E kritikuan për qëndrimet në samitin e G-7, Trump sulmon mediat amerikane

Presidenti Donald Trump shprehu zemërim ndaj mediave kryesore amerikane për mënyrën se si e mbuluan pjesëmarrjen e tij në samitin e G-7s në Francë. Ai mbrojti gjithashtu preferencën e tij që samiti i vitit të ardhshëm të mbahet në njërin nga vendpushimet e tij private në shtetin Florida.

Një pjesë e mirë e mbulimit mediatik të presidentit amerikan në samitin e Francës, i cili përfundoi të hënën, nuk e paraqiti Presidentin Trump në dritë pozitive, duke e vënë theksin tek keqkuptimet, tek ato që disa i quajtën gafa apo te mungesa e bashkëpunimit me udhëheqësit e tjerë botërorë për çështje të tilla kritike si mjedisi.

“Është për të ardhur keq që i tërë spektakli i G-7s tregoi se ishte pjesë e një normaleje të re, ku demokracitë më të mëdha liberale të botës pranojnë që nuk janë në sinkron me presidentin e vendit, i cili duhet të udhëheqë përpjekjet e tyre për të menaxhuar botën dhe burimet e saj me mençuri dhe përgjegjësi, por që në fakt nuk vepron ashtu,” thuhej në editorialin e bordit të gazetës New York Times, e cila vjen çdo mëngjes në tryezën e Presidentit Trump.

Redaktori i rubrikës për kontrollin e fakteve në gazetën Washington Post, Glenn Kessler shkruante se gjatë konferencës së gjatë për shtyp të presidentit në mbyllje të G-7s, Presidenti Trump “bëri shumë deklarata false, mashtruese ose të pasakta për një sërë çështjesh.”

Zoti Trump, i cili i ka kritikuar në mënyrë të përsëritur të dyja gazetat kryesore për mbulimin që i bëjnë atij, deklaroi të martën në mëngjes në Twitter se “G-7a ishte një sukses i madh për SHBA dhe për të gjithë. Mbulimi nga ana e Medias së Çalë nuk kishte asnjë lidhje me atë që ndodhi në të vërtetë në Francë – FAKE NEWS. Ishte e mrekullueshme!.”

Ish nënpresidenti Joe Biden, një nga kandidatët kryesorë të Partisë Demokrate, i cili sfidon zotin Trump në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, publikoi një deklaratë që e karakterizon performancën e presidentit në G-7 si “një tjetër dëshmi se si politika e jashtme katastrofale e Presidentit Trump i ka lënë Shtetet e Bashkuara në izolim, ndërsa bota lëviz pa ne”.

Zoti Biden shtonte se “Nuk ka metaforë më tipike që tregon se si kjo administratë ka hequr dorë nga udhëheqja globale amerikane sesa karrigia bosh në takimin e G-7s për klimën. Kur bëhet fjalë për të zgjidhur krizën ekzistenciale të kohës sonë, Trump largohet nga tryeza në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.”

President Trump po përballet gjithashtu me kritika për thirrjen që Rusia të pranohet në samitin e udhëheqësve pa parakushte.

“Asnjë anëtar tjetër i grupit nuk ka propozuar që Rusia të kthehet në G-7, siç propozoi ai, por që ata rezistuan. Me këtë, zoti Trump theksoi statusin e tij të izoluar”, shkruante Michael D’Antonio, autor i librit “E vërteta për Trump”, në një opinion të botuar në faqen e internetit të rrjetit CNN, një entitet tjetër mediatik që Presidenti Trump e ka etiketuar shpesh si “lajme të rreme”.

Katër senatorë të Partisë Demokrate i dërguan të martën zotit Trump një letër ku shprehin kundërshtimin e tyre të fortë që presidenti rus Vladimir Putin të ulet së bashku me drejtuesit e grupit të demokracive të industrializuara.

“Të ripranosh Rusinë e Putinit në G-7 do të ishte në kundërshtim me vlerat tona dhe një mohim i qartë i përgjegjësive të Shteteve të Bashkuara si demokracia kryesore në botë,” përfundon letra e nënshkruar nga senatorët Jack Reed, Charles Schumer, Robert Menendez dhe Mark Warner.

Presidenti Trump u tha gazetarëve të hënën në Biarritz se samiti i G-7s i vitit të ardhshëm, me mikpritës Shtetet e Bashkuara, mund të mbahet në vendpushimin e tij privat në Doral të Floridës.

Presidenti vuri në dukje, mes të tjerash, afërsinë e vendpushimit nga aeroporti ndërkombëtar i Majemit dhe sallat apo parkimet e tij të bollshme.

