jo të negociatave, komisionerja e jashtme e Komisionit Europian, tha se në vlerësimin e saj teknik, kriza ka kudo, përfshirë edhe vetë në Ballkan, porse Shqipëria i kishte bërë tashmë detyrat e saj dhe se meritonte çeljen e negociatave.

“Vlerësimi është i qartë që të nisim negociatat sa më parë. Nëse i referohemi krizës, cili vend nuk ka kaluar krizë politike?! Dhe në Shqipëri sa herë që e vizitojmë ka kriza politike. Në vlerësimin tim kjo nuk është politike por teknike. Në vlerësimin tonë Shqipëria ka bërë detyrat e saj”, tha Mogherini.

Skip to toolbar