Kryemadhi: Jo luftë për karrige, shpresa e Shqipërisë po afron

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ka reaguar pasditen e sotme për protestën e zhvilluar dje nga opozita. Kryemadhi e cilëson marshimin e djeshëm si historik, ndërsa shton se vuajtjeve të tranzicionit të pafundëm dhe të lodhshëm po i vjen fundi. “Protesta e djeshme u shoqërua gjatë gjithë kohës nga dritat e shpresës të mijëra qytetarëve, që marshuan paqësisht në rrugët e kryeqytetit. Mbrëmë, Tirana dhe e gjithë Shqipëria përjetoi marshimin historik, që mbart në vetvete historinë e një kombi me shumë vuajtje dhe me një tranzicion të pafundëm dhe të lodhshëm, që duket se po i vjen fundi!”, shkruan Kryemadhi.

Më tej, në deklaratën e saj publikuar në faqen zyrtare në Facebook, Monika Kryemadhi shkruan se Shqipëria ka nevojë për një lider normal, që shqetësohet dhe punon për qytetarët.

“Mbrëmë më shumë se kurrë, nën qiellin e mbuluar me balona të bardha dhe nën dritat e celularëve, shqiptarët përcollën mesazhin se kanë nevojë për një shtet dhe institucione që t’i shërbejnë atyre. Se nuk duan më kurrë të ndihen jetimë në shtëpinë e tyre”.

“Se kanë nevojë për një lider normal, një njeri të thjeshtë njësoj si ata, që shqetësohet dhe punon për një arsim me standarte, një shëndetësi të barabartë, një shtet të drejtë ku të gjithë përgjigjen njësoj para ligjit, për një ekonomi të fortë dhe të qëndrueshme që i jep mundësi punësimi të gjitha shtresave shoqërore, për taksa të ulta, por mbi të gjitha ku sistemi të ngrihet nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Fëmijët tanë duhet të prekin një Shqipëri ndryshe nga ajo e jona, ku ata të ndihen europian, jo vetëm në shpirt por në standarte dhe në mundësi”.

Në fund, Monika Kryemadhit shprehet se aksioni opozitar nuk është luftë për rotacion politik, por për ndryshimin e sistemit. Ajo thotë se forca e opozitës qëndron te drejtësia e kauzës, përtej karrigeve të liderëve.

“Kjo është beteja e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe gjithë opozitës së bashkuar. Edhe pse mes shumë sakrificave, pikëpyetjeve, shpesh herë edhe mosbesimit, ne po tregojmë çdo ditë se kjo nuk është më thjesht një luftë politike për rotacion, por është lufta e ndryshimit të një sistemi të marrë fund, që prodhon vetëm metastaza, duke shkurtuar jetën e një kombi”.

 “Forca jonë qëndron te drejtësia e kauzës tonë, që shkon përtej karrigeve të liderëve, por u dedikohet fëmijëve e familjeve shqiptare, vendit tonë të bekuar që mbahet peng nga gabimet e politikës së vjetër. Dita e ndryshimit po afron, e bashkë me të dhe shpresa se Shqipëria do të bëhet me punën dhe forcën e vetë qytetarëve të saj”, përfundon shkrimi i Monika Kryemadhit.

Skip to toolbar