Sherri me gjyqtaren shtyn “Shullazin”

Gjyqi për Emiljano Shullazin dhe 4 të pandehurit e tjerë po kthehet në telenovelë. Seanca e të hënës është shtyrë përsëri, pas përplasjesve mes të pandehurit Endrit Zela dhe gjyqtares Albana Boksi. I pandehuri i kërkoi gjyqtares që të largohet nga procesi, pasi sipas tij, kishte kërkuar dorëheqjen e saj. Zela raportohet të jetë shprehur ndaj gjyqtares se “ti po i impononesh këtij procesi dhe me çdo kusht do të zhvillosh gjykimin”.

Kam kërkuar dorëheqjen tënde, ti nuk na garanton një proces të drejtë dhe ligjor”, iu drejtuar Zela gjykatëses. I pandehuri Endrit Zela nuk pranon avokat të caktuar, por avokatin e zgjedhur nga vetë ai, Bledar Shanja. Avokati nuk ishte i pranishëm në seancën gjyqësore për shkak të konfliktit të interesit që ka me gjyqtaren Boksi, raporton News 24.

Ndërkohë, avokatja e caktuar në seancë Eralda Brahimasi u shpreh se nuk e merr përsipër mbrojtjen e të pandehurit pasi është gjobitur më herët nga gjykata, edhe pse kishte depozituar raport shëndetësor. Nga ana e saj, trupa gjykese e kryesuar nga Albana Boksi vendosi që kërkesa e avokates ëshë jo ligjore dhe aspak profesionale dhe për këtë arsye do ta referojë si rast në Dhomën Kombëtare të Avokatisë për sjellje joprofesionale.

Dosja “Vollga”, pushohen akuzat për Shullazin

Akuza për ‘pastrimin e parave’ në ngarkim të Emiljano Shullazit, prej të martës është pushuar. Bëhet fjalë për akuzën e ngritur nga Prokuroria e Tiranës, në lidhje me çështjen e hotel Vollgës në Durrës. Për këtë çështje, Shullazi akuzohej se nëpërmjet kërcënimeve i kishte marrë biznesmenit Ylvi Beqja shuma të mëdha parash, në këmbim që biznesmeni të përvetësonte këtë pronë.

Gjykata, pas kërkesës së Prokurorisë së Tiranës, ka pushuar akuzat, ndaj Shullazit dhe ndaj biznesmenit Beqja, që ishte me statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Pushimi i akuzave ka ardhur pasi sipas organeve hetimore, nuk ka pasur prova të mjaftueshme për akuzat e ngritura.

Prokuroria ka pranuar se ka qenë vetë biznesmeni Ylvi Beqja, që mbronte interesat e “Saudi Brothers”, që ka kërkuar ndihmën e Shullazit për regjistrimin  e ish-hotel “Vollgës” në Durrës. Në argumentin e Prokurorisë, mësohet se Ylvi Beqja ka pasur disa procese gjyqësore për regjistrimin e ish-hotel “Vollgës” në Durrës, pasi për godinën kishte pretendime dhe një palë  tjetër.

Bëhet fjalë për shtetasin Zamir Hasa. Ndërkohë, po sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, gjatë vitit 2014 biznesmeni Ylvi Beqja ka takuar Shullazin duke i kërkuar ndihmë për regjistrimin e ish-hteol Vollgës.

Ndërkohë, Shullazi dhe grupi i tij u dënuan me një total prej 55 vjetësh dënim, ndërsa veç çështjes së ish-hotel “Vollgës” në Durrës, ata akuzohen dhe për vepra të tjera penale. Ndërkohë, janë pushuar akuzat dhe për tre gjyqtarë të akuzuar për “Shpërdorim detyre”. 

Favorizoi takimet e Shullazit, pezullohet drejtori i burgut ‘313’

Drejtori i burgut ‘313’, Maksim Hamitaj është pezulluar nga detyra, pasi është gjetur me shkelje nga Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj. Sipas Report Tv, Hamitaj dyshohet se ka toleruar takime shtesë të Emiljano Shullazit dhe të burgosurve të tjerë “VIP”. Për këtë arsye, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili, ka firmosur një shkresë ku pezullon nga detyra Maksim Hamitajn.

Mësohet se vendin e Hamitajt në burgurn ‘313’, e ka marrë përkohësisht Qzim Hoxha, që ka qenë drejtor i burgut të Durrësit. Problemet në sistemin e burgjeve kanë qenë shqetësuese për Ministrinë e Drejtësisë, që tashmë ka nisur një reformim të sistemit të burgjeve. Aktualisht është çelur gara për rekrutimin e kandidatëve të rinj në kuadër të reformës së thellë në burgje.

Pak javë më parë, Etilda Gjonaj shprehej se një nga problemet më të mëdha në burgje është korrupsioni. Sipas saj, rritja e pagave për punonjësit e policisë së burgjeve, duke i barazuar ato me pagat e policisë së shtetit, është një masë për të parandaluar korrupsionin.

Ngritja e SPAK, Donika Prela para KLP, pyetet për dosjet e “nxehta”

Krijimi i Prokurorisë së Posaçme që do të hetojë korrupsionin në nivele të larata dhe krimin e organizuar në vend, ka nisur të marrë jetë. Pas intervistës së dhënë nga katër prokurorët e parë të hënën para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të martën ka qenë radha drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, për të dhënë intervistën e saj përballë KLP-së dhe ndërkombëtarëve.

Report Tv, raporton se Prela është pyetur për karrierën e saj në organin e akuzës, dhe shqyrtimin e dosjeve të nxehta hetimore, si ajo ndaj Shullazit dhe  bandës së tij. Një tjetër pyetje drejtuar Donika Prelës, ka qenë ajo në lidhje me përgjimet e publikuar nga gazeta gjermane “Bild”. Për këtë çështje, Prela mësohet të ketë thënë se “çështja është nën hetim”.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka vrejtur më herët probleme me kalimin e Vettingut nga znj.Prela. Por, shefja e Krimeve të Rënda, ka dhënë sqarime edhe për këtë çështje, duke i qëndruar të njëjtave deklarata që ka dhënë edhe para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Më herët, është marrë në pyetje edhe nga KLP edhe Besim Hajdarmataj, pyetjet për të cilin kanë qenë pothuajse të njëjtat, ashtu si dhe për Donika Prelën.

Skip to toolbar