Shembet diga, 15 të vdekur, 13 të zhdukur

Të paktën 15 persona kanë vdekur dhe 13 të tjerë rezultojnë të zhdukur, pas shembjes së një dige në Siberi. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Emergjencave ruse.

Shirat e rrëmbyeshëm kanë shkaktuar rrëshqitje të mëdha të dherave duke çuar në shembjen e digës që ndodhej pranë një miniere ari. Diga në lumin Seiba në rajonin siberian të Krasnoyarsk shpërtheu dhe përmbyti disa kabina ku jetonin punëtorët.

Autoritet vijojnë hetimet për gjetjen e personave të zhdukur, ndërsa është hapur edhe një hetim për shkelje të rregullave të sigurisë në vendin e punës, pasi dyshohet se diga ishte ndërtuar në kundërshtim me rregullat e sigurisë.

Shpërthen baza ushtarake në Siberi, 6 të plagosur

Një bazë ushtarake ruse në Siberi është përfshirë nga një seri shpërthimesh masive municionesh. Nga shpërthimi raportohet se janë plagosur 6 persona, fatmirësisht jo në gjendje kritike.  

Flakët dhe tymi i zi u ngritën në ajër gjatë shpërthimit duke terrorizuar banorët, flakë që vazhduan edhe gjatë natës. Nuk dihen ende shkaqet e shpërthimit të bazës ushtarake, megjithatë mbi 9500 persona u evakuuan për të shmangur çdo tragjedi të mundshme dhe perimetri i sigurisë u vendos me një rreze prej 20 km rreth depos së armëve.

Dhjetë aeroplanë masivë të ngarkesave Il-76 dhe pesë helikopterë Mi-8 u aktivizuan për të hedhur ujë në zonë.

Shpërthimi ndodhi në një depo të vjetër armësh, ndërsa shumë municione u shpërndanë në ajër duke dëmtuar një shkollë dhe një kopsht fëmijësh në fshatin Kamenka.  

Skip to toolbar