Walter Shaub, ish drejtor i Zyrës Qeveritare për Etikën, tha se presidenti, duke sugjeruar që takimi të mbahet në pronën e tij “ngre mundësinë shumë reale që procesi i prokurimit të preket nga ndikimi korruptiv”.

Kongresmeni republikan Rick Santorum e quajti “të papërshtatshëm” reklamimin nga presidenti të një prej pronave të tij private. Zoti Trump “nuk i bën vetes asgjë të mirë me gjëra të tilla,” tha zoti Santorum në CNN. “Ju lutem zoti President. Ndalni. Ju lutem.”

Raportimet që pasuan në lidhje me vendpushimin si një vend i mundshëm për mbajtjen e samitit, vinin në dukje një shkrim të janarit 2017 në gazetën Miami Herald lidhur me me një marrëveshje për zgjidhje ligjore mes vendpushimit të golfit të quajtur Trump National Doral Miami dhe një udhëtari biznesi që e kishte paditur vendpushimin, me pretendimin se tartabiqet i kishin gllabëruar pjesën e sipërme të trupit gjatë qëndrimit në rezort.

Zoti Trump u përgjigj të martën në Twitter:

“Në Doral nuk ka asnjë tartabiq. Demokratët e së Majtës Radikale, kur dëgjuan se Doral National Miami, i cili ndodhet në vendin e përkryer (për G-7n e radhës) ishte duke u shqyrtuar si mundësi për G-7n e ardhshme, përhapën atë thashethem të rremë dhe të ulët. Jo mirë!”/VOA/

Bregu: Zonë Shengen në Ballkanin Perëndimor

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu ka kërkuar që rajoni të krijojë në axhendë serioze për të krijuar një zone Shengen në Ballkanin Perëndimor, ku njerëzi por edhe kapitalet të lëvizin vetëm përmes ID-ve. Nga samiti i Ballkanit Perëndimor në Proznan në Poloni, Bregu tha se kjo lëvizje do të jetë një lehtësim i madh si për tregtinë dhe investimet ashtu edhe për njerëzit.

“Rajoni ynë duhet të fillojë një agjendë serioze dhe të gjerë të lehtësimit, e cila do të përfshijë aspekte të lëvizjes së lehtësuar të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Ballkani Perëndimor duhet të lëvizë lirshëm përmes ID-ve dhe të heqë pengesat strukturore për tregti dhe investime. Është koha që të përfshihet një mekanizëm adekuat i Shengen-it në Ballkanin Perëndimor për të lehtësuar udhëtimin në të gjithë rajonin dhe duke hapur rrugën për tranzicion gradual në lëvizjen e lirë të qytetarëve. Liria e lëvizjes është një parakusht thelbësor për integrimin ekonomik rajonal. “ – shkruan Majlinda Bregu

Samiti i Ballkanit Perëndimor në Proznan të Polonisë mblodhi liderët nga Ballkani Perëndimor dhe BE, mes tyre dhe kryeministri Rama, për të diskutuar mbi të ardhmen e rajonit në BE.

“It is time to incorporate an adequate Schengen-like mechanism into the Western Balkans to facilitate the travelling…

Gepostet von Majlinda Bregu am Freitag, 5. Juli 2019

Samiti i G20, Trump kundër pjesës tjetër të botës

Në samitin e 20 vendeve më të rëndësishme të botës në Japoni përsëri gjithçka rrotullohet rreth presidentit amerikan. Konfliktet e tij tregtare me pothuajse të gjitha rajonet e botës përcaktojnë rendin e ditës.

Nikoqiri i samitit të sivjetëm të G20, kryeministri japonez Shinzo Abe, do të përpiqet të premten dhe të shtunën që takimi i 20 shteteve më të rëndësishme industriale të botës dhe atyre në zhvillim të mos rrotullohet vetëm rreth një njeriu. Presidenti i SHBA Donald Trump që para nisjes për në Japoni kishte kërcënuar sërish Kinën, por edhe aleatët për shkak të përfitimeve tregtare. Megjithatë japonezët kanë vënë edhe ҫështje të tjera në rendin e ditës, si luftën kundër gazrave të efektit serë, mbeturinave plastike ne dete, plakjen e shoqërive perëndimore dhe të ardhmen e punës në ekonominë e digjitalizuar. Në këto tema janë arritur edhe përparime, pohon një diplomat i lartë i BE. „Një nga detyrat urgjente të shteteve të G20 është rivendosja e besimit në sistemin multilateral të tregtisë. Konfliktet tregtare kanë filluar të rëndojnë perspektivat për rritjen ekonomike” thotë Koji Tomita, i ngarkuari i qeverisë japoneze për G-20.


