Moti me reshje shiu, IGJEUM: Rrezik për përmbytje në disa zona të vendit

Prej dy ditësh Shqipëria është përfshirë nga një mot i paqëndrueshëm, me reshje të dendura shiu dhe ulje të temperaturave. Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), të dielën reshjet do të jenë përsëri intensive. IGJEUM parashikon që në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër reshjet të kenë intensitet më të lartë.

Megjithatë edhe “në qarqet e tjera priten reshje intensive dhe mesatare. Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata në të gjithë vendin”, thuhet nga njoftimi i IGJEUM. Ndërkohë, parashikimet e këtij instituti thonë se reshjet maksimale do ti kalojnë vlerat 100 mm shi në 24 orë.

“Nga llogaritjet e fundit këto reshje mund të sjellin rritje të rrezikshme të prurjeve në lumenjtë e mëdhenj dhe të mesëm Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë. Lumenjtë dhe përrenjtë e vegjël mund të shfaqin probleme me përmbytje lokale ose përmbytje urbane në varësi të gjendjes së kanalizimeve në disa nga qytetet kryesore (Tiranë, Elbasan, Lezhë, Durrës, Korçë, Vlorë, Fier dhe Gjirokastër)”.

“Nga llogaritjet hidrologjike rezulton se, me parashikimin e sasisë së këtyre reshjeve, në pjesët fushore të këtyre lumenjve në këto qarqe ka mundësi për përmbytje lokale dhe prurje të larta kryesisht përgjatë fundjavës. Ky informacion do të përditësohet nga IGJEUM sipas llogaritjeve më të fundit dhe do të njoftoheni për çdo ndryshim në parashikimin e përmbytjeve”, thuhet në njoftim.

“Temperaturat gjatë ditës së dielë llogariten: në bregdet: 14 / 18 °C, në vendet e ulëta: 12 / 17 °C dhe në vendet malore: 7 / 11 °C. Ndërsa era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa në bregdet deri shumë e fortë”, thotë IGJEUM.

Skip to toolbar