Nga Spartak Ngjela
Vetëm Reforma në Drejtësi është zgjidhja
parësore për të ardhmen e Shqipërisë. Këtë reformë, e cila ka filluar dhe është
drejt finalizimit për të nisur si akt, e ka strukturuar politika amerikane dhe
ajo e Bashkimit Europian.
Asnjë rrugë tjetër nuk mund të ishte e
suksesshme në luftë kundër korrupsionit të lartë shqiptar, me përjashtim të
Reformës në Drejtësi, e cila është strukturuar e gjitha ndërkombëtarisht nga
politika amerikane dhe politika gjermane.
Deri tani reforma ka eliminuar nga detyra një
numur të madh gjyqtarësh dhe prokurorësh të korruptuar, por ka trembur dhe të
gjithë klasën e korruptuar politike. Politikanët e korruptuar, në të dy krahët
e politikës, kuptohet se kanë humbur ekuilibrin dhe flasin në tym. Dhe e gjithë
kjo vjen si pasojë e vendosmërisë amerikane për ta pasur Reformën në Drejtësi
si armën kryesore në të gjithë ecurinë e më tejme të politikës së saj në
Ballkanin Perëndimor.
Shqiptarët i mbijetuan shekujve të tërbimit
ruso-serbo-grek të pushtimit të territoreve dhe të genocidit kundër tyre. Tani
ata po e kanë luftën me hordhitë e brendshme korruptive te të cilat kërkon të
mbështetet politika ruse kundër forcimit të Arbërisë së Re, që është në fakt e
gjithë bota shqiptare në Ballkanin Perëndimor.
Kjo botë shqiptare, tani e përbërë nga dy
shtete shqiptarë në këtë zonë, Shqipëria dhe Kosova, është futur në reformën e
brendshme antikorrupsion. Por kjo luftë, qëndrën e vet e ka sot në Tiranë.
Politika amerikanë e ka të qartë që vetëm një
shtet shqiptar pa korrupsion përbën mbështetjen kryesore të unifikimit të botës
shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Por, pikërisht këtu, është hedhur në reaksion
politika ruse në ndihmë të korrupsionit të lartë në Tiranë.
Korrupsioni shqiptar në Tiranë ka bllokuar
gjithçka, jo vetëm si zhvillim ekonomik, por edhe si kulturë shqiptare, sepse
me qëllim dhe me ndërhyrje të jashtme 30 vjeçare, ka goditur arsimin sistematikisht
në cilësinë e tij; dhe kërkon të groposë kulturën shqiptare. Gjithsesi deri
tani nuk ia ka arritur plotësisht, por dëmi i madh rezulton.
Aplikimi i suksesshëm i Reformës në Drejtësi
në Tiranë, domosdoshmërisht, shumë shpejt, do të kalojë po njëlloj edhe në
eliminimin e korrupsionit të lartë në Prishtinë. Ndërkohë kuptohet se politika
amerikane kërkon të krijojë një urë antikorrupsion Tiranë-Prishtinë, urë kjo e
cila në fakt është traditë amerikane e transferimit të reformave demokratike
nga një vend në tjetrin.
Kapitullimi i korrupsionit të lartë shtetëror
në Tiranë dhe në Prishtinë, do të sjellë menjëherë klimën e kalimit të procesit
të zhvillimit shqiptar në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Keni për ta parë.
Dhe, më në fund, kjo është arsyeja kryesore që
kuptohet se vetë politika anerikane, por edhe politika gjermane do ta kryejë
deri në fund Reformën në Drejtësi në Tiranë. E cila tashmë ka nisur me shumë
sukses të japë Rezultatet e para konkrete, sepse këto ditë u mbyll i gjithë
cikli ligjor i kësaj reforme.
Pasi të përfundojë Reforma në Drejtësi, a do
të shkojë deri në fund shkallmimi i korrupsionit të lartë shtetëror shqiptar?