Trump kundër pjesës tjetër të botës


Presidenti i SHBA Donald Trump akuzoi të mërkurën gati të gjitha shtetet e botës, se përfitojnë nga SHBA në tregtinë botërore duke i trajtuar ata “unfair”. Nga ana tjetër evropianët, kinezët, meksikanët dhe të tjerët kërkojnë nga SHBA që t‘u përmbahen rregullave. Në margjinat e samitit të G20 në Osaka do të mbahet takimi i nivelit të lartë i dy kontrahentëve kryesorë, presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping. Trumpi kërcënoi para nisjes për në Osaka me rritjen e tarifave për produktet kineze. Ministri amerikan i Financave, Steven Mnuchin, nuk beson se do të arrihet ndonjë ndryshim, por kërkon që të realizojë që kinezët, që kanë vendosur tarifa për mallrat amerikane, të kthehen përsëri në tryezën e bisedimeve,

Paralajmërime për dobësimin e ekonomisë botërore


Jo vetëm Kina, por edhe Meksika, Kanadaja, Vietnami, BE dhe vendi mikpritës Japonia po luftojnë me tarifa ndëshkuese dhe kërcënimet nga Shtëpia e Bardhë. Kjo çon, në “dobësim të besimit tek sipërmarrjet, në rënien e tregtisë botërore dhe investime të ngadalta në vendet në zhvillim”, tha David Malpass, presidenti i Bankës Botërore, javën e kaluar. Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) Christine Lagarde, paralajmëroi se tarifat e imponuara dhe kërcënimet mes SHBA dhe Kinës mund të çojnë në një tkurrje të ekonomisë globale me 0.3-0.5 për qind në vitin e ardhshëm.

Megjithëse edhe kompanitë amerikane e paralajmërojnë Donald Trumpin për të ndryshuar kursin, ai mbetet i vendosur. Ekonomia amerikane ende po ecën mirë dhe papunësia është jashtëzakonisht e ulët. Çmimet e tregut të aksioneve arrijnë nivele rekord. “Modeli ynë ka sukses, të tjerët duhet të bëjnë si ne”, tha një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë para takimit.

Konflikti tjetër duket tashmë i programuar. Rrugës për në Osaka presidenti i Shteteve të Bashkuara Trump u ankua për doganat shumë të larta, që India dëshiron të vendosë ndaj mallrave amerikane. “I papranueshëm” është veprimi i indianëve, shkroi Trump në twitter. Ai dëshiron të flasë për këtë në Japoni me kryeministrin e Indisë Narendra Modi.

Qasje pragmatike

Nikoqirët japonezë do të flasin edhe për iniciativën kineze “belt and road”, që synon të ndërtojë infrastrukturë në Afrikë, Azi dhe gjithnjë e më shumë edhe në shtetet evropiane me financim kinez dhe me firma kineze ndërtimi. Modeli i „rrugës së mëndafshit” kritikohet, sepse shtetet pjesëmarrëse hyjnë në borxhe dhe popullsia lokale zakonisht përfiton pak. Samiti do të angazhohet edhe për tatimin e bizneseve digjitale dhe rregullimin më të mirë të shkëmbimit të të dhënave.

Nuk priten protesta të mëdha                                                                       
 

Rreth 30 000 policë do ta mbrojnë pjesëmarrësit e samitit në jug të metropolit milionësh Osaka. Shkollat janë të mbyllura. Njerëzve në Osaka u është bërë thirrje të mos përdorin makinat. Baret dhe dyqanet përreth hoteleve të mëdha në qendër të qytetit nuk do të hapen. Demonstrata të mëdha si në Buenos Aires apo në Hamburg në vitin 2017 nuk priten në Japoni. Edhe pse Attac Japan dhe mbrojtës të klimës kishin bërë thirrje për protesta, pjesëmarrja është e ulët./DW/

Meta: Të rinis dialogu Kosovë-Serbi

Pas përfundimit të samitit Brdo-Brijunit në Tiranë, presidenti Meta ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të rinisin sërish dialogun të ndërmjetësuar nga BE, që do të kontribuojë në paqen dhe stabilitetin në rajon. Me një postim në Facebook, Meta shkruan se dialogu do të normalizojë marrëdhëniet e tensionuara mes dy vendeve.

“Shqipëria do të mbështesë përpjekjet e institucioneve të Kosovës për t’u riangazhuar në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Një proces konstruktiv ka potencialin të prodhojë marrëveshjen përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme, tërësore dhe të zbatueshme, që normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe kontribuon për paqen, stabilitetin e perspektivën europiane të rajonit.” – shkruan Meta

Çfarë u arrit në samitin Brdo-Brijunit

Samiti Brdo-Brijunit është mbyllur me një deklaratë të përbashkët të liderëve, që morën pjesë në punimet e tij.

