Senati nis gjyqin për procesin e shkarkimit të Trump

Gjyqi për shkarkimin e mundshëm të Presidentit amerikan, Donald Trump filloi të enjten me një sërë procedurash ceremoniale që përgatisin terrenin për argumentet hapëse në fillim të javës së ardhshme. Është vetëm hera e tretë në historinë amerikane që senatorët do të gjykojnë një president amerikan dhe do të përcaktojnë nëse duhet të shkarkohet apo jo nga detyra. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson gjyqi mbahet ndërsa demokratët argumentojnë se prova të reja vërtetojnë se presidenti është fajtor për vendosjen e kushteve për ndihmën ndaj Ukrainës, në këmbim të interesave të tij politike.

Senatorët amerikanë bënë betimin dhe nënshkruan se do të gjykojnë në mënyrë të paanshme Presidentin Trump.

Ata do të dëgjojnë kryetarin e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin, Adam Schiff – dhe gjashtë ligjvënësit e tjerë në rolin e prokurorëve – që do të paraqesin argumentet se pse sipas tyre, presidenti Trump duhet të shkarkohet.

“Asnjë president në historinë e Republikës nuk ka urdhëruar një sfidë të plotë ndaj një hetimi për shkarkim. Ky abuzim me postin shërbeu për të mbuluar shkeljet e vetë presidentit”, tha zoti Schiff.

Procesi për akuzat e shkarkimit në Dhomën e Përfaqësuesve me shumicë demokrate, ishte një betejë e ashpër politike.

Udhëheqësi republikan, Mitch McConnell tha se në Senat do të ishte ndryshe.

“Kjo dhomë e Kongresit ekziston që të shikojmë përtej dramave të ditës dhe të kuptojmë se si veprimet tona do të ndikojnë tek brezat e ardhshëm”, tha ai.

Por demokratët thonë se procesi nuk mund të jetë i drejtë nëse senatorët nuk lejohen të dëgjojnë nga dëshmitarët dhe të shohin dokumentet që ata thonë se provojnë që Presidenti bllokoi ndihmën për Ukrainën në këmbim të hetimeve nga të cilat do të përfitonte fushata për rizgjedhjen e tij.

“Secilit nga ne do t’i duhet të vendosë nëse do ta fillojmë gjyqin me synimin për të zbuluar të vërtetën apo në shërbim të dëshirës së presidentit për të fshehur të vërtetën”, tha senatori demokrat Chuck Schumer.

Gjyqi filloi ndërkohë që një agjenci e pavarur qeveritare, njoftoi se administrata e Presidentit Trump kishte shkelur ligjin kur bllokoi ndihmën për Ukrainën.

Aleatët e Presidentit Trump në Senat thonë se nuk ka asgjë që justifikon shkarkimin.

“Departamenti i Mbrojtjes më tha që në fillim se ishin të shqetësuar për qeverinë e re në Ukrainë. Po të shohësh të dhënat, sasia e parave për Ukrainën ishte e njëjtë si përpara”, tha senatori republikan, Lindsey Graham.

Por Lev Parnas – një bashkëpunëtor i avokatit personal të Presidentit Trump, Rudy Giuliani – mund të bëhet dëshmitar në proces pasi tha se zoti Trump e dinte saktësisht se çfarë po bëhej me Ukrainën. Zoti Trump e mohon një gjë të tillë.

“Nuk mbaj mend të kem biseduar ndonjëherë me të”, tha ai.

Demokratët besojnë se këto informacione të reja do të rrisin presionin për të pranuar dëshmitarë.

“Opinioni publik është rritur në favor të dëshmitarëve dhe dokumenteve. Dhe republikanët duhet përballen me publikun për këtë çështje”, tha Nancy Pelosi, Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve.

