Ernest Gjoka prezantohet te Shkëndija e Tetovës

Ernest Gjoka është prezantuar të martën trajner i ri i ekipit të Shkëndijës së Tetovës. 49-vjeçari, që vjen pas drejtimit të disa klubeve të rëndësishme në Superligën shqiptare, nis një aventurë të re profesionale në Maqedoninë e Veriut. Pas firmës në kontratë, Gjoka është prezantuar me klubin dhe lojtarët. Në një prononcim për faqen zyrtare të Shkëndijës, Gjoka është shprehur se “ndihej i gatshëm për sfidën e re”.

“Mendoj se kam ardhë në një klub si Shkëndija që mbi të gjitha është një klub profesional dhe është një klub i ndërtuar me shumë kujdes. Përshtypjet e para janë shumë të mira dhe mendoj e shpresoj që këto përshtypje që do kem sot, t’i kem gjatë gjithë kohës që do të punoj këtu. Jam i gatshëm për këtë sfidë, sepse dihet se Shkëndija kërkon gjithçka. Kërkon të jetë gjithë kohës e suksesshme, të jetë kampion, të eci shumë në Europa League, të kap grupet e Europa League apo pse jo edhe Champion League “, u shpreh Gjoka.

Ernest Gjoka është një prej trajnerëve që ka fituar trofe vitet e fundit në Shqipëri, pasi drejtoi Kukësin në dy kohë drejt triumfit në Superligën shqiptare dhe Kupën e Shqipërisë. Përveç Kukësit, Gjoka në karrierën e tij si trajner drejtoi ekipe si: Vllaznia, Kamza, Flamurtari, Tomori dhe Apolonia. Shkëndija e Tetovës prej disa javësh ishte pa trajner të parë, pas largimit të Qatip Osmanit, që udhëhoqi kuqezinjtë e Tetovës në fitoren dy herë radhazi të titullit kampion në Maqedoninë e Veriut.

Gafat largojnë Shkëndijën nga Champions League

Shkëndija e Tetovës e ka mbyllur aventurën në Champions League, pasi është eleminuar në turin e parë kualifikues nga Kalju i Estonisë. Skuadra e shqiptarëve të Tetovës, nuk arriti të ruante avantazhin 1-0 të ndeshjes së parë në transfertë, duke humbur në shtëpi me rezultatin 1-2 kundër skuadrës estoneze, e cila në fakt bëri një surprizë të madhe në këtë kompeticion.

Miqtë e nisën mirë takimin duke ndëshkuar Shkëndijën në minutën e 6`. Ishte Klein që kaloi të tijët në avantazh, pasi shënoi me kokë pas një gjuajte nga goditja e këndit. Me avantazhin e miqve u mbyll pjesa e parë, pavarësisht tentativave të herë pas hershme të Shkëndijës për të gjetur golin. Pas pushimit, skuadra “kuqezi” tregon më shumë dëshirë në fushë, duke sulmuar portën kundërshtare.

Në minutën e 62`, erdhi dhe momenti i golit të barazimit për Shkëndijën, që fiton një penallti. Ibraimi nuk gabon nga pika e bardhë dhe vendos barazpeshën në fushën e lojës. Megjithatë, miqtë nuk dorëzohen dhe kërkojnë golin e kualifikimit deri në fund.

Kështu, në minutën e parë shtesë pas kohës së rregullt, një gafë e portierit të ekipit tetovar, bëri që Kalju të kalonte përsëri në avantazh me Liliu, duke u kualifikuar për në turin e dytë të Champions League. Ndërkohë, Shkëndija e mbyll me kaq aventurën në Champions.

Maqedonia vishet “Kuq e Zi”, Shkëndija fiton titullin e tretë në histori (video)

Shkëndija e Tetovës ka mbrojtur titullin Kampion i Maqedonisë së Veriut edhe këtë sezon, duke siguruar matematikisht fitoren e kampionatit katër javë para përfundimit të tij.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Qatip Osmani fitoi të shtunën ndaj Rabotniçkit në transfertë, me rezultatin 0-1, duke siguruar matematikisht titullin kampion, pasi kanë një epërsi prej 13 pikësh nga vendi i dytë.

Një gol i Ennur Totres në kohën shtesë solli triumf 1:0 në transfertën e javës së 32-të me Rabotniçkin në Shkup, ndërsa gara për titull u mbyll për faktin se sfida Shkupi-Vardari u mbyll me barazim 2:2.

Sa i përket takimit Shkëndija dominoi pjesën më të madhe të kohës dhe humbi disa mundësi shënimi, megjithëse edhe vendasit lëshuan disa raste të mira.

Sfida dukej se po shkonte drejt barazimit pa gola kur në kohën shtesë asiston kapiteni Alimi, ndërsa Ennur Totre realizon për fillimin e festës së madhe në kampin kuqezi për titullin e tretë kampion në historinë e Shkëndijës.

Shkëndija drejt titullit të dytë radhazi në Maqedoni (video)

Shkëndija e Tetovës është duke shkruar historinë në futbollin elitar të Maqedonisë së Veriut, pasi skuadra e drejtuar nga trajneri Qatip Osmani, po shkon drejt kurorizmit të titullit të dytë radhazi në shtetin fqinj.

Në 29 javë skuadra “kuqezi” ka fituar 20 takime duke mbajtur vendin e parë në renditje me 66 pikë, teksa lë pas ekipin kryeqytetas, Vardarin, me 12 pikë më pak.

Fitorja e fundit në kampionat e Shkëndijës erdhi të shtunën kundër Makedoniia Gj.P, me ndeshjen që përfundoi me rezultatin 4-2.

Përveç golashënuesve Radeski, Imeri e Musliu, vlen të përmendet performansa e portierit Bekim Rexhepi, që në të paktën tre raste ka bërë pritje spektakolare, duke shpëtuar gola të sigurtë.

Pas barazimit të xhiros së kaluar Shkëndija kthehet në rrugën e fitores dhe tashmë çon në shtatë numrin e takimeve të njëpasnjëshme pa njohur disfatën.

Marjan Radeski në minutat 8 dhe 31, si dhe Omar Imeri në minutën e 40-të realizuan për epërsi 3:0 në pjesën e parë.

Në vazhdim miqtë ngushtuan rezultatin në 3:1 me anë të Tanturovskit në minutën e 59-të, ndërsa pasi Lukas u përjashtua me të kuq në të 62-ën kuqezinjtë me qetësi menaxhuan lojën deri në fund.

Musliu tre minuta para fundit të kohës së rregullt shënoi për 4:1, ndërsa në kohën shtesë Karvaljo realizoi për rezultat përfundimtar 4:2.

Skip to toolbar