Liderët kërkuan nga BE që të konsiderojë zgjerimin e tij në Ballkanin Perëndimor si një çështje me rëndësi gjeopolitike dhe përsëritën rëndësinë e rritjes së përpjekjeve për të zbatuar reformat kyçe, të lidhura edhe me përparimin e mëtejshëm të pjesëmarrësve nga rajoni, në proceset e tyre përkatëse të integrimit.

” Do të përpiqemi në mënyrë aktive që të vazhdojmë dialogun dhe rritjen e besimit brenda rajonit që ne përfaqësojmë. Të gjitha çështjet e hapura do të zgjidhen në mënyrë paqësore, nën frymën e respektit dhe të bashkëpunimit reciprok.” – thuhet në deklaratë

Deklarata e plotë e konkluzioneve:
Ne, udhëheqësit e Procesit të Brdo-Brijuni, u takuam në Tiranë më 9 maj 2019 në prani të miqve tanë, Presidentit të Republikës së Polonisë Andrzej Duda dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë si dhe Nënkryetaren e Komisionit Europian, Federica Mogherini.

Kemi njohur dhe pranuar se përparimi i shënuar deri më tani, ka kontribuar në konsolidimin e demokracisë, të paqes, sigurisë, stabilitetit, si dhe në rritjen e bashkëpunimit rajonal.

Ne e mirëpritëm Marrëveshjen e fundit të Prespës dhe arritëm në përfundimin se një shembull i tillë i hap rrugën forcimit të lidhjeve europiane dhe euroatlantike me rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pranuam se ky moment pozitiv ka ngjallur optimizëm të ri sinergjik në rajon, duke mbajtur parasysh perspektivat e tij europiane dhe euroatlantike, si objektiva kyçe strategjike.

Të vetëdijshëm për debatet e brendshme intensive që po zhvillohen në gjirin e Bashkimit Europian, në kontekstin e BREX-it dhe të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare europiane, ne mirëpresim përkushtimin e BE-së përkundrejt rajonit të Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe përmes proceseve të Berlinit dhe Brdo-Brijunit, si dhe përmes takimit të fundit të mbajtur në Berlin me nismën e Kancelares gjermane, Angela Merkel si dhe të Presidentit francez, Emmanuel Macron me krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të Kroacisë dhe të Sllovenisë.

E përgëzuam Poloninë që do të mikpresë Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit, duke konfirmuar se rajoni i Ballkanit Perëndimor mbetet përparësor në krye të axhendës së Bashkimit Europian.

Gjithashtu ne përgëzuam mbështetjen aktive të Kroacisë dhe Sllovenisë dhënë ndaj perspektivës europiane të pjesëmarrësve të Ballkanit Perëndimor dhe angazhimin e tyre për t’i dhënë përparësi rajonit gjatë Presidencave të tyre të ardhshme të radhës në krye të Këshillit të Bashkimit Europian, gjatë gjysmës së parë të vitit 2020 dhe në gjysmën e dytë të vitit 2021.

Përsëritëm rëndësinë e rritjes së përpjekjeve për të zbatuar reformat kyçe, të lidhura edhe me përparimin e mëtejshëm të pjesëmarrësve nga rajoni, në proceset e tyre përkatëse të integrimit, me një qasje të bazuar në meritat e vendeve përkatëse.

Ne mbështesim qëndrimin e Bashkimit Europian se një nga kushtet për anëtarësimin e një vendi aspirues është zgjidhja e çështjeve ende të hapura dypalëshe me fqinjët e vet. Do të përpiqemi në mënyrë aktive që të vazhdojmë dialogun dhe rritjen e besimit brenda rajonit që ne përfaqësojmë. Të gjitha çështjet e hapura do të zgjidhen në mënyrë paqësore, nën frymën e respektit dhe të bashkëpunimit reciprok.

Ne theksojmë rëndësinë pozitive të zgjerimit të Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor për forcimin e demokracisë, të sundimit të ligjit dhe respektimin, mbrojtjen dhe përmbushjen e të drejtave të njeriut në rajon si dhe zgjidhjen e çështjeve dypalëshe.

I bëjmë thirrje Bashkimit Europian të konsiderojë zgjerimin e tij në Ballkanin Perëndimor si një çështje me rëndësi gjeopolitike, duke pasur parasysh se integrimi i plotë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në sistemin europian të vlerave është një faktor i rëndësishëm edhe për vetë stabilitetin e përgjithshëm europian. Kjo nuk përjashton detyrimin e vendeve kandidate për të zbatuar standardet e vendosura nga Bashkimi Europian ndaj vendeve që kërkojnë anëtarësim të plotë në të. Ne besojmë se është reciprokisht e rëndësishme për paqen, sigurinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe të Shteteve Anëtare të Bashkimit Europian, që standardet të respektohen dhe procesi i negociatave të bëhet më fleksibël si dhe më i shpejtë.

