Zyrtari amerikan: Djegia e mandateve joproduktive, PD e LSI duhet të reformohen

Këshilltari i Komisionit Amerikan të Helsinkit, Robert Hand ka deklaruar se vendimi i djegies së mandateve nga opozita është kundërprodukteve, pasi ky nuk ishte thjesht një bojkot i përkohshëm, por lëshimi i mandateve pa asnjë mjet për rikthim. Hand madje tha se ka ende shprese tek opozita me rritjen e zërave brenda saj kundër këtij vendimi, ku disa prej të cilëve vendosën të qëndronin në parlament. Ai shtoi se këto zëra kundër mund të jenë një arsye e mirë për të reformuar PD dhe LSI.

Zëri i Amerikës: A ishte kundër-produktiv vendimi i opozitës?

Robert Hand: Unë e shikoj këtë nga këndvështrimi se punoj për 18 anëtarë të Kongresit. Përgjithësisht, anëtarët e Kongresit këtu nuk besojnë se bojkotimi i parlamentit është një ide e mirë. Dhe ky nuk është thjesht një bojkot i përkohshëm, por lëshimi i mandateve pa asnjë mjet për rikthim. Kështu që, unë mendoj se ishte një veprim shumë kundërproduktiv, po të kesh parasysh edhe kohën kur u bë. Kjo mund të jetë kundërproduktive për opozitën edhe për sa i përket mbështetjes që ajo merr. Përpiqem të kërkoj shpresë kudo që mundem, dhe më dha zemër fakti që brenda partive opozitare pati disa mospajtime për këtë. Tre deputetë të parlamentit qëndruan në Parlament, nuk i braktisën mandatet e tyre dhe të tjerë nga listat e partive, hynë në parlament dhe plotësuan shumicën e vendeve të mbetura bosh. Nëse ata mbeten pjesë e Partisë Demokratike ose e LSI-së dhe kthehen përsëri aty, mbase mund të përpiqen t’i reformojnë këto parti. Një pjesë e problemit me Shqipërinë, mendoj se është fakti që nuk ka demokraci të mjaftueshme brenda partive. Ne nuk mund t’i detyrojmë partitë të jenë më demokratike. Kjo varet prej tyre, por sigurisht që do ta ndihmonte vendin në aspektin e udhëheqjes së përgjegjshme. Disa nga këta njerëz dhe me duket se disa tashmë e kanë bërë një gjë të tillë, kanë vendosur të fillojnë vetë lëvizje të reja apo parti të reja. Mendoj se Shqipëria, në planin afatgjatë do të përfitonte me siguri nga kjo. Populli i Shqipërisë do të përfitonte nëse gjatë zgjedhjeve në të ardhmen do të kishin më shumë alternativa në kutinë e votimit.

Në lidhje me kapërcimin e krizës apo rolin e SHBA për të ulur palën në dialog, Këshilltari i Komisionit Amerikan të Helsinkit tha se në fakt se kriza kërkon një vullnet politik nga udhëheqësit dhe nuk duhet të presin gjithmonë ndihmë nga ndërkombëtarët për të ndërmjetësuar mosmarrëveshjet e brendshme. Hand tha se SHBA duhet të këmbëngul më shumë në reformën ne drejtësi dhe zbatimin e saj, por jo të marrë pjesë në debatet e brendshëm të politikës.

Zëri i Amerikës: Si mund të dalë vendi nga një kaos i tillë?

Robert Hand: Kjo kërkon vullnet politik dhe vullnet të mirë nga udhëheqësit. Është e vështirë ta thuash. Shqipëria me gjithë problemet që ka patur në të kaluarën ka qenë në gjendje të përparojë. Dhe në fakt ka bërë përparim gjatë viteve, ndonëse jo aq shpejt sa do të dëshironim. Kjo e tanishmja është një krizë e shumëfishtë, paksa e paprecedentë, ndoshta e krahasueshe me ato të fillimit të viteve 1990. Uroj që mes elitave politike shqiptare do të ketë vullnet për të biseduar dhe për të gjetur zgjidhje për mosmarrëveshjet.

Zëri i Amerikës: Situata e tanishme është edhe një lloj pasoje e reformës në drejtësi për të cilën këmbëngulën Shtetet e Bashkuara. Në këtë kontekst a mendoni se Shtetet e Bashkuara duhet të tregohen më të angazhuara?

Robert Hand: Nuk mendoj se duhet të luajnë rol ndërmjetësues. Shqiptarët duhet të largohen nga praktika e të kërkuarit ndihmë nga të huajt për të ndërmjetësuar mosmarrëveshjet e brendshme. Po, mendoj se Shtetet e Bashkuara, duke këmbëngulur për reformën dhe vetingun e gjyqtarëve, që çoi në mosfunksionimin e gjykatave, kanë luajtur një rol në këtë drejtim. Por mendoj se reforma dhe vetingu ishin të nevojshëm. Ndërkohë vendi ka nevojë për udhëheqje të përgjegjshme politike për të ecur përpara, deri në krijimin e një sistemi të besueshëm drejtësie, që do të zgjidhte mosmarrëveshje të kësaj natyre. Ndërkohë u takon politikanëve të jenë të hapur për dialog dhe të arrijnë një zgjidhje, që vendi të ecë përpara në këtë kohë kritike.

Lexo këtu intervistën e plotë

Skip to toolbar