Ngjela: Reformimi i Shqipërisë vjen nga SHBA

Nga Spartak Ngjela

Ja pyetjet që ngrenë sot shqiptarët:

Pse ka rënë vullneti i Bashës për revolta kryengritëse?

A do të shkarkohet Ilir Meta?

Do të fillojë punën SPAK-u deri gjatë nëntorit?

Do të goditet ashpër korrupsioni i lartë shtetëror dhe krimi i organizuar në Shqipëri?

Përgjigjet e tyre mbajnë të shprehur brenda vetes historinë aktuale të Shqipërisë dhe të vetë botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

l.

Të gjitha këto pyetje përbëjnë në vetvete kohën tonë. Këto gjithashtu përbëjnë nevojën e historisë së Shqipërisë dhe janë domosdoshmëri për të gjithë botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Historia i ka vendosur shqiptarët në këtë zonë prej mijëra vjetësh, dhe tani dihet mirë historia e gjatë e sukseseve të shqiptarëve në drejtimin e perandorive që kanë ardhur t’i pushtojnë.

Tani, shqiptarët nuk kanë përpara as Perandorinë Romake, as Perandorinë e Bizantine, nuk kanë madje përballë as Perandorinë Osmane. Ata kanë përpara, jo si pushtues por si aleat dhe partner, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E njeh politika amerikane historinë e shqiptarëve?

Sigurisht që e njeh. Dhe e njeh mirë historinë e madhe të botës ilirike, botës arbërore dhe botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Në funksione të kësaj historie, askush nuk duhet të harrojë fluksin ilirik të perandorëve romakë, as Perandorët arbërore të Bizantit me Justinianin e madh në krye, me Komnenët etj. Mos flasim pastaj për vezirët e mëdhenj të Perandorisë Osmane.

Kudo shkëlqim.

Por tani ka ardhur koha reale e shkëlqimit të vetë botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Il.

Kjo që shprehëm është historia që ka qenë, por cila do të jetë historia e re në shkëlqim e Shqipërisë dhe botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor?

Kjo histori do të nisë me përgjigjet e pyetjeve të mësipërme, dhe me aleancën e thellë shqiptaro-amerikane për Ballkanin Perëndimor. Kjo aleancë është interes shqiptar si reformim i Arbërisë, dhe interes amerikan në këtë zonë, kundrejt një populli i cili është 97 % pro-amerikan. Është historia e shqiptarëve që kërkon të përsëritet.

Shqiptarët tani e kaluan mbijetesën e detyrueshme shekullore nga agresiviteti gjenocidial i osmanëve, rusëve, serbëve dhe grekëve, dhe po shkojnë drejt aktit sublim të reformimit të tyre arbërore. Ky në fakt është edhe thelbi i aleancës shqiptaro- amerikane, e cila e ka dhënë shenjën e vet reale me pavarësinë e Kosovës.

lll.

Të gjithë këtë mendim imediat të historisë së pritshme të Shqipërisë e sqarojnë pyetjet që kemi ngritur në këtë shkrim.

Pse ka rënë vullneti i Bashës për revolta kryengritëse?

Ka rënë sepse ka marrë kërcënim nga politika amerikane për lobimin rus në Uashington.

A do të shkarkohet Ilir Meta?

Sigurisht që po. Është forcë antikombëtare dhe kundër aleancës shqiptaro-amerikane në Ballkanin Perëndimor. Meta shkeli kushtetutën në favor të politikës ruso-serbe për destabilizimin e Shqipërisë.

Po pse heziton Rama për shkarkimin e Metës në këto momente? Sepse, siç duket, nuk i intereson që të fillojë goditja antikorrupsion e niveleve të larta politike.

Po politika amerikane? Po të jetë se Rama vërtet po heziton për ngritjen e SPAK-ut, politika amerikane duhet t’i bëjë presion njëlloj si edhe Bashës. A nuk e rëndon dhe vetë Ramën çështja penale e lobimit Obama në Uashington?

Do të fillojë punën SPAK-u deri gjatë nëntorit të këtij viti?

Po. Sigurisht që duhet të fillojë. Por, politika amerikane duhet të jetë më operative në emërimin e personelit të Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Shqipëria sot ka nevojë për forcën amerikane kundër KLP-së të Gent Ibrahimi, dhe dredhive antikombëtare të Edi Ramës. Politika është forcë, dhe më mirë nga të gjithë këtë e dinë amerikanët.

Do të goditet ashpër korrupsioni i lartë shtetëror dhe krimi i organizuar në Shqipëri?

Nuk ka diskutim. Kundër tij, ekspertiza ndërkombëtare që po drejton Reformën në Drejtësi, i ka mbledhur thuajse të gjitha dokumentet që i duhen për proceset e hetimeve që do të vijnë. Por duhet të formohet SPAK-u sa më shpejt që të jetë e mundur.

Në funksion të kësaj, për faktin që goditja penale në nivelet e larta të politikës është sot emergjencë kombëtare, duhet liberalizuar Kushtetuta aktuale dhe ligjet përkatëse për mbushjen e SPAK-ut edhe me juristë jashtë sistemit aktual juridik shqiptar.

Janë qindra juristë shqiptarë sot nëpër vendet perëndimore me shkollë europiane dhe amerikane. Individët e shkëlqyer të tyre duhet të emërohen në struktura e SPAK-ut, sepse drejtësia shqiptare është në emergjencë. Prandaj duhet përshtatur legjislacioni, sepse tani opozita aktuale në Parlament, është me Reformën në Drejtësi.

Si përfundim.

Shqiptarët po presin dhe sytë i kanë nga Uashingtoni. Ndërhyrja e menjëhershme amerikane kundër politikës së vjetër franceze, që u bë flakë për flakë në datën 18 tetor, i qetësoi shqiptarët.

Koha është e shqiptarëve, kurse lidershipët që po i drejtojnë shqiptarët janë kundër interesit shqiptar, se janë të korruptuar. Kjo është arsyeja që duhen likuiduar. Me çfarë? Me reformën në drejtësi dhe forcën e politikës së aleatëve në Uashington dhe në Berlin.

Skip to toolbar