Ne rikthesuam se shkëmbimi i ndërlidhjes brenda Ballkanit Perëndimor, si dhe midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, me instrumete në rritje në transport, energji dhe në infrastrukturën dixhitale, paraqet një interes strategjik për të gjithë si dhe një parakusht për rritjen ekonomike, konkurrencën dhe integrimin e plotë ekonomik brenda rajonit dhe me Bashkimin Europian gjithashtu.

Ramë dakord mbi nevojën për të forcuar edhe më tej proceset e dialogut dhe pajtimit në rajon, bazuar në të vërtetën, besimin si dhe aderimin në të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani, si dhe duke mbajtur parasysh ruajtjen e paqes, sigurisë dhe begatisë së brezave të tanishëm e të ardhshëm.

Ne biem dakord që Sllovenia do të jetë mikpritësja e ardhshme e Takimit të Jashtëzakonshëm të Udhëheqësve të Procesit Brdo-Brijuni, në fund të këtij viti.

Çfarë ndodhi mes Thaçit e Vuçiç në Samit? Ja çfarë thotë Meta

Presidenti, Ilir Meta është pyetur nga gazetarët në konferencën për shtyp të mbajtur pas samitit të Brdo Brijunit, se si ishte atmosfera mes Thaçit dhe Vuçiç dhe nëse ky samit i afroi ata sadopak ata për të nisur sërish dialogun Serbi-Kosovë.

Meta tha se atmosfera e këtij samiti ka qenë shumë pozitive dhe do të donte që dialogu mes Serbisë dhe Kosovës të kishte përfunduar me kohë.

“Nuk di të them nëse ky samit ka afruar më tepër dy liderët Kosovë-Serbi, por di që atmosfera ka qenë shumë pozitiv këtu. Do të donim që dialogu Kosovë –Serbi të kishte përfunduar dje. Jo sot dhe as nesër.  Samiti i Brdo Brijonit është një samit që ka një format të përcaktuar”, u shpreh presidenti Meta.

Meta në Samit: Të zgjidhen konfliktet e vjetra në Ballkan

Gjatë fjalës së tij në samitin e sotëm të Brdo-Brijunit që po zhvillohet në Tiranë, Presidenti Ilir Meta vuri theksin në domosdoshmërinë që Ballkani të zgjidhë konfliktet e vjetra dhe kokëforte dhe fjalën këtu e kishte për konfliktin Serbi-Kosovë.

Ai gjithashtu kërkoi që BE të miratojë sa më parë liberalizimin e vizave për Kosoën, si dhe të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

“Mosmarrëveshjet e vjetra, kokëforta e të paepura dypalëshe është e mundur të kapërcehen me zgjidhje që shohin drejt së ardhmes dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë kanë mundësi të përmirësohen edhe më tej në rajonin tonë, nëse kanalizohen drejt perspektivës së duhur europiane dhe euroatlantike”, tha Meta në samit.

Fjala e plotë e Presidentit Ilir Meta

Sot, në fjalën time dëshiroj të përqendrohem në tri çështje kryesore: Së pari, në procesin e integrimit të vendeve tona.

“Paqja botërore nuk mund të zgjasë nëse nuk bëhen përpjekje krijuese dhe proporcionale ndaj rreziqeve që e kërcënojnë atë… Europa nuk do të bëhet menjëherë, apo sipas një plani të vetëm. Ajo do të ndërtohet përmes arritjeve konkrete, që fillimisht krijojnë një solidaritet de facto”.

Ky ishte prologu i deklaratës së Shumanit, që frymëzoi bashkëpunimin e mirëfilltë dhe krejtësisht të ri politik, për të pamundësuar një luftë tjetër në Europë. Ky ishte vizioni largpamës që krijoi paqen, bashkimin dhe begatinë europiane.

Na duhet të pranojmë faktin se Bashkimi i sotëm Europian është rritur përtej përfytyrimit të Shumanit. Ai është zgjeruar, thelluar dhe forcuar me guxim, vendosmëri dhe palodhur.

Në këtë kontekst, dua të theksoj dy mesazhe kyçe:

Së pari, Vendet tona kanë ende shumë për të mësuar nga themeluesit dhe filozofia e këtij projekti historik, mbi çfarë mund të konsiderohen ide pionere, nxitëse të një epoke të re të bashkëjetesës në rajonin tonë.

