Kryeministri Edi Rama e ka nisur me një lajm të mirë mëngjesin e kësaj të hëne duke njoftuar përfundimin e Lotit të Parë të rrugës në zonën e Lumit të Vlorës, ndërsa bën me dije se shumë shpejt do të nisë edhe loti i dytë i punimeve. Ky segment do të shërbejë në zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës.
“Me këtë natyrë të qetë nga zona e Lumit të Vlorës, ku përfundoi Loti i Parë dhe ka nisur puna për të Dytin, e ku pa hapet për turistët e për ekonominë e zonës, një thesar i fshehur i natyrës së mrekullueshme shqiptare, ju uroj një javë të bukur”, shkruan kryeministri.
LOT II i rrugës së Lumit të Vlorës është një projekt madhor që lidh fshatrat e kësaj zone me pjesën tjetër të vendit dhe del në zemër të bregdetit jonian.
Segmenti Ura e Gjormit-Brataj-Ura e Laskos ofron parametra më të mirë të sigurisë. Projekti parashikon përmirësimin e parametrave gjeometrikë të rrugës, zgjerimin e trasesë, rritjen e shpejtësisë së lëvizjes, nivelimin e rrugës me material shkëmbor dhe trajtimin e të gjitha nënshtresave.
Rruga e Lumit të Vlorës, 94 km fillon nga Bypass i Vlorës – Peshkëpi – Ura e Gjormit – Brataj –Ura e Kudhësit- Qeparo, degëzimi për në fshatin Kuç, si dhe segmenti nga Rreth-rrotullimi i Peshkëpisë – Selenicë – superstrada Levan -Tepelenë. Ky aks përshkon fshatrat Peshkëpi, Kote, Gjorm, Lepenicë, Kallarat, Brataj, Kuç, Kudhës dhe përfundon në Qeparo.
Popullsia e zonës arrin në mbi 40,000 banorë dhe përbën rreth 16% të të gjithë popullsisë së Qarkut të Vlorës. Në zonën në fjalë ka më shumë se 60 fshatra me një dendësi të madhe popullsie dhe veçanërisht moshë të re.
Përveçse siguron lidhjen e këtyre fshatrave me Vlorën dhe bregdetin duke nxitur mundësi të reja për zhvillimin e bujqësisë e agroturzimit, panorama fantastike që shoqëron përgjatë të gjithë rrugës pritet të nxisë zhvillimin e aktiviteteve sportive si trekking dhe ecje me biçikileta, të cilat eventualisht mund të sjellin transformimin e të gjithë luginës në atraksion turistik.