Protesta e opozitës rrezikon zhvillimin e finales së Kupës së Shqipërisë

Të dielën më 2 qershor do të zhvillohet ndeshja finale e Kupës së Shqipërisë mes Tiranës dhe Kukësit. Takimi është vendosur të luhet në stadiumin “Elbasan Arena” në orën 19:00, ndërsa një ditë më parë dolën në shitje dhe biletat për këtë ndeshje. Mirëpo në të njëjtën ditë, ndoshta dhe në të njëjtën orë, pritet të mbahet protesta e shtatë kombëtare e opozitës në kryeqytet.

Duke pasur parasysh protestat e mëparshme të opozitës, policia pritet të angazhojë 1200 deri në 1500 efektivë policie për garantimin e sigurisë publike. Një pjesë e konsiderueshme e efektivëve të policisë vijnë nga Drejtoritë Vendore të Policisë nga Qarqet më të afërta, përfshi Elbasanin. Kjo do të thotë se do të reduktohet numri i efektivëve të policisë që do të jenë në detyrë për të garantuar sigurinë publike në qytet dhe aktivitete të ndryshme të jetës publike, përfshi dhe ato sportive.

Në këtë logjikë rrezikon pikërisht edhe ndeshja finale e Kupës së Shqipërisë Tirana-Kukësi, pasi një pjesë e konsiderueshme e Bluve të Elbasanit, përfshi RENA, FNSH DHE SHQIPONJA, do të jenë në Tiranë te protesta e opozitës. “Sa herë ka protestë opozita ne dërgojmë forca policie në Tiranë. Për ndeshjen e të dielës ende nuk kemi një vendim, mund të dërgojmë efektivë në stadium, por varet nga numri që do të kërkohet, pasi është ndeshje e rëndësishme”, i tha një burim i sigurt në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, RealStory.al.

Megjithatë, një tjetër burim pranë Federatës Shqiptare të Futbollit u shpreh “nuk kemi asnjë ndryshim plani deri tani. Kanë dalë në shitje biletat dhe presim që ndeshja të zhvillohet”. Gjithësesi, gjatë ditës së sotme pritet të vendoset përfundimisht se çfarë do të bëhet, pasi pas datës 1 qershor nis zyrtarisht dhe fushata për zgjedhjet elektorale nga Partia Socialiste, e cila praktikisht mund të zhvillojë aktivitete në fundjavë duke kërkuar edhe mbështetjen e policisë për mbarvajtjen e tyre.

Në këto kushte policisë i shtohet më shumë punë, pasi në të njëjtën ditë do të duhet të kryejë detyrat e saj funksionale për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, të garantojë sigurinë gjatë protestës së opozitës dhe njëkohësisht finalen e Kupës së Shqipërisë.

Skip to toolbar