Kongresi miratoi rezolutën që kufizon veprimet ushtarake kundër Iranit

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një rezolutë më të cilën i kërkohet presidentit Donald Trump të marrë miratimin e Kongresit për veprimet ushtarake ndaj Iranit. Në favor të rezolutës ishin 224, ndërsa kundër votuan 194 ligjvënës.

Në një deklaratë të mëhershme, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, kritikoi administratën e presidentit Trump për kryerjen e sulmit ajror javën e kaluar që vrau komandantin e forcave iraniane Quds, Qassem Soleimani, pa u këshilluar me Kongresin.

Ajo e quajti sulmin ajror një veprim “provokues dhe jo proporcional” që rrezikonte trupat dhe diplomatët amerikanë.

Rezoluta kërkon që presidenti të ndalojë përdorimin e forcave amerikane kundër Iranit derisa Kongresi nuk ka shpallur luftë ose nuk ka dhënë miratim ligjor, apo derisa një veprim i tillë ushtarak është i nevojshëm për t’u mbrojtur kundër një sulmi të menjëhershëm kundër Shteteve të Bashkuara, territoreve të saj apo forcave të armatosura.

“Administrata duhet të punojë me Kongresin për të çuar përpara një strategji të menjëhershme, efektive shtendosjeje që parandalon dhunën e mëtejshme,” tha zonja Pelosi. “Amerika dhe bota nuk mund t’i lejojnë vetes një luftë”, shtoi ajo.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Hogan Gidley, e cilësoi rezolutën e së enjtes “të gabuar” dhe “qesharake”.

Rezoluta nuk është detyruese, ndërsa vështirë që do të sigurojë votat e mjaftueshme në Senatin e kontrolluar nga republikanët./VOA/

Rezoluta e Kuvendit, Rusia kërcënon Shqipërinë

Një ditë përpara se në Kuvend të miratohet projekt-rezoluta “Për ndërhyrjet e huaja në proceset elektorale dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare”, reagoi ambasada e Rusisë në Tiranë. Me anë të një komunikate në faqen e saj zytare, ambasada ruse kërcënon autorët e rezolutës por dhe Shqipërinë, se kjo nuk do të kalojë pa u vënë re në Rusi.

“Është e qartë se Shqiperia po përballet me «tentativa nga aktorë të huaj (…) për të ndikuar në vendim-marrjen në Shqipëri apo për të ushtruar presion mbi vlerat demokratike, të shtetit të së drejtës, respektimit të të drejtave të njeriut…” (pika а) preambul i dokumentit). Po ç’hyn këtu Rusia? Autorët e projektit nuk mund të mos e kuptojnë që “rezoluta” të tilla  nuk do të kalojnë pa u vënë re në Rusi”.

“Sulmet e pajustifikuara dhe të pabazuara ndaj një prej anëtarëve aktivë dhe me të drejta  të plota të OSBE-së, kryesinë e së cilës pritet të marrë Shqipëria në vitin 2020, aq më tepër, shkojnë në kundërshtim me qëllimet dhe objektivat e kësaj organizate, të cilët konsistojnë në të punuarit së bashku në emër të sigurisë dhe bashkëpunimit në kontinentin Evropian”, shkruan ambasada.

Ambasada pretendon se në rezolutën që do të miratohet nga Kuvendi, Rusia përmendet pa provën më të vogël. “U njohëm me projekt-rezolutën e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë «Për ndërhyrjet e huaja në proceset elektorale dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare». Rusia përmendet sërish. Për më tepër, për fat të keq, është kthyer tashmë në traditë që Rusia përmendet pa patur edhe provën më të vogël”, thuhet në reagimin e ambasadës ruse.

Më tej, ambasada e Rusisë në Tiranë vijon me sulmet e saj, duke u shprehur se “projekt-rezoluta” është plagjiaturë e asaj të Parlamentit Evropian. “Me sa duket, tendenca për plagjiaturë u përhap “si një virus” tek autorët e saj, të cilët ndoqën rrugën e copy-paste. Kuptohet, ata do të duhet t’u paguajnë honorarë krijuesve të rezolutës së cituar kaq shpesh të Parlamentit Evropian”, thuhet ndër të tjera në reagimin e ambasadës ruse.