Gjyqi pritet të fillojë plotësisht të martën kur senatorët të kthehen nga një fundjavë e gjatë feste./ VOA

Shkarkimi i Trump, 4 dëshmi që “fundosin” presidentin

4 zyrtarë e ish-zyrtarë të administratës Trump dëshmuan gjatë tre seancave publike, ku të gjithë shprehën zhgënjimin dhe mosmiratimin lidhur me telefonatën që presidenti amerikan zhvilloi me homologun ukrainas, Volodimir Zelenski, ku i kërkoi atij të hetonte rivalin Jo Bideon.

“Unë po shpresoja për një deklaratë mbështetëse lidhur me reformat e Zelenskit”, tha Jennifer Williams, këshilltare e zëvendës presidentit Mike Pence.

“Telefonata e 25 korrikut mu duk e pazakontë, pasi përfshinte diskutime mbi çështje të politikës së brendshme”, tha Tim Morrison, ekspert kombëtar për Rusinë.

“Tani e kuptoj se të tjerët e shihnin idenë e hetimeve të mundshme për korrupsion ndaj kompanisë ukrainase Burisma, si ekuivalente të hetimeve ndaj ish zëvendës presidentit Biden”, u shpreh Kurt Volker, ish i dërguar i posaçëm ne Ukrainë.

“Është e papërshtatshme për një presidenti të kërkojë hetime ndaj një rivali politik”, tha Alexander Vindman, ekspert i sigurisë kombëtare për Ukrainën.

Koloneli Alexander Vindman, ekspert i Këshillit të Sigurisë Kombëtare ishte më i zëshmi. Ai kujtoi gjithashtu një takim në Shtëpinë e Bardhë me zyrtarët ukrainas, ku ambasadori i SHBA në BE bëri të qarta synimet e hetimit.

Republikanët nuk i kundërshtuan faktet por vunë në dyshim aftësitë e kolonelit Vindman. CNN ka mësuar se Vindman ka pyetur ushtrinë amerikane lidhur me sigurinë e familjes së tij, pasi është ndjerë i sulmuar nga Trump dhe aleatët.

Shkarkimi i Trump, Kongresi nis seancat publike me dëshmitë

Presidenti amerikan Donald Trump po përballet me një proces shkarkimi, rezultati i të cilës mund të përfundojë edhe me largimin e tij nga detyra. Gjithçka nisi me zbardhjen e një letre ku thuhej se Trump mund të ketë kërkuar ndihmë në mënyrë të paligjshme nga presidenti i Ukrainës për të rritur shanset e tij për rizgjedhje në vitin 2020.

Seancat e para dëgjimore publike filluan të mërkurën në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit që kontrollohet nga demokratët, me dëshmitë e dy figurave qendrore në procesin hetimor ndaj Trump, zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën, George Kent dhe Ambasadori amerikan në Ukrainë, William Taylor. Seanca me dyer të hapura ishte kërkuar nga vetë republikanët për të nxjerrë zbuluar një proces, që siç e cilëson edhe vetë presidenti Trump është “gjueti shtrigash me motive politike”.

Kent dhe Taylor, të cilët dëshmojnë për herë të dytë, shprehën shqetësim lidhur me presionin ndaj Ukrainës duke pezulluar ndihmat dhe për praktikat e ndjekura në kontaktet me udhëheqjen ukrainase, që anashkalonte linjat zyrtare të komunikimit. Zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit, George Kent tha se “Bazuar në parimet e përgjithshme, nuk besoj që Shtetet e Bashkuara duhet t’u kërkojnë vendeve të tjera të angazhohen në hetime apo ndjekje penale të përzgjedhura dhe me ngjyrim politik, kundër kundërshtarëve të atyre që janë në pushtet, pasi akte të tilla të specifikuar minojnë shtetin ligjor, pavarësisht se me cilin vend bëhet kjo tentative”.

Në të njëjtën linjë qëndroi edhe ambasadori amerikan në Ukrainë, William Taylor në dëshminë e tij para dhomës së ulët të Kongresit duke kritikuar presionin që i ishte bërë udhëheqjes së Ukrainës nga kanale jo-zyrtare komunikimesh, që anashkalonin institucionet e rregullta. “Po ballafaqohesha me një linjë jo-zyrtare, të parregullt komunikimesh lidhur me Ukrainën, që nuk jepte llogari para Kongresit, një linjë që nuk respektonte praktikat e komunikimit përmes Departamentit të Shtetit”.

