Tre persona janë arrestuar nga efektivët Blu të Komisariatit Nr.1 Tiranë, pasi dyshohet se kishin kthyer një ambient në bazë të shpërndarjes së dograve të forta. Sipas një njoftimi të policisë së Tiranës, mësohet se janë prangosur tre shtetas, emrat e të cilëve jepen vetëm me inicialet. Përkatësisht të arrestuar janë shtetasit; M. I., 35 vjeç, G. XH., 43 vjeç, E. F., 22 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrolleve në një ambient në rrugën “Budi”, i cili dyshohej se ishte kthyer në bazë të tregtimit dhe përdorimit të Kokainës, këtyre shtetasve iu gjetën disa doza me lëndë narkotike të dyshuar Kokainë, si dhe nga kontrolli i mëtejshëm i ambienteve u gjet dhe u sekuestrua dhe 3.7 kilogramë pluhur i dyshuar përzierës për Kokainën.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe prova të tjera ligjore që do shërbejnë për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale të shpërndarjes së drogave të forta.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, në ngarkim të shtetasve të mësipërm, të cilët janë arrestuar në flagrancë, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.