Kupa/ Shënkolli shtang Tiranën, fitojnë pretendentët

Janë luajtur të mrëkurën pasdite ndeshjet e turit të parë kualifikues të Kupës së Shqipërisë. Në grupin A, ka pasur surpriza me disa ekipe të Superligës. Tirana ka barazuar 0-0 me Shënkollin, duke befasuar jo pak tifozët, të cilët prisnin më shumë nga ky takim.

Ndërkohë, Teuta ka mundur 2-0 Tërbunin, ndërsa Partizani ka fituar në transfertë ndaj Vorës me rezultatin 3-0. Surpriza më e madhe e Grupit A ka qenë Flamurtari, që pas katër dështimesh në kampionat me 4 humbje, është mundur dhe në ndeshjen e Kupës nga Veleçiku me rezultatin 3-2.

Ndërkohë, në takimet e tjera të këtij grupi, Dinamo është mundur nga Erzeni, me ekipin shijakas që shënoi tre herë në portën e Bluve të kryeqytetit. Ndërkohë, Korabi ka mundur Besëlidhjen me rezultatin 2-1, ndërsa Iliria po 2-1 ka fituar derbin ndaj Kastriotit. Ndërkohë, ndryshe nga Grupi A, në grupin tjetër nuk ka pasur surpriza të mëdha. Vetëm barazimi 0-0 i Laçit me Elbasanin ka prishur rezultatet pozitive të ekipeve të tjera të Superligës.

Kukësi ka fituar 3-1 ndaj Shkumbinit, ndërsa Skënderbeu ka fituar derbin e juglindjes me Devollin me rezultatin 4-1, ndërsa Luftëtari ka mundur Turbinën me rezultatin 1-0. Bylis është pothuajse i kualifikuar për turin tjetër, pasi ka fituar 4-0 në transfertë ndaj Pogradecit, ndërsa në takimet e tjera, Lushnja ka fituar 2-1 ndaj Orikut.

Ndërkohë, Apolonia ka fituar në tavolinë 3-0 ndaj Kamzës, pasi ekipi mik nuk është paraqitur në këtë takim. Në fakt, Kamza është pa ekip pas dënimit që mori nga Federata Shqiptare e Futbollit për dhunën ndaj arbitrit në një ndeshje të sezonit të kaluar.

Skip to toolbar