Po, deri në fund do të shkojë, dhe me emrat e
tyre të plotë. Dhe nuk kemi pse dyshojmë, mjafton të shohim kushtetutën.
Kontrolli i korrupsionit shtetëror i niveleve të lartë, ka filluar.
Duke i qëndruar të gjithë argumenteve që kemi
dhënë në këtë punim, dhe tezës kryesore të tij se pa eliminimin e korrupsionit
të lartë shtetëror në Tiranë nuk mund të ketë perspektivë të botës shqiptare në
Ballkanin Perëndimor, na duhet të theksojmë se, në rrugën që ka nisur, i gjithë
korrupsioni i lartë shtetëror do të jetë nën akuzë. Kur të vijë kjo situatë
akuzatore, në Shqipëri do të ketë një moment historik shumë optimist, shumë
herë më të madh nga ai i rrëzimit të komunizmit. Do të akuzohen sjellësit e
fatkeqësisë se re të Shqipërisë, dhe kjo situatë do të ndihet si festë nga shqiptarët
që kanë njëqind vjet që po presin drejtësinë shoqërore në Shqipëri.
Është e kuptueshme se krerët e këtij
korrupsioni enorm, sigurisht që janë hedhur për të kërkuar ndihmë te fryma
armiqësore antishqiptare. Në fakt këta liderë të korruptuar, i janë drejtuar
asaj fryme të ligë që, në dy shekuj rresht, ka krijuar tragjedinë historike
shqiptare.
Por edhe këtu kemi një gjykim real dhe therrës
që e dha flakë për flakë politika amerikane. Ishte zv/ndihmës sekretari i
Departamentit të Shtetit, Palmer, që para dy muajsh theksoi drejtpërsëdrejti
se: “targeti rus për Shqipërinë, është shumë i vështirë”.
Në fakt kuptohet se, politika amerikane ua
drejtoi këtë gjykim therrës politik, në Tiranë, të gjithë atyre që kanë kërkuar
ndihmë politike, apo kanë lyer duart me paranë ruse, siç është për shembull një
pjesë e medias shqiptare që tani është e provuar për pagesat që ka marrë nga
Moska apo nga Athina.
Të gjithë këta po duken tani të trembur, sepse
deri më sot iu dukej Reforma në Drejtësi si të ishte një përrallë. Tani diçka
po ndiejnë, prandaj e kanë humbur ekuilibrin. Në fakt duhet ta dinë mirë që
goditja që po vjen, do të jetë drastike.
Ka një çast historik në historinë e një kombi
kur, të gjitha padrejtësitë mblidhen në një pikë , dhe kur fillon procesi i
drejtësisë për të, që të gjitha humbjet historike ai i përfiton në një proces.
Kjo është historia aktuale e Shqipërisë. Pse?
Sepse politika amerikane e ka në interes që, pasi t’iu kthejë shqiptarëve
padrejtësitë shekullore që iu janë bërë, do të fillojë me ta politikën e re në
Ballkanin Perëndimor. Sepse nuk ka rrugë tjetër. Ballkani ka qenë Gadishull
Ilirik dhe, më pas, hapësirë arbërore. Që ta dominosh politikisht këtë hapësirë
duhet të rikrijojet Arbëria e Re.
Dhe procesi ka filluar. Kosova është sot shtet
shqiptar i pavarur. Por, a do të jetë dhe Maqedonia shtet shqiptar i pavarur?
Sigurisht që po, se atje shqiptarët përbëjnë 70 përqind të popullsisë, paçka se
deri tani kanë qenë të shtypur dhe rreth 400 mijë shqiptarë ortodoksë janë
shkruar maqedonas nga frika, kurse mbi 400 mijë shqiptarë muslimanë nuk i
regjistrojnë arbitrarisht nëpër proceset e regjistrimit të popullsisë.
E pse të zgjatemi. Gjithë ky proces ka vetëm
një kusht: reformën në drejtësi në Tiranë.
Dhe ky është njëherësh kushti i zhvillimit
shqiptar, por edhe kushti i politikës amerikane.