Vetë Presidenti Trump reagoi ndaj seancave publike me dëshmitë e dy diplomatëve se e gjithë kjo bëhet që demokratët “ta ndalojnë sepse ai lufton për amerikanët, por s’do e pengojnë kurrë“.

KQZ shkarkon Kajmakun

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi heqjen e mandatit të Agim Kajmakut si kryetar Bashkie i Vorës, me 5 vota pro. Shkarkimi i Kajmakut u bë pas gënjimit që ai bëri në plotësimin e formularit të dekriminalizimit,  ku fshehu një arrestim në Greqi nën identitetin Jorgo Toto. Kajmaku ka 45 ditë kohë për të ankimuar vendimin unanim të KQZ-së.

Prokuroria e Përgjithshme faktoi përmes letërporosisë së mbërritur nga Athina se Jorgo Toto dhe Agim Kajmaku ishin i njëjti person dhe për këtë i kërkoi KQZ-së t’i hiqte mandatin.  Sipas këtij dokumenti, Agim Kajmaku edhe me identitetin Jorgo Toto ka qenë i ndjekur penalisht në Greqi për akuzën e vënies në qarkullim të parave të falsifikuara.

Kjo kërkesë që është bërë edhe nga Partia Demokratike, e cila bëri denoncimin se Kajmaku ka qenë i dënuar më parë dhe se këtë nuk e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit kur kandidoi për kryetar bashkie Vorë.

Në lidhje me rastin është pyetur edhe kryeministri Rama jashtë selisë së PS-së, i cili tha vetëm se “Institucionet janë institucione” pa komente të tjera.

“Fitova 10 mijë dollarë në lloto”, shkarkohet prokurori Artur Selmani

Prokurori pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Artur Selmani është shkarkuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit duke e nxjerrë përfundimisht nga sistemi i drejtësisë. Më herët Selami ishte shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi nuk justifikoi pasurinë. Prokurori pretendonte se kishte fituar 10 mijë dollarë në loto 10 vite më parë, por kjo ishte pjesë e të shkuarës së tij. Por për KPK dhe KPA kjo është cenim i integritetit të tij dhe për këtë u vendos shkarkimi.

Vendimi është marrë nga trupi gjykues i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Natasha Mulaj relatore dhe anëtarë Ardian Hajdari, Luan Daci, Rezarta Schuetz.

Prokurori Selmanaj tha se në atë kohë ai nuk ndalohej me ligj për llotot sportive por sërish kërkoi falje duke shtuat se gjatë 30 viteve në detyrë ai i ka dhënë drejtësisë.

Metës i “flet Frojdi” para “Venecias”: Evitova një “21 janar” të dytë

Vetëm tre ditë para vendimit të Komisionit të Venecias për shkeljen e Kushtetutës nga Presidenti Meta, kreu i shtetit ka nisur një fushatë justifikimi mbi arsyet e marrjes së vendimit të anulimit të 30 qershorit. Gjatë një takimi me pedagogë dhe studentë në Universitetin Europian të Tiranës, Meta është rikthyer tek vendimi i tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, sipas së cilit nuk është një akt normal, por tha se e mori një vendim të tillë për të parandaluar një përplasje të mundshme civile që mund të përshkallëzohej dhe të përsëritej një 21 janar të dytë. (Ai në fakt shkaktoi të parin ne 2011, pas videoskandalit me Dritan Priftin). Që prej atij viti Meta, cdo 21 janar ka qënë jashtë shtetit, por të martën pasdite gjatë një bashkëbisedimi ne UET, i është kthyer kësaj date tragjike, në mënyrë “heroike” frojdiane.

