Nga Eduard Zaloshnja
Instituti AGENDA në bashkëpunim me statisticienin Eduard Zaloshnja, publikoi gjetjet e një sondazhi, në lidhje me besueshmërinë e punës së Policisë në kryeqytet. Sipas sondazhit, në tremujorin e tretë të vitit 2019, krahasuar me një tremujor më parë, ka patur një rrritje të ndjeshme statistikisht të opinionit pozitiv të banorëve të qarkut Tiranë (16 vjeç e sipër), për punën e policisë së qarkut të tyre (është ngjitur në nivelin 61%).
Ndërkohë, ka patur edhe një ulje të opinionit negativ (ka zbritur në nivelin 29%). Një prirje e ngjashme vërehet në rang republike; ka rritje domethënëse statistikisht të opinionit pozitiv për policitë e qarqeve (krahasuar me një tremujor më parë), duke u ngjitur në nivelin 57%, ndërkohë që opinioni negativ është ulur ndjeshëm.
Rreth 72% e qytetarëve shqiptarë ndihen të sigurt ose shumë të sigurt kur ecin vetëm në lagjen e tyre, pasi është errësuar. Nga një sondazh i IDRA-s, i kryer në maj 2018 me financim të SCPA-së, rezultonte se 75% e qytetarëve e ndienin këtë siguri. Pra, kemi një rikthim pothuaj në ato nivele të numrit të qytetarëve që ndihen të sigurt në lagjet e tyre, ndërkohë që ka një rritje me pothuaj 10% krahasuar me fillimin e korrikut.
Rezultatet e plota të sondazhit, të shoqëruara me grafikë, si dhe informacionin metodologjik mbi të, mund t’i gjeni në dokumentin bashkëngjitur.