Negociatat në tetor, opozita: Fajin e ka Rama

Opozita shqiptare e ka cilësuar njëzëri si dështim të qeverisë për shkak të përfshirjes së saj në korrupsion dhe krimin e organizuar, shtyrjen e negociatave për në tetor. Me Ramën si kryeministër hapja e negociatave do të jetë e pamundur cilëson opozita, në deklaratat e tyre.

Bashkimi Europian dha sinjalin më të fortë se perspektiva europiane me Edi Ramën dhe qeverinë e tij është e pamundur. Largimi i Ramës dhe çlirimi i sistemit nga diktatura e krimit, është e vetmja rrugë për Shqipërinë dhe shqiptarët!” tha Kryemadhi. Ndërsa për Luan Ramën, ky ishte një vendim i pritur dhe ai e kishte lajmëruar që në qershor të 2018 se nuk do të kishte hapje të negociatave as në 2019. “E pata thënë publikisht në Kuvendin e Shqipërisë më 28 qershor 2018, e paralajmërova me dhembje se as në qershor të vitit 2019 nuk do të çelen negociatat dhe e ftova klasën politike të vendit e më së pari qeverinë dhe kryeministrin që të reflektonin me seriozitet e përgjegjshmëri, duke vënë mbi gjithçka interesat e vendit! Duket që nuk e kanë bërë”

Ish deputetja e PD, Jorida Tabaku tha se nuk do të ketë hapje të negociatave pa luftuar krimin dhe zgjidhur luftën politike “E vërteta është që nuk ka hapje negociatash. Këtë e saktësuan të gjitha vendet anëtare, siç nënvizuan se pa luftuar krimin dhe korrupsionin nuk do ketë as në të ardhmen! Nuk ka hapje negociatash pa merite! Nuk ka hapje negociatash pa zgjidhur krizën politike!”

Për kreun e Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka qeveria ka ngelur për vjeshtë dhe shqiptarët duhet të reagojnë me protesta.

Në fakt në konkluzionin përfundimtar të publikuar nga Këshilli i Europës thuhet se shtyrja është si pasojë se disa vendeve u duhet më shumë kohë për të analizuar raportin. “Për shkak të kohës së  kufizuar në dispozicion dhe rëndësinë e çështjes, Këshilli do të kthehet për këtë çështje me qëllim që të arrijë një vendim të qartë dhe substancial sa më shpejt të jetë e mundur dhe jo më vonë se tetori i 2019. Këshilli vlerëson me nota pozitive Rekomandimet e Komisionit Europian për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë në bazë të vlerësimit pozitiv të progresit të bërë dhe i përmbushjes së kushteve të identifikuara nga Këshilli i Europës.” 

Cakaj më i mërzitur se Rama: Duhet t’i kishim marrë negociatat që në qershor

Shtyrja e vendimi nuk është inkurajues, pasi Shqipëria e ka merituar hapjen e negociatave që në qershor të 2018 tha ministri i Jashtëm Cakaj, i cili ishte shpresëplotë që negociatat të hapeshin në qershor dhe të mos shtyheshin në tetor. Megjithatë Cakaj tha se Shqipëria nuk mund të vendos dot axhendën e Këshillit, prandaj i duhet të pres që në tetor të merret një vendim të prerë në lidhje me hapjen e tyre.

Këshilli i Europës vlerësoi arritjet dhe rezultatet pozitive të Shqipërisë, por e shtyu vendimin për hapjen ose jo në tetor për shkak se i duhej më shumë kohë për të shqyrtuar raportin e Komisionit Europian.

Shqipëria nuk mund të përcaktojë axhendën e vendimmarrjes së Këshillit por mund të përmbushë të gjitha kushtet teknike. Ndaj duke u mbështetur edhe në zotimin e prerë të Këshillit, jo për të diskutuar në tetor nëse negociatat do të hapen apo jo por për të marrë një vendim të prerë, Shqipëria mbetet shpresëplotë për një vendim pozitiv në tetor. Shpresa jonë duhet të marrë trajtën për një angazhim pozitiv. Shtyrja e vendimmarrjes sidoqoftë nuk është një lajm inkurajues për Shqipërinë. E ka merituar hapjen e negociatave që në qershor të vitit të shkuar. Vonesa nuk është shkaktuar nga rezultatet, por mungesa e kohës së BE për ta shqyrtuar atë.” – tha Cakaj

Krahasuar me ministrin e jashtëm Gent Cakaj, Rama u shpreh më optimist për vlerësimin pozitiv që Këshilli i Europës i ka bërë rekomandimit të Komisionit Europian për përmbushjen nga Shqipëria të kushteve për çeljen e negociatave me BE duke thënë se “ky ishte një lajm pozitiv dhe se Shqipëria do t’i rezistojë deri në fund ofensivës së sharjeve dhe baltosje.”

Skip to toolbar