“Nuk do ndaloj Komisionin e Venecias që të çmendet, jam i gatshëm t’i nënshtrohem çdo kontrolli mjekësor nëse mendoni se përdor doping. Unë jam shumë i qartë, Kushtetuta e Shqipërisë të drejtën ia jep Presidentit dhe askujt tjetër. Anulimi i zgjedhjeve nuk është një akt normal, se u konsultua presidenti me Partitë, por nga nëntori deri në 10 qershor, ju e dini që nuk ka qenë një situatë normale. E zhdekretova 30 qershorin për të parandaluar një përplasje të mundshme, që mund të përshkallëzohej më tej. Sepse në Shqipëri janë vrarë, duke filluar 2 prill i 1991 deri në 21 janar. Konfrontimi u evitua”, u justifikua Meta për vendimin për anulimin e 30 qershorit.

Madje, ai vazhdoi ligjeratën, duke i dhënë të drejtë vetes se evitimi i kësaj përplasje, pra respektivisht anulimi i 30 qershorit i jep shpresë sot shqiptarëve për hapjen e negociatave, ndërkohë që i gjithë faktori ndërkombëtar ka dënuar pikërisht krizën e shkaktuar, si faktor që mund të dëmtojë Shqipërinë në vendimin e pas 10 ditëve. “Nuk do të kishte sot një vendim apo një shpresë se mund të merret një autorizim ose një vendim për çeljen e negociatave. U detyrova që të zhdekretoja”, tha Meta.

Kreu i shtetit përsëriti sërish para studentëve dhe pedagogëve qëndrimin e tij se “zgjedhjet kanë qenë antikushtetuese, të paligjshme se asnjë gjykatë nuk ke ka rrëzuar dekretin e presidentit”. Por, në të vërtetë ai nuk përmendi faktin se dekreti i tij për anulimin e 30 qershorit është rrëzuar nga Kolegji Zgjedhor, i cili njohu procesin e nisur në atë kohë nga KQZ, por që tashmë pritet t’i vendosë vulën edhe Komisioni i Venecias, i cili në fakt, në raportin e publikuar para pak ditësh e ka rrëzuar dekretin e Metës, duke njohur edhe zgjedhjet e 30 qershorit. Para se të dilte ky raport, Presidenti kishte deklaruar se do të jepte dorëheqjen nëse raporti i Venecias ishte kundër tij, por që pas daljes së raportit, ai ndryshoi qëndrim. “Gjykata Kushtetuese mund të caktojë nëse kam bërë shkelje ose jo”, deklaroi Meta para studentëve duke mos dashur të largohet nga Presidenca, pavarësisht se mazhoranca ka nisur procedurën për shkarkimin e tij, ndërsa komisioni hetimor pritet të dalë në konkluzione deri në fund të nëntorit. Por vendimtar për Komisionin Hetimor do të jetë edhe opinioni i Komisionit të Venecias, i cili pritet të publikohet zyrtarisht më 11 tetor.

Trump “kopjon” Metën. Hetimin për shkarkim e quan Grusht Shteti

Nisja e hetimeve për të shkarkuar presidentin Donald Trump nga Dhoma e Përfaqësueseve ku kryesojnë demokratët është cilësuar si grusht shteti nga vetë Trump. Përmes një Twitteri, Trump shkruan se ky hetim në fakt është një grusht shteti për t’i hequr fuqinë dhe të drejtat e popullit që garantohen me Kushtetutë.

Çdo ditë e më shumë po arrij në përfundimin se ajo që po ndodh nuk është një hetim për shkarkim. Ky është një grusht shteti i planifikuar për t’ia hequr fuqinë e popullit, të drejtën e tij për të votuar, lirinë e tij, amendametin e dytë të kushtetutës, fenë, ushtrinë, murin në kufi dhe të drejtat që ia ka dhënë zoti si qytetarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shkruante Trump

Dhoma e Përfaqësuesve ka nisur një hetim nëse mund të ngrenë zyrtarisht akuza për shkarkimin e Trump në lidhje me ndërhyrjet e jashtme në zgjedhjet e 2020. Ndërhyrjet nga jashtë janë të dënueshme me ligj, ndërsa sipas një informatori, thuhet se Trump i ka kërkuar presidenti të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy të hetojë kandidatin demokrat Joe Biden. Kjo bëri që demokratët të kërkojnë zbardhjen e transkripteve, ndërsa Trump u vetëmbrojt duke thënë se “nuk ka bërë asgjë të keqe gjatë diskutimet që ka patur me zotin Zelenskiy”.

