Radio Televizioni i Kosovës ka raportuar të premten se xhandarmëria serbe është futur rreth 8 km brenda territorit të Kosovës.
Ngjarja mësohet të ketë ndodhur në datën 31 maj, kur një ekip prej 4 pjesëtarësh të forcave kufitare të xhandarmërisë serbe janë futur në fshatrat e thella të malësisë së Kamenicës.
Po sipas RTK-së, ngjarja ka ndodhur në fshatin Svircë e Kamenicës.
“Xhandarët serbë kanë lëvizur nëpër territorin e Kosovës më shumë se tetë kilometra, derisa kjo rrugë gjendet rreth dy kilometra vijë ajrore brenda territorit të Kosovës.
Gjatë lëvizjes së tyre nëpër territorin e Kosovës, nuk ka pasur ndonjë ekces ose ndonjë ndalesë të qytetarëve të cilët posedojnë ferma në atë rajon ose merren me prerje të pyjeve, por banorët janë shqetësuar nga veprimi i xhandarmërisë serbe.
Ky është një provokim i radhës i shtetit serb ndaj shtetit të Kosovës, pasi që kjo nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë”, shkruan media publike RTK.