Ish numri dy i Partisë Demokratike, Arben Ristani, i cili pas zgjedhjeve të 30 qershorit ka dalë kundër qëndrimeve të opozitës, ka listuar të premten disa propozime të rëndësishme që shmangin ecjen me “verbëri drejt humnerës”, siç thotë ai.
Ai shkruan se zgjedhjet e 30 qershorit që u premtuan me pathos nga lidershipi i PD-së se nuk do të mbaheshin u mbajtën dhe tani kanë përfunduar. Pra premtimi i PD-së u rrëzua.
Sipas Ristanit zgjedhje as vendore dhe as të parakohshme pa Ramën kryeministër, siç pretendon dhe premton ende Basha, nuk do të ketë. Ndaj të mos vazhdohet me premtime në tym.
Ristani, shkruan se demokratët duhet ta shohin realitetin me sy dhe PD të marrë masat për të bërë disa ndryshime të rëndësishme brenda saj.
5 janë propozimet e Ristanit:
PD të marrë masat për ta mundur Ramën me zgjedhje (dhe jo me protesta); të rritet besimi i mbështetësve të opozitës; të hartohet një program i qartë elektoral; të përmirësohen marrëdhëniet me ndërkombëtarët dhe veçanërisht me amerikanët si dhe të hapet partia ndaj të larguarve dhe njerëzve me kontribute.
“Në kete situatë jam shprehur se PD mund dhe duhet ta mundë në zgjedhje –dhe jo në llafe– Ramen dhe Rilindjen, si e vetmja rrugë qe kemi, edhe pas keshillave dhe insistimit të partnerëve ndërkombëtare, evropianë dhe amerikanë.
Rruga që duhet ndjekur, sipas mendimit tim, kalon nga puna për të rritur besimin dhe angazhimin e mbështetësve të opozitës.
Na duhet një program i mirë, i qartë dhe i kuptueshem nga njerëzit. Por kryesor është besimi –na duhet të ringjallim besimin se jemi si parti dhe si individë, në lartësinë e premtimeve tona.
Shumë punë mbetet për të bërë për të rivendosur besimin dhe për të rilidhur marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, sidomos ata amerikanë.
Gjithashtu kam përmendur nevojën për të bashkuar partinë me të gjithë ata që kane kontribuar për PD ndër vite, me ata që kanë ekspertizën dhe eksperiencën për organizimin e partisë dhe suksesin e saj në betejat elektorale, pavarësisht qejfmbetjeve, komplekseve, apo kontradiktave parimore”, shkruan Ristani.
Sipas tij, nëse nuk merren këto masa dhe PD vazhdon “grusht-bashkuar rreth verbërisë ndaj realitetit, kjo rrugë të çon vetëm në një drejtim – drejt humnerës”.