Akuza e Trump eshte fjalë per fjale si ajo e presidentit Meta pak javë më parë në Tiranë. Pasi publikoi në rrjetet sociale pjesen e fjalimit të Trump ne OKB, kur ai thoshte se “e ardhmja i perkiste politikanëve patriotë, dhe ndersa te dy sulmojne fondacionin Soros, Ilir Meta tani pas ketij “kopjimi” të presidentit amerikan, mund të qetësohet: te pakten e keqja s’po i vjen nga Shtëpia e Bardhë (po nga ndoshta nga diku tjetër aty afer ne Uashington”

Kuvendi kërkon shkarkimin, Meta reagon me zgjidhje antikushtetuese

Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me diskutimet në Komisionin parlamentar Hetimor për shkarkimin e tij. Ai e cilëson propagandë anti-president nismën e Kuvendit dhe diskutimet që zhvillohen në komisionin parlamentar hetimor për shkarkimin e tij.

Në reagimin e së martës Meta shkruan se kjo propagandë nuk ndihmon në hapjen e negociatave ndërsa përsërit dhe njëherë që zgjidhja e krizës vjen nga zgjedhjet e 13 tetorit, (të cilat deri tani nuk i njeh askush, përveç LSI).

“Propaganda anti-President nuk ndihmon sundimin e ligjit që është kusht për çeljen e negociatave në 18 tetor nga Bashkimi Europian për vendin tonë. Spostimi i vëmendjes për momentin nga detyrimi për respektimin e dekretit në fuqi të 13 tetorit për zgjedhje gjithëpërfshirëse vendore nuk ndihmon për zgjidhjen e krizës, por ndihmon përshkallëzimin e saj. Kriteret e Kopenhagenit nuk janë shfuqizuar ende nga BE, ndaj respektimi i tyre është i pashmangshëm nëse ka mbetur sadopak vullnet politik për çeljen e negociatave ne 18 tetor. Zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje!”, shkruan Meta.

Sipas presidentit zgjidhja për krizën në vend është data 13 tetor, e dekretuar prej tij për të zhvilluar 3 procese zgjedhore, për zgjedhjet vendore, zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe zgjedhje presidenciale. Një tjetër propozim ky i presidentit antikushtetues, njëlloj si dekreti për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, për të cilin Kuvendi ka nisur procedurat për shkarkimin e tij. Kolegji Zgjedhor rrëzoi dekretin e Metës për anulimin e zgjedhjeve më 30 qershor por argumentet vlenin edhe për dekretin e datës 13 tetor, kjo për faktin se dekreti është marrë në kundërshtim me afatet ligjore të parashikuara në Kushtetutë. Ndërkohë që kuvendi ka ecur përpara për shkarkimin e presidentit, gjë e cila pritet të bëhet fakt i kryer në ditët e para të muajit tetor, presidenti vijon t’i qëndrojë propozimeve të tij antikushtetuese./realstory.al

Javën e ardhshme, Meta “i pandehur” në Kuvend. 9 hapa për shkarkimin

Pas përfundimit të pushimeve të verës, Komisioni Hetimor për hetimin e shkeljeve të Kushtetutës nga Ilir Meta, është rikthyer në punë. Mesditën e të martës, ky komision ka zhvilluar mbledhjen e tretë të tij që pas krijimit në muajin korrik. Në rendin e ditës të këtij komisioni, ishte miratimi i procesverbalit të datës 15 korrik 2019, dhe miratimi i planit të hetimit. Para se të shkonte në miratimin e këtyre pikave, Kryetari i Komisionit, Ulsi Manja, u shpreh se për të zhvilluar një hetim sa më të plotë, sekretariati i Komisionit Hetimor ka kërkuar dokumentacionin nga disa institucione.

