Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për Petrit Dukin, personi i cili çau me makinë kordonin e policisë, gjatë aksionit të shembjes së disa banesave në Shkozë.
Petrit Duki u arrestua në datën 16 tetor, ndërsa u akuzua për veprën penale “Vrasje me dashje në rrethana të cilësuar”, e mbetur në tentativë.
Megjithatë, Prokuroria e Krimeve të rënda ndryshoi cilësimin ligjor, duke e akuzuar Dukin vetëm për “Kundërshtim të forcave të policisë” dhe “Kanosje për shkak të detyrës”, duke kërkuar caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”.
Por, Gjykata e Krimeve të rënda e kryesuar nga Bib Ndreca, dha të dielën masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për personin nën hetim Petrit Duki.
Gjatë dhënies së masës së sigurisë në sallën e gjykatës, mësohet se ishte prezent ish-Ministri dhe deputeti i PD-së, Aldo Bumçi. Më 16 tetor, Petrit Duki tentoi të përplasë forcat e policisë, të cilat ishin të pranishme gjatë aksionit të shembjes së disa banesave në Shkozë, që preken nga projekti i “Unazës së Re”.