Së dyti, padurimi i vendeve tona për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian është tregues i qartë se ngrehina politike, ekonomike dhe shoqërore europiane mbetet po aq strategjike për ne, sa ç’ka qenë edhe më parë.

Në këtë kuadër, shpresoj që vendi im dhe Republika e Maqedonisë së Veriut të çelin sa më parë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian dhe që Kosova të përfitojë liberalizimin e vizave pa vonesa të mëtejshme.

Çështja e dytë: bashkëpunimi rajonal.

Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj të pazëvendësueshëm si faktor paqeje, stabiliteti dhe sigurie në rajon. Ne do të vazhdojmë të përmbushim përgjegjësitë tona të shtuara si anëtarë të NATO-s për një fqinjësi paqësore dhe të sigurt, përfshirë vendosmërinë për të qëndruar përkrah aleatëve strategjikë në luftën globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Mosmarrëveshjet e vjetra, kokëforta e të paepura dypalëshe është e mundur të kapërcehen me zgjidhje që shohin drejt së ardhmes dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë kanë mundësi të përmirësohen edhe më tej në rajonin tonë, nëse kanalizohen drejt perspektivës së duhur europiane dhe euroatlantike. Në këtë drejtim, pesha dhe rëndësia e Marrëveshjes së Prespës është e jashtëzakonshme, dhe si e tillë meriton të çmohet si një arritje e madhe.

Ftesa e NATO-s për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut ishte vendimi i duhur, në kohën e duhur. NATO-ja duhet të jetë krenare që në 70-të vjetorin e saj zgjerohet me anëtarin e 30-të, duke shtrirë edhe më tej perimetrin e paqes dhe sigurisë.

Duhet të pranojmë gjithashtu se Bashkimi Europian dhe vendet e tij anëtare e kanë vendosur rajonin tonë në rend të ditës, duke ndjekur politika plotësuese me ato të zgjerimit.

Procesi i Berlinit, që synon ndërlidhjen dhe pajtimin rajonal do të vazhdojë, dhe gjatë këtij viti do të organizohet në Poloni. E vlerësoj tej mase faktin që Samiti i Poznanit do t’i japë vëmendjen e merituar çështjeve të arsimit dhe rinisë, duke synuar mënjanimin e pengesave frustruese rajonale.

Është po aq domethënës fakti që Gjermania dhe Franca, themeluese të Bashkimit Europian, i kushtuan vëmendje të veçantë rajonit tonë në mes të fushatës politike për zgjedhjet europiane. Urojmë që Samiti i Parisit t’i japë një dinamikë të re e konstruktive këtij procesi.

Shqipëria do të mbështesë përpjekjet e institucioneve të Kosovës për t’u riangazhuar në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Një proces konstruktiv ka potencialin të prodhojë marrëveshjen përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme, tërësore dhe të zbatueshme, që normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe kontribuon për paqen, stabilitetin e perspektivën europiane të rajonit

Ngjashëm me shembullin e Marrëveshjes së Prespës, mbeten jetike dhe të domosdoshme si bashkëpunimi i përgjegjshëm dhe serioz ndërmjet dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, ashtu edhe një koordinim më i mirë ndërmjet BE-së dhe ShBA-ve mbi perspektivën e dialogut dhe të rajonit.

Si çështje të fundit, dua të nënvizoj se si vende në proces anëtarësimi në Bashkimin Europian, jemi zotuar për të respektuar parimet dhe vlerat e demokracisë liberale.

Përqendrimi tek mirëqeverisja dhe sundimi i ligjit, ndërtimi i institucioneve funksionale demokratike, ekonomia e tregut, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe lirive politike të popujve tanë, janë shtyllat kryesore të reformave të qëndrueshme.

Të gjithë kemi një rol vendimtar për ndërtimin e kësaj të ardhmeje për qytetarët tanë, duke gëzuar mbështetjen e miqve europianë, përfshirë edhe premtimin për të shpërblyer arritjet e rezultateve të besueshme dhe konkrete.

Samiti i Berlinit, çfarë do të ndodh me bisedimet Kosovë-Serbi?

Takimi i Berlinit i organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, me udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kroacinë e Slloveninë, shënon edhe rastin e parë të takimit të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, që nga nëntori i vitit të kaluar.

Bisedimet ndërmjet tyre u pezulluan për shkak të reagimit të Serbisë ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Që atëherë Serbia ka ngulur këmbë se nuk do të vazhdojë bisedimet pa u hequr tarifat, ndërsa trysnia ndërkombëtare dështoi të bindë qeverinë e Kosovës për pezullimin e tyre.