Ky është sulmi i radhës që ambasada e Rusisë në Tiranë i bën Shqipërisë dhe deputetëve të Kuvendit, që kanë hartuar rezolutën për ndërhyrjet e huaja. Më herët, kur kjo rezolutë u diskutua në komisionet parlamentare, ambasada e Rusisë përdori tone kërcënuese për deputetët apo partnerët strategjikë të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian. Në 10 tetor të këtij viti, Parlamenti Europian miratoi një rezolutë të ngjashme për ndërhyrjet në fushata elektorale të vendeve të huaja dhe për dizinformimin. /Realstory.al/

Rudina Hajdari urdhër deputetëve: Çohuni nga kafja

Parlamenti diskuton të enjten projekt-Rezolutën për “Hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian”. Në nisje të seancës plenare, pasi përfundoi së lexuari rendin e ditës kryetari i Kuvendit, deputetja Rudina Hajdari, bashkëhartuese e dokumentit të Rezolutës, mori fjalën e para.

Ajo i kërkoi kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, që të ftonte deputetët të ishin të pranishëm në seancë, për të diskutuara projekt-Rezolutën, që sipas Rudina Hajdarit është shumë e rëndësishme për hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe BE.

“Do duhej të kishte një pjesëmarrje më të madhe nga deputetët sot në Kuvend, pasi do diskutojmë për Rezolutën për negociatat. Nga të dyja anët, mazhoranca dhe opozita, të ngrihen nga kafet dhe të vijnë të diskutojmë rezolutën në Kuvend. Sepse është rezolutë shumë e rëndësishme”, tha Hajdari.

Miratimi i projekt-Rezolutës është në krye të axhendës së Kuvendit për seancën e të enjtes. Sipas rendit të ditës, rreth 30 deputetë pritet të flasin për këtë dokument, të hartuar nga deputet Rudina Hajdari dhe Senida Mesi. Projekt-Rezoluta është një dokument që nxit më tej punën e Kuvendit dhe të institucioneve të tjera, për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE në 18 tetor.

Bushati s`bie dakord (prapë). Kërkon ndryshime në Rezolutën e Integrimit

Deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati, propozoi në Komisionin Parlamentar të Integrimit disa amendamente për porjekt-rezolutën e propozuar nga Rudina Hajdari dhe Senida Mesi për çeljen e negociatave. Ish-Ministri i Punëve të Jashtme, propozoi ndryshimin e titullit të rezolutës, nga “Çelja e negociatave”, të bëhet “Mbështetje për procesin e fillimit të bisedimeve për anëtarësim”.

Sipas Bushatit, Kuvendi “nuk ka tagër vendimarrës” për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Ndaj, ai kërkoi “Amendimin për vlerësimin e punës përgatitore të nisur nga KE me institucionet shqiptare të njohura si procesi “screening”.

Një tjetër amendim, është “të rikonfirmojmë angazhimet që burojnë nga Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë datë 24 maj 2018”. Bushati kërkon që “Kuvendi të nxisë institucionet e tjera përgjegjëse me qëllim ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), brenda vitit 2019”.

Gjithashtu, Bushati shton edhe një amendament, që sipas tij “Kuvendi të angazhohet në përfundimin  e Reformës Zgjedhore brenda vitit 2019, në përmbushje të rekomandimeve të OSBE-ODIHR, për të garantuar një proces zgjedhor të lirë, të drejtë, të ndershëm dhe demokratik”.

Ditmir Bushati kërkon që “Këshilli i Ministrave të paraqes brenda datës 31 Tetor të këtij viti, planin e punës, metodologjinë, planifikimin e burimeve njerëzore dhe financiare në mbështetje të procesit të bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian”.

Në fakt, disa prej mendimeve të Bushatit janë në përputhje me mendimet e bëra nga Senida Mesi dhe Rudina Hajdari, në Rezolutën e parqitur në Kuvend të hënën në 30 shtator.  Ajo që bie në sy nga amendamentet e paraqitura nga Ditmir Bushati, është kërkesa për “përfundimin  e Reformës Zgjedhore brenda vitit 2019”.

Kryemadhi: Me hir a me pahir “sulltani i krimit” do largohet

Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi ditën e sotme Konventën Kombëtare, ku ishin të pranishëm delegatë, përfaqësues politikë dhe simpatizantë të saj. Gjatë fjalës në Konventë, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi tha se ka arritur të shoh të ardhmen e Shqipërisë, duke iu drejtuar me ironi fjalëve “doktoreshë” dhe “fallxhore” që përdor kryeministri Rama.

“Jemi mbledhur këtu për të ardhmen sa më të mirë të vendit tonë. Si një doktoreshë dhe fallxhore, e parashikoj të ardhmen e Shqipërisë të ndritur pa Edi Ramën kryeministër. Shqipëria është më e mirë pa Edi Ramën.” – tha Kryemadhi

Kryemadhi tha se mosbindja civile do të vazhdojë deri në rrëzimin e Ramës në mënyrë që të zhvillohen zgjedhje të lira dhe Shqipëria të integrohen në familjen europiane.