“Përpara se të arrijmë në  miratimin e planit të hetimit, siç e shpejgova, Komisioni, bazuar në ligj, u është drejtuar me shkresë për të sjellë në Sekretarinë e Komisionit dokumentacionin e duhur; Qedrës së Botimeve Zyrtare, Policisë së Shtetit, Kolegjit Zgjedhor, Autoritetit të Mediave Vizive, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme dhe institucionit të Presidentit. Jemi vënë në dijeni nga sekretariati, që të 7-të institucionet kanë sjellë përgjigje dhe përgjigja e fundit është ajo e Presidencës në datën 2 gusht”, ka sqaruar Manja.

Më tej, kreu i këtij komisioni, ka prezantuar planin e hetimit për Ilir Metën, që synon shkarkimin e tij për shkeljet kushtetuese. Sipas këtij plani, hetimi do të nisë me seancën degjimore të Presidentit Ilir Meta, dhe më pas do të vijojë me shqyrtimin e materialeve të administruara nga 7-të institucionet që u është kërkuar informacion. Plani parashikon 9 hapa, duke u mbyllur pikërisht me raportin përfundimtar të këtij Komisioni Hetimor, që do t`i dorëzohet Parlamentit për votim.

“Pasi është administruar dokumentacioni i ardhur nga këto institucione, kemi ardhur sot me këtë projekt-plan hetimi, që unë kam propozuar për miratim. Hapi i parë është seanca dëgjimore me Presidentin Ilir Meta, hapi i dytë administrimi dhe shqyrtimi i materialeve të marra nga 7-të institucione; administrimi i raportit të Komisonit për Çështjet Ligjore për shqyrtimin e kërkesës së deputetëve që iniciuan shkarkimin e Ilir Metës; administrimi i kërkesës së 55 deputetëve që bën kërkesën në Kuvend; administrimi i Opinionin të Komisionit të Venecias; administrimi i çdo dokumentacioni tjetër që Komisioni Hetimor e shikon të arsyshëm për shqyrtim; diskutim për gjetjet e Komisionit Hetimor; përgatitja e raportit përfundimtar dhe hapi i fundit, paraqitja në Kuvend e këtij Raporti”, tha Manja.

Në fund, Ulsi Manja ka lajmëruar se në datën 9 shtator, një panel ekspertësh nga Komisioni i Venecias do të vizitojnë Shqipërinë, ku do të zhvillojnë takime të nivelit të lartë me përfaqësuesit e opozitës, mazhorancës dhe një takim me të gjithë anëtarët e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Ilir Metës. Ndërkohë, nënkryetari i këtij komisioni nga radhët e opozitës parlamentare, Alban Zeneli, ka kërkuar që të shtyhet afati i funksionimit të Komisionit Hetimor, me qëllim që të ngrihet dhe Gjykata Kushtetuese.

“Çdo raport që del nga ky institucion do të shkojë në Parlament, është detyrim që çdo vendim që merr Kuvendi, të shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Ne jemi në rastin që kjo gjykatë nuk është formuar. Ne i kemi bërë kërkesë Komisionit të Venecias për një opinion, unë dua të kërkoj që të mos e lëmë me një boshllëk. Besoj është më e pranueshme që ne t`i kërkojmë Kuvendit të shtyjë afatin e komisionit hetimor, në qëllim që të shkojë paralel me krijimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Zeneli.

Ndërkohë, Ulsi Manja është përgjigjur ndaj deputetit të opozitës, duke u shprehur se funksionimi i Komisionit Hetimor do të bëhet sipas afateve ligjore, duke e mbyllur detyrën e tij më 8 tetor të këtij viti. “Unë e kam bërë të ditur, procedura e shkarkimit të Presidentit është një marrëdhënie mes Parlamentit dhe Gjykatës Kushtetuese. Sigurisht që ky Komision Hetimor, në zbatim të rregullores së Kuvendit, do duhet ta përfundojë veprimtarinë e vetë në datën 8 tetor të vitit 2019. Faza e dytë është ajo e Gjykatës Kushtetuese. Ngritja dhe bërja funksionale e gjykatës, nuk e pengon Kuvendin për të përfunduar këtë detyrë që i ka ngarkuar kuvendit. Opinioni i Komisionit të Venecias do duhet të pritet nga ky komision, për të arritur një vendim përfundimtar”, tha Manja.

