Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka dalë në një konferencë për shtyp, ku ka lajmëruar se dita e hënë do të jetë pushim për nxënësit e shkollave të qarkut Durrës, Tiranë dhe Elbasan. Shahini u shpreh se ky vendim është marrë pas konsultimeve me psikologë, pas gjendjes së krijuar nga tërmeti.
“Duke e marrë këtë parasysh, si dhe duke dëgjuar me shumë respekt sugjerimet e psiokologëve të ndryshëm që na kanë kontaktuar dje dhe sot, kemi vendosur që: Dita e nesërme për të gjithe nxënësit e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, të jetë pushim! Ditë pushimi të jetë njëkohësisht edhe për prindërit e nxënësve të shkollave 9-vjecare, të cilët punojnë në administratë shtetërore. Fatmirësisht, situata ne terren paraqitet drejt normalizimit, por që familjet e afektuara të tejkalojnë ankthin e djeshëm, u pa e arsyeshme që nxënësit e zonave të lartpërmendura bashkë me prindërit e tyre që punojnë në administratë shtetërore, ta kalojnë ditën e nesërme të lirë e të qëndrojnë me njëri-tjetrin”, njoftoi ministrja.
Ajo ka folur edhe për dëmet e shkaktuara nga tërmeti në disa shkolla. Sipas Shahinit, në Tiranë, Durrës dhe Elbasan ka pasur dëmtime në 2 shkolla, të cilat kanë probleme serioze, ndërsa në 98 të tjera ka pasur plasaritje të mureve dhe fasadave. Ministrja u shpreh se gjithçka është nën kontroll.
“Për fatin tonë të mirë, janë vetëm dy objekte shkollore që kanë pësuar dëmtime në masën që të mos jetë e sigurt hapja e shkollës të hënën. Një nga këto shkolla është klasë vartëse e shkollës qendër “Berxullë”, me numër të vogël nxënësish të cilëve do t’i sigurohet transporti për t’i dërguar në shkollën qendër. Ndërsa shkolla tjetër, është prapë shkollë vartëse në Tiranë, por do të bëjmë njoftimin për këtë shkollë pasi të marrim konfirmimin final nga Bashkia Tiranelë për gjendjen e saj. 98 shkolla të tjera kanë pësuar dëmtime si plasaritje fasadash, në muret e brendshme të shkollave apo ato të jashtme – pjesa kryesore e të cilave janë sanuar dhe pastruar gjatë ditës së sotme nga ekipet e bashkisë. Pra, dua t’ju siguroj, se insfrastruktura shkollore është gati për të vazhduar normalisht mësimin qysh nesër”, tha Shahini.