Këshilli Europian do të propozojë hapjen e negociatave me Shqipërinë. Sipas një drafti të siguruar nga A2 CNN, Këshilli do të propozojë negociata me kushte për Shqipërinë. Ajo që vihet re nga kushtet e Këshillit Europian është fakti se ato janë të njëjtat kushte të Bundestagut gjerman.
“Këshilli Evropian vendos të hapë negociatat e pranimit me Shqipërinë. Para konferencës së parë ndërqeveritare, e cila duhet të zhvillohet jo më vonë se në gjysmën e parë të vitit 2020, në varësi të progresit të bërë, Shqipëria duhet të sigurojë: Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Nisjen e hetimeve ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të dyshuar për sjellje kriminale si rezultat i gjetjeve nga procesi i vetting-ut. Hetim rasteve dhe akuzave për krim elektoral”.
“Ngritja dhe funksionimi i SPAK. Rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë zyrtarët e nivelit të lartë. Të miratojë reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR. Të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019”, thuhet në kushtet e Këshillit të Europës. Pra, në thelb nuk ndryshon asgjë nga kushtet e Bundestagut.
Pra, duke u nisur nga kushtet e Këshillit Europian të cilat nuk ndryshojnë nga ato që Bundestagu Gjerman kërkoi disa javë më parë, kuptohet se indirekt influenca e Gjermanisë te vendet anëtare të BE-së ka dhënë efektin e parë. Gjermania po udhëheq procesin e afrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Europës, duke shmangur me çdo kusht krijimin e hapësirave strategjike në këto vende, të cilat, në rast se nuk hapen negociatat, mund të plotësohen nga influenca e aktorëve të tjerë jashtë Europës.
Publikimi i draftit vjen në të njëjtën ditë kur Angela Merkel takohet me presidentin e Francës Emanuel Macron. Kancelaria gjermane, ashtu siç raportoi dy ditë më parë ambasadori i Gjermanisë në Tiranë Peter Zingraf, do të mundohet të bindë vendet skeptike për t`i thënë “Po” Shqipërisë në 18 tetor. Ndërkohë, në draftin e publikuar nga A2 CNN, një vëmendje e rëndësishme i kushtohet krizës politike në Shqipëri.
Këshilli Europian u kërkon palëve të angazhohen për t`i dhënë fund ngërçit politik në vend, duke i bërë thirrje partive të opzitës për bashkëpunim. “Partitë e opozitës duhet të rindërtojnë në mënyrë konstruktive në institucionet demokratike. Të gjithë aktorët politikë duhet të angazhohen në axhendën e reformës në BE dhe të dialogojnë për të kapërcyer polarizimin politik”, shkruhet në draftin e konkluzioneve të Këshillit të Europës. /Realstory.al/