Organizatorët janë treguar të kursyer në paralajmërimet se çfarë mund të pritet nga takimi i së hënës, duke nënvizuar se do të diskutohet për “qëndrueshmërinë e rajonit, me përqendrim të posaçëm në gjetjen e rrugës për të rifilluar bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Por, që nga paralajmërimi i takimit, janë ngritur shumë pikëpyetje se çfarë mund të sjellë ai në procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Në qendër të të gjitha diskutimeve e analizave ishte ideja që ky takim do t’u japë fund ideve për ndryshime kufijsh, që ishin hedhur që në verën e vitit të kaluar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Më e zëshmja kundër ideve të tilla ishte Gjermania e cila i ka parë për të madhe dhe shefes së politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, faktin që lejoi të diskutohen ide të tilla në bisedimet e ndërmjetësuara prej saj.

Zonja Mogherini po qëndron në Berlin për të marrë pjesë në takim, por duke zëvendësuar presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i cili ishte ftuar fillimisht nga organizatorët e takimit.

Mediat spekuluan gjatë javëve të fundit se Berlini do të mund të propozojë një “status të posaçëm” për veriun e Kosovës, mbështetur në marrëveshjen e pazbatuar për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, madje pati edhe ide për një sovranitet të dyfishtë në veriun e Kosovës.

Para së të nisej për në Berlin, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se nuk pret që “aty të ndodhë dialog mes Kosovës e Serbisë, apo negociata, por vazhdoj të ritheksoj fuqishëm pozicionin tim se do ishte me interes mbështetja e së drejtës së shqiptarëve të Luginës (së Preshevës) për bashkim me Kosovën. Por, gjithmonë do të jem kundër shkëmbimit të territoreve. Është pazar e këtë s’e lejojmë, por s’do të lejojmë në asnjë rrethanë, as edhe një lloj sovraniteti të dyfishtë, as model gjermano-gjerman, sepse është i kaluar e as Republikë Serbe, e as asociacion”, tha ai.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha para takimit se në Berlin Serbia është e vetmuar meqë “të gjithë do të thonë se Kosova është e pavarur” dhe nuk mund të kërkojë asgjë më shumë.

“Prandaj kam folur për vënien e kufirit (ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve), që të fitojmë ndonjë gjë… Tash e di që nuk mund të luftojmë për atë ide”, u tha ai medieve serbe.

Nisma e kancelares Merkel dhe presidentit Macron në radhë të parë duket një përpjekje për të tejkaluar bllokadën e krijuar në bisedime, por edhe një kritikë e rreptë ndaj Brukselit, që dështoi jo vetëm të gjejë një zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por, madje edhe për t’i bindur palët që të kthehen në tryezën e bisedimeve.

Një pjesë e analistëve perëndimorë besojnë se takimi do të varrosë idetë e ndryshimit të kufijve, madje bëjnë thirrje që kjo të ndodhë. Nisma Evropiane për Stabilitet në një analizë para takimit të së hënës tha se “Bashkimi Evropian duhet të mbyllë menjëherë ‘kutinë e Pandorës” me bisedimet e mëtejme për rivizatim kufijsh ne Ballkan”.

Nuk ka pasur ndonjë reagim më të vëmendshëm nga pala amerikane rreth takimit të së hënës, por ish zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit Hoyt Yee, tha gjatë një debati në Washington se takimi i Berlinit nuk është vendimtar por është një mundësi e mirë për bisedimet.

Ai tërhoqi vërejtjen se duhet një strategji më e mirë dhe më e efektshme për Ballkanin Perëndimor, i cili “nuk është atje ku duhet të jetë”. /Marrë nga VOA

Samiti i Berlinit dhe trashëgimia e Merkelit në Ballkan

Konferenca e Ballkanit që zhvillohet të hënën në Berlin ka tërhequr fort vëmendjen e shtypit gjerman. Mjaft gazeta i kushtojnë vëmendje sidomos çështjes së Kosovës – toni sundues – jo ndryshim kufijsh në Ballkan.

Një artikull i përbashkët i tre politikanëve gjermanë, Peter Beyer (CDU), Josip Juratovic( SPD), dhe Manuel Sarrazin (Të Gjelbrit) me titull “Jo ndryshime kufijsh në Ballkan botohet të hënën nga gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung. Aty deputetët e Bundestagut theksojnë se të dy presidentët, ai i Kosovës, Thaçi dhe presidenti serb, Vuçiq kanë propozuar këmbimin e territoreve përgjatë vijës etnike për të zgjidhur konfliktin mes të dy vendeve. “Ne e refuzojmë këtë propozim, sepse zonat e përcaktuara etnikisht janë vizion i rrezikshëm nacionalistësh që mendojnë në kategori racore, e që e kanë çuar njëherë rajonin në luftën më të përgjakshme të historisë europiane të pasluftës. Propozimi është antikushtetues dhe vendos pikëpyetje mbi multietnicitetin e Kosovës. Kushtetuta e Kosovës e përcakton qartë mosndarjen e vendit.”

