Policia e Shkodrës parandaloi një konflikt në familje, i cili rrezikonte të merrte përmasa dramatike. Sipas një komunikate të Policisë së Shtetit, mësohet se është arrestuar në flagrancë një shtetas me inicialet Z.Ç., 29 vjeç. Ky person, ka dhunur fizikisht bashkëshorten e tij, duke e kanosur me armë.
Pasi është lajmëruar, Policia e Shkodrës shkoi në vendin e ngjarjes, në fshatin Rragam, ku gjeti 29-vjeçarin duke kanosur bashkëshorten e tij me armë zjarri dhe po e rrihte, brenda banesës. Sapo ka pikasur shërbimet e policisë, shtetasi me inicialet Z.Ç., ka lënë në banesë armën e zjarrit dhe është larguar nga shtëpia në drejtim të pyllit.
Ndërkohë, policia e ndoqi dhe pas disa orësh, arriti t`i vinte prangat. Në cilësinë e provës material, 29-vjeçarit i është sekuestruar një armë zjarri e llojit kallashnikov, ndërsa ky shtetas, akuzohet për tre vepra penale: “Kanosje”, “Dhunë në familje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. Materialet hetimore për këtë person i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.