“Viti i sigurisë rrugore”, në një javë 37 shoferë të arrestuar e mijëra të gjobitur

Gjatë fundjavës të javës që lam pas, Policia Rrugore vijoi me kontrolle të përforcuara në rrugët e kryeqytetit duke arrestuar disa persona dhe pezulluar dhjetëra leje drejtimi. Konkretisht. Sipas një komunikate të lëshuar nga Policia e Shtetit, gjatë javës së kaluar janë arrestuar 37 drejtues mjetesh dhe motomjetesh. Nga këta, 17 shoferë janë arrestuar në gjendjet ë dehur, 18 të papajisur me leje drejtimi si dhe 2 drejtues mjetesh u arrestuan për “Korrupsion aktiv ndaj personave që kryejnë funksione publike”.

Gjithashtu, janë pezulluar 98 leje drejtimi, nga të cilat 26 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 59 për shpejtësi mbi normat e lejuara, si dhe 13 për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor. Ndërkohë, numri i gjobave ndaj drejtuesve të mjeteve për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor është mbi 3 mijë në pak ditë. Konkretisht, 138 drejtues motomjetesh janë proceduar administrativisht për mospërdorim të kaskës mbrojtëse.

54 shoferë kanë marrë gjobë për shkelje të semaforit, 352 shoferë janë gjobitur pasi kanë përdorur celularin gjatë drejtimit të mjetit, 146 shoferë janë gjobitur pasi nuk u dhanë përparësi këmbësorëve. Ndërsa, për parkim të gabuar, janë gjobitur 2934 mjete. Ndërkohë, gjatë ditës së hënën, kur u kremtua 107 vjetori i themelimit të Policisë së Shtetit, drejtuesit e kësaj organizate u shprehën se viti 2020 do të jetë viti i sigurisë rrugore.

Qindra gjoba dhe 5 shoferë të arrestuar në 24 orët e fundit

Policia Rrugore vijon punën për rritjen e sigurisë në rrugë. Gjatë 24 orëve të fundit, në qarqet Tiranë, Durrës, Berat, Fier, Lezhë dhe në bashkinë Fushë-Krujë, janë pezulluar 75 leje drejtimi për shpejtësi tej normave të lejuara, të konstatuara nga 6 radarë, 4 nga të cilët Trucam.

“Për tejkalim të shpejtësisë por pa masë plotësese, janë vendosur 105 masa administrative, matur me radar, kryesisht në rrugët urbane. Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë përdorur edhe aparatet alkooltestues drager . Si rezultat  i kontrolleve janë pezulluar 14 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, si dhe janë arrestuar në flagrancë 5 drejtues automjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Në të gjithë vendin, nga shërbimet e Policisë Rrugore janë vendosur:  243 masa administrative për parakalime dhe manovra të gabuara në rrugë; 230 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit;  647 masa për parkime të gabuara; 74 masa për mosvendosje të rripit të sigurisë;  40 masa për mosvendosje të kaskës mbrojtëse; 28 masa për mungesë siguracioni; 443 masa për shkelje të ndryshme.

Gjatë kontrolleve, në 24 orët e fundit janë goditur 2 raste të mitëdhënies nga Policia Rrugore e Tiranës, si edhe një rast i qarkullimit me armë në mjet, nga Policia Rrugore e Lezhës. Parandalimi i aksidenteve, prioritet kryesor i Policisë Rrugore”, thuhet në një njoftim të Policisë së Shtetit.

Skip to toolbar