“Ne sot Shqipëria na ka caktuar një detyrë shkurt dhe shqip, të mbrojmë demokracinë. Ne nuk kthehemi më mbrapsht. Tashmë nuk është më sekret me sondazhe dhe pa sondazhe ne jemi shumicë, sepse në njërën anë është një njeri me grusht kriminelësh dhe oligarkësh dhe disa kërpudha që janë kthyer në fasada të tij, dhe anën tjetër janë shumica e shqiptarëve që duan integrimin e Shqipërisë. Në këtë vend fatmirësisht ata që nuk pranuan të bëhen fasadë e Edi Ramës janë sot shumica dhe sot shumica është opozita e bashkuar dhe jo vetëm po me të gjithë ata shqiptarë të cilët duhet të bashkohen dhe të rrëzojnë këtë regjim kriminal, protestat tona dhe mosbindja civile do të vazhdojnë derisa “Sulltani i krimit” të bindet me hir a me pahir do apo nuk do ai, në Shqipëri do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Koha e tij dhe e etërve të tij ka mbaruar ne Shqipëri.” – u shpreh Kryemadhi

Konventa është mbyllur me votimin e një rezolute ku shënohet të gjitha pikat dhe ndryshimet që kjo forcë politike premton të ndryshojë në ekonomi, reforma, zgjedhje, punësim etj.

REZOLUTA E PLOTË
Lëvizja Socialiste për Integrim, duke vlerësuar se situata politike, ekonomike e sociale në vend është nga më të vështirat e gjithë periudhës së tranzicionit;
Se mazhoranca sot është tërësisht e paaftë për të qeverisur vendin dhe për të çuar përpara procesin e integrimit në Europë.
Se ajo ka zgjedhur arrogancën dhe paligjshmërinë në gjithë veprimtarinë e saj, duke rrënuar tërësisht respektin e saj për Kushtetutën, ligjin dhe ligjshmërinë;
Duke provuar se mazhoranca ka shkatërruar ne themel institucionin e zgjedhjeve, duke u lidhur me krimin dhe duke u rënë peng i tij;
Në kushtet kur Ekonomia e Shqipërisë është e marrë peng nga pak oligarkë, të cilët janë përfituesit kryesorë të parave publike dhe pasurive kombëtare duke thelluar polarizimin ekonomik e social të shoqërisë;
Dhe shoqëria shqiptare, kryesisht rinia, gjendet sot përpara një krize të thellë të besimit dhe po përjeton një emigrim masiv;
Lëvizja Socialiste për Integrim, me përgjegjësi kombëtare e politike, shpall si objektiv madhor kthimin e besimit të qytetarëve te shteti, te Shqipëria, si shtëpia jonë e përbashkët!
Për këtë LSI-ja synon të garantojë:

  1. Vendosjen e shtetit në themelet ligjore dhe kushtetuese nëpërmjet:
    Realizimit të zgjedhje të lira e të ndershme, duke eliminuar dhe ndëshkuar rëndë tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve nëpërmjet parasë, intimidimit dhe forcës, procesit të manipuluar zgjedhor. Qytetari është sovran nëpërmjet votës së tij.
    Ndalimit të trafikut parlamentar, me sanksionimin në Kodin Zgjedhor të rregullave të qarta të zgjedhjes dhe veprimtarisë së përfaqësuesve të zgjedhur.
    Përfundimit të reformës në drejtësi, duke evituar kapjen e sistemit nga mazhoranca aktuale dhe duke vendosur ligjshmërinë, integritetin dhe paanshmërinë e tij.
    Forcimit të sistemit të llogaridhënies përpara ligjit dhe qytetarëve të veprimtarisë së përfaqësuesve të zgjedhur si dhe funksionarëve publikë në qeverisje.
    Plotësimit sipas ligjit të institucioneve kushtetuese dhe forcimit të sistemit të kontrollit dhe balancës mes pushteteve.
    Forcimit të rendit publik dhe rritjes së sigurisë së jetës së qytetarëve.
  2. Realizimin e reformave të integrimit me përqasje gjithëpërfshirëse. Mobilizimin e gjithë kapaciteteve kombëtare politike, të shoqërisë civile dhe akademisë, në procesin e negociatave për anëtarësim në BE.
  3. Rritjen ekonomike dhe punësimin, nëpërmjet:
    Çlirimit të ekonomisë nga oligarkët dhe monopolet dhe nxitjes së veprimtarisë ekonomike duke ulur taksat dhe duke respektuar rregullat e tregut të lirë.
    Thjeshtimit të pagesës së detyrimeve fiskale duke evituar korrupsionin. Shpërndarje më të drejtë dhe të prekshme tek pagat dhe pensionet.
    Forcimit të ndërmarrjeve të vogla e të mesme, me mbështetje për start-up-et, veçanërisht në fushën e IT dhe inovacionit.
    Nxitjes së punësimit që në bankat e shkollave të mesme e profesionale. Lidhje të drejtpërdrejtë të veprimtarisë ekonomike me sistemin arsimor, veçanërisht me shkollat teknike, profesionale dhe shkollat e larta për shkencat e aplikuara.
    Rritje te produktivitetit dhe eksporteve. Mbështetje për inovacionin.
    Mbështetje parësore për bujqësinë si sektor kryesor ekonomik. Zhvillimi të industrisë së agropërpunimit.
    Krijimi i një klime dhe hapësire miqësore për biznes, mbështetje për investimet e vendit dhe të huaja.
  4. Kthimin e besimit te rinia dhe mbështetje për familjet e reja.
    Kthimi i besimit nëpërmjet ofrimit të mundësive konkrete dhe të barabarta për arsimim dhe punësim.
    Ndalje e tkurrjes së popullsisë.
    Mbështetje për strehim për familjet e reja dhe rritje të lindshmërisë.
    PËR REALIZIMIN E OBJEKTIVAVE TE SAJ, LSI-ja PROPOZON MASA DHE POLITIKA KONKRETE
  5. Ulje e barrës fiskale mbi biznesin dhe individin:

Thjeshtëzim i sistemit fiskal dhe ulje e barrës fiskale, përmes një takse të sheshtë prej 10% për tatim fitimin dhe të ardhurat personale.
TVSH 0% për prodhimin bujqësor
TVSh 6 % për produktet e shportës;
Heqja e pagesës së TVSh-së në doganë.
Pagesë fikse tatimi prej 30 mijë lekësh në vit për gjithë bizneset me xhiro vjetore nga 2 deri 8 milionë lekë në vit.
Heqja e tatimit të transferimit të pronësisë së pasurive të paluajtshme.
Pagesa vetëm 1% takse mbi shumën e transaksionit. Për blerjen e shtëpisë së parë pagesa është 0.
Ulje e tavanit të taksave vendore për t’i dhënë fund abuzimit me to.
Mbështetje me grant 20000 euro për start-up-et.

  1. Sektor kryesor ekonomik – Bujqësia
    Subvencionim i prodhimit bujqësor për njësi të prodhimit, të sipërfaqes dhe për numër krerësh. (100 milionë Euro në vit);
    Subvencionim i vlerës së interesit bankar për çdo kredi të dhënë për infrastrukturë, serra, stalla, për industrinë agropërpunuese. Ofrim i tokës shtetërore për aktivitetet agropërpunuese.
    Ndërtimi i sistemit të Kartës së Fermerit me zbatimin e së cilës bëhet zbritja automatike e pagesës së TVSh-së për imputet bujqësore, plehra kimike, fidanë, fara, naftë.
    Konsolidim i rajonalizimit të prodhimit bujqësor.
    Dhënie e çertifikatave të pronësisë mbi tokën brenda dy viteve të para të qeverisjes.
    Targetim i zëvendësimit me përparësi të importeve të produkteve të përpunuara me prodhime vendi.
    Forcim i sigurisë ushqimore. Inpute të sigurta dhe proces prodhimi i sigurt. Ndërtimi i një laboratori të kontrollit ushqimor për çdo qark.
  2. Mbështetje parësore për arsimin –
    Dyfishim buxheti për përmirësimin e infrastrukturës arsimore dhe paga mësuesish. Rritje pagash për mësuesit 50 % në 4 vite;
    Rritje e cilësisë së mësimdhënies.
    Rritje e autonomisë universitare që u garanton studentëve dhe pedagogëve rritje të cilësisë së mësim-dhënies dhe lidhje me tregun e punës.
    Orientim i 50% të temave studimore në Programet Master dhe PHD në çështje konkrete të zhvillimit të ekonomisë.
    Realizimi i Programit “Mëso dhe fito” për shkollat profesionale (punësim me pagë dhe mësim) dhe për shkencat e aplikuara;
  3. Mbështetje e Familjes së re
    Krijimi i fondit të shtëpive për familjet e reja.
    Punësim parësor për të paktën një nga prindërit e një familje me fëmijë.
Skip to toolbar