Më tej  tre politikanët gjermane theksojnë, se ky propozim do të ishte kapitullim para vlerave europiane. “Prandaj ky propozim duhet të hidhet poshtë qartësisht.”…”Ne kemi mësuar, se paqja e vërtetë është  e mundur, vetëm me ato shoqëri, që e gjejnë forcën tek pluralizmi, toleranca, mosdiskriminimi dhe të drejtat e veçanta për pakicat. Për çështje etnike nuk mund të ketë zgjidhje territoriale. Ky parim mbetet për ne i patundur.”

Ndërsa gazeta tjetër gjermane, Süddeutsche Zeitung nën titullin “Eksperimente shpërthyese” shkruan se në debatin për një zgjidhje të konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë u fut në axhendën e ditës edhe ndryshimi i kufijve, e sipas kësaj qetësia do të vendosej, nëse veriu i Kosovës i banuar me serbë do të bashkohej me Serbinë dhe zonat e banuara me shqiptarë do të shkonin si këmbim tek Kosova. “Por këtu duhet të bien këmbanat e alarmit.” Autori vlerëson qëndrimin e qartë të kancelares Merkel në këtë çështje. “Është merita e Angela Merkelit që gati e vetmja ishte që që nga fillimi doli kundër kësaj. Sepse kush vë në pyetje kufijtë, ndez sërish fitilin në fuçinë e barutit Ballkan. Ai rrezikon, madje provokon shpërthimin e konflikteve të reja në shtetin e tre etnive, Bosnje-Hercegovinë, deri në Maqedoninë e Veriut me pakicën e fortë shqiptare. Në mënyrë të panevojshme konfirmohen në fund me konceptin e ndryshimit të kufijve ata nacionalistë, të cilët në luftërat e viteve 90-të, megjithë brutalitetin nuk mundën të arrinin qëllimin e tyre të shteteve homogjene etnike.”

Edeh gazeta Die Welt i kushton vëmendje konferencës së Ballkanit. Nën titullin “Merkel mbron trashëgiminë e saj në Ballkan”, theksohet se kancelarja synon të pengojë ripërcaktimin e kufijve në rajon. “Shqetësimi për një nga rajonet më të pastabilizuara të Europës është konstante e politikës së jashtme të Merkelit….Që nga fillimi Merkel ndoqi një politikë konsekuente në Ballkan….Berlini e kuptoi vonë, se Vuçiq me një fushatë të zgjuar ia doli të bënte për vete për idenë e këmbimit të territoreve të ngarkuarën e BE për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, një liberale e majtë. Italianja dëshiron që ta kurorëzojë me një projekt të madh mandatin e saj që po shkon drejt fundit, e që mund të interpretohet si hap drejt pajtimit në rajon. Por në zyrën e kancelares i tremben të kundërtës: Një ndarje e plotë mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë nuk mund të arrihet. Çdo ndryshim kufijsh do të çonte në një debat të ri për ndryshime të tjera, në akte kërcënuese, armatim, në rastin më të keq edhe në luftë. Merkel punon me durim për të kundërtën…Por a është Merkel aq e fortë, që t’i japë fund debatit për kufij të rinj? Përgjigjen për këtë do ta japë takimi të hënën.”

Frankfurter Allgemeine Zeitung i kushton po të hënë një analizë me titull “Trump, Kosova dhe loja me median” zhvillimeve në Ballkan para Konferencës së Berlinit.

“Para disa javësh presidenti serb Aleksandar Vuçiq mori një letër nga Uashingtoni. Donald Trump uronte për festën kombëtare dhe shtonte, se sipas qëndrimit amerikan, njohja e dyanshme duhet të jetë baza e çdo procesi normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë. Ky është një korrigjim i habitshëm i pozicionit amerikan, sepse në vitin 2018, këshilltari i Trumpit për sigurinë, John Bolton kishte thënë, se nëse Serbia dhe ish-provinca  e saj e pavarësuar ndërkohë do të binin në ujdi për zgjidhjen e konfliktit, Uashingtoni nuk do t’i pengonte….Por a mendon kështu edhe presidenti serb? ‘Ky është qëndrimi i tij e ai nuk mund të pranohet prej nesh kaq thjesht. Por ne e kemi regjistruar interesin e tij, ta zgjidhim  këtë temë kaq të vështirë për ne’, komentoi Vuçiq deklaratën e Trumpit.”/Marrë nga Deutsche Welle

Skip to toolbar