Euroskeptikët rriten, por më shumë liberalët

Dy familjet më të mëdha të partive të Bashkimit Europian, Partia Popullore Evropiane (PPE) e qendrës së djathtë dhe partia e qendrës së majtë e udhëhequr nga Social Demokratët (S&D), kanë dalë humbëse në zgjedhjet Parlamentare të Bashkimit Evropian të mbajtura katër ditët e fundit. Të dyja grupimet kryesore kanë humbur për herë të parë në 40 vjet shumicën e debutetëve, çka vështirëson shumë krijimin e një koalicioni me shumicë në Parlamentin e ri Evropian.

Rreth 427 milionë votues nga 28 shtete anëtare të BE ushtruan të drejtën e votës në zgjedhjet për Parlamentin e BE, të mbajtura mes 23 dhe 26 majit. Nevojitet një numër prej 376 deputetësh për të krijuar shumicën në Parlamentin Evropian që ka në total 751 vende, duke përfshirë edhe vendet e Mbretërisë së Bashkuar, e cila ka zgjedhur deputetët e saj edhe një herë pasi BE pranoi zgjatjen e Brexi-t, me afat të fundit datën 31 tetor 2019.

Partia Popullore Evropiane pritet të ketë në Parlamentin e ri Evropian 179 vende, nga 221 që kishte në Parlamentin e periudhës 2014-2019. Partia e qendrës së majtë të socialistëve evropianë pritet të ketë rreth 150 vende, nga 191 që kishte më parë. Aleanca Qendrore e Liberalëve dhe Demokratëve për Europën, ka dalë grupi i tretë më i madh, me 107 deputetë, nga 67 vende në Parlamentin 2014-2019.

Aleanca e Lirë ka bërë gjithashtu progres, duke marrë 70 vende, nga 50 që kishin në parlamentin e mëparshëm. 58 vende do të kenë konservatorët dhe reformatorët evropianë. Një grupim i ri i sapoformuar i Evropës së Kombeve dhe Lirive ka marrë gjithashtu 58 vende në Parlamentin e ri Evropian. 56 vende do të ketë grupimi Evropian i Lirive dhe Demokracisë së Drejtëpërdrejtë, nga 48 vende që kishte më parë.

Tashmë fati i tyre varet edhe nga pozicionimi që do të ketë partia Fidesz e hungarezit Viktor Orban. Fidesz është zyrtarisht pjesë e grupit të PPE, po prej disa kohësh anëtarësia e saj është e ngrirë, për shkak të vendimmarrjeve të qeverisë Orban, të quajtura ksenofobe dhe autoritare. Kështu potencialisht Orban mund të poziciononte europarlamentarët e tij me grupin ekstrem nacionalist, duke ndryshuar shumë balancën brenda Parlamentit Europian.

Grupimi Konfederal i të Majtës së Bashkuar dhe Mjedisi i Gjelbër i Veriut ka marrë 38 deputetë në këto zgjedhje, ndërsa 35 deputetë janë kategorizuar si grupimi “Të tjerë”. Zgjedhjet e 2019 në BE patën një pjesëmarrje prej 51%, me një rritje të konsiderueshme krahasuar me 42.6% në 2014.

Skip to toolbar