Vijon…

Mblidhet sot Komisioni Hetimor për shkarkimin e Metës, gati lista e dëshmitarëve

Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta do të mblidhet të martën (sot) në orën 12.00 ku në axhendën e punimeve është parashikuar miratimi i planit hetimor në lidhje me shkeljet kushtetuese që ka kryer presidenti.

Komisioni gjithashtu do të miratojë dhe listën e dëshmitarëve të cilët do të thirren në seanca dëgjimore në komision për t’u pyetur rreth shkeljeve kushtetuese të presidentit dhe pasojat që sollën këto akte të tij.

Në listën e personave që do të thirren për të folur në Komisionin Hetimor është edhe emri i Presidentit, Meta. Është detyrim ligjor që Komisioni Hetimor të thërrasë në seancë dëgjimore kreun e shtetit, i cili duhet të argumentojë marrjen e këtyre vendimeve që sipas ligjvënësve janë në shkelje të kushtetutës. Ende nuk dihet se cili do të jetë vendimi i Presidentit, nëse do të marrë pjesë ose jo në mbledhjen e Komisionit Hetimor. Në mbledhjen e së martës të Komisionit hetimor pritet të njoftohet edhe dita se kur do të ftohet presidenti për t’u dëgjuar në kuvend. Ndërkohë që pjesë e listës së dëshmitarëve janë përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kryetari, nënkryetari sekretarët apo anëtarë të KZAZ-ve, sidomos ata të cilët ranë pre e sulmeve të protestuesve të opozitës, pas anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit nga kreu i shtetit; përfaqësues të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme; përfaqësues të Autoritetit të Medias Audiovizive si dhe kryetar të partive politike që morën pjesë në zgjedhje.

Gjatë këtyre ditëve anëtarët e Komisionit Hetimor pritet të zhvillojnë edhe një takim me përfaqësues të Komisionit të Venecias të cilët pritet të vijnë së shpejti në Tiranë në një mision faktmbledhës në lidhje me kërkesën e kuvendit për shkarkimin e Metës. Pjesë e takimeve të tyre do të jenë presidenti, kryeministri, kryetari i opozitës, si dhe anëtarët e Komisionit Hetimor. Komisioni i Venecias do të japë një opinion paraprak në mesin e muajit shtator në lidhje me shkarkimin e presidentit dhe një opinion të plotë dhe përfundimtar në mbledhjen e parë që do të zhvillojë në muajin tetor. Të gjitha gjasat janë që deri në mesin e tetorit shkarkimi i Metës të jetë bërë fakt i kryer.

Ligjvënësit e akuzojnë presidentin se ka shkelur Kushtetutën me vendimin e tij për ta anuluar zhvillimin e zgjedhjeve në datën 30 qershor. Një akt ky i ndërmarrë në kundërshtim me kompetencat që Kushtetuta i njeh presidentit të Republikës, i cili ka të drejtë të dekretojë datën e zgjedhjeve por jo ta anulojë atë. Përmes këtij akti, në raportin e Komisionit të Ligjeve të miratuar nga Kuvendi, shkruhet se presidenti synoi të destabilizonte vendin. Në fakt, kjo rezultoi e vërtetë sepse dekreti i presidentit shkaktoi kaos dhe protesta në disa bashki të vendit pas zgjedhjeve lokale, ku disa kryebashkiakë të djathtë refuzuan të linin zyrat. Të gjitha këto janë pjesë e procesit hetimor të ndërmarrë nga Komisioni Hetimor parlamentar dhe pritet të jenë pjesë e raportit përfundimtar që ky komision do t’i dorëzojë kuvendit për shkarkimin e presidentit.

Skip to toolbar