Pas publikimit të disa faturave ku akuzohej Ministrja Etilda Gjonaj për shpenzime të larta gjatë udhëtimeve jashtë vendit, një portal, Lexo.al, publikoi disa ditë më parë faturat kur ish-ministri i PD Aldo Bumçi paguante shuma të larta për të qëndruar në një hotel në SHBA. Pas këtyre faturave, për Aldo Bumçin, ky portal ka publikuar këtë të enjte, faturat e shpenzimeve në kohën kur Lulzim Basha ka qenë ministër. Bëhet fjalë për vitin 2009, dhe konkretisht për periudhën 27 janar deri në 1 shkurt të 2009.
Sipas faturave të publikuara, mësohet se Lulzim Basha, aso kohe Ministër i Jashtëm, ka shpenzuar mbi 3 mijë euro për katër netë qëndrimi në një restor me pesë yje në Zvicër. Konkretisht, lideri i opozitës ka qenë në zonën turistike të Klostersit, në restorin e quajtur “Piz Buin”. Resorti me pesë yje ofron dhoma, siç dëshmon fatura, për një vlerë prej rreth 695 franga zvicerane nata, ose konvertuar, rreth 600 euro nata. Për katër ditë qëndrimi, Basha ka shpenzuar 2500 euro.
Fatura më pas është rrumbullakosur me pije, shërbim në dhomë dhe shërbime të tjera që ofrohen në këtë hotel prestigjioz. Në total, Basha ka shpenzuar plot 3 771 franga zvicerane, më shumë se 3 mijë euro nga parate e taksapaguesve shqiptarë. Një ministër në Shqipëri paguhet rreth 1,7 milionë lekë të vjetra, më pak në vitin 2009, pra një faturë e tillë do të ishte e barazvlefshme me 2 muaj e gjysmë pagë, por që në fakt janë paguar nga buxheti i shtetit.