Përplasjet fizike te teatri, tërhiqet policia, artistët kërkojnë referendum

Tensionohet situata tek Teatri Kombëtar ku që prej mëngjesit të mërkurës po protestohet për të ndaluar prishjen e tij. Një grup artistësh dhe qytetarësh kanë vendosur të mos lejojnë prishjen e teatrit dhe kërkojnë restaurim të tij, por jo ndërtimin e një godine të re. Gjatë pasdites situata është tensionuar ku ka pasur një moment përplasje për disa minuta mes policisë dhe qytetarëve. Qytetarët kanë tentuar të çajnë gardhin e policisë, e vendosur më herët për të mos i lejuar ato të hyjnë brenda.

21:40/ Policia largohet nga teatri, artistët futen brenda godinës

Forcat e Policisë dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) kanë larguar rrethimin që kishin vendosur rreth godinës së teatrit Kombëtar. Policia dhe FNSH kanë lejuar qytetarët aktivistë dhe artistët të hyjnë brenda godinës së teatrit dhe janë larguar fare nga ambientet e saj për të mos shkaktuar më tensione. Në teatër mungon energjia elektrike, ndërsa arritët vijojnë qëndresën e tyre me elektrikë në duar.

20:30/ Protestuesit çajnë gardhin metalik, hidhet spraj djegës

Situata ka vijuar të tensionohet mes policisë dhe artistëve dhe qytetarëve mbështetës ndaj kauzës së teatrit Kombëtar. Pas përplasjeve fizike, qytetarët kanë mundur të çajnë gardhin e policisë, e cila ka reaguar duke hedhur spraj djegës në drejtim të tyre. Për pasojë  një nga qytetarët është ndjerë keq dhe ka humbur ndjenjat për disa minuta. Në ndihmë të tij erdhën qytetarët.

19:35/ Artistët përplasen me policinë, kërkojnë referendum për teatrin

Qytetarët kanë tentuar të largojnë gardhin dhe të gjuajnë me shishe plastike në drejtim të policisë ndërsa është dashur ndërhyrja e FNSH për normalizimin e situatës. Tensionet ndodhën gjatë kohës që ishte duke folur aktori Neritan Liçaj, i cili u bëri thirrje qytetarëve për mbështetje për të çarë rrethimin e policisë para teatrit. Liçaj gjithashtu bëri thirrje që kjo çështje të shkojë në referendum dhe atëherë të flasë “pakica” duke i dërguar këtu një mesazh kryeministrit Rama, i cili tha më herët se “asnjë minorancë nuk mund të marrë peng asgjë e askënd në këtë vend”.

“Ju lutemi qytetarëve për mbështetje për të çarë rrethimin e policisë. Kemi edhe një mesazh për kryeministrin; Nuk mund të sulmosh artistët, kulturën me dhunë. Nëse mendon se ne jemi pakicë le të përballemi në referendum. Jemi të vendosur që të mos lejojmë qeverinë për shembjen e teatrit”. – tha Liçaj

Protesta mori një konotacion politik, pasi gjatë paradites ju bashkuan eksponentë dhe anëtarë të PD dhe të LSI, në krye të së cilëve ishte kryedemokrati Lulzim Basha. Ndërsa kreu i PD-së u duk sikur do të qëndronte gjatë me ta, në fakt ndenji vetëm një orë dhe më pas u largua me arsyetimin se kishte një drekë pune. Basha njoftoi se të enjten PD do të nënshkruaj një marrëveshje me përfaqësuesit e Alencës për mbrojtjen e Teatrit.

Basha ‘kërcënon’ arkitektët e huaj: Gropa e teatrit do të jetë për ju

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka bërë një reagim të hënën në lidhje me prishjen e Teatrit Kombëtar. Në një koment në rrjetet sociale, Basha e cilëson projektin për teatrin si “kriminal grabitqar”. “Projekti i teatrit kombëtar është projekt kriminal grabitqar. Ai ka vetëm një qëllim: grabitjen nga Rama të dhjetëra milionave euro. Njësoj si projekti i stadiumit, ku Edi Rama është pronari i vërtetë i gjysmës tij. Njësoj si projekti i unazës ku Edi Rama do vjedhë miliona euro. Një hajdut psiqik që nuk ngopet pa vjedhur të gjithë Shqipërinë”, shkruan Basha.

Kreu i demokratëve shprehet me tone të ashpra  në lidhje me arkitektët, duke i kërcënuar ata, qoftë të huaj apo vendas, se do të përgjgjen përpara përgjegjësisë për korrupsion. “Dua t’i them troç çdo arkitekti të huaj e vendas, çdo funksionari, çdo drejtuesi nga më i parëndësishmi tek Edi Rama se do të përgjigjen para drejtësisë për këtë korrupsion masiv dhe krimin që po i bëjnë pasurive dhe parave publike”.

Në fund, Lulzim Basha shprehet se “gropa që do të hapin në truallin e teatrit, do të jetë gropa e tre”. “Atyre që mendojnë se do të ndërtojnë, dua t’ju them se ndërtimi do të jetë burgu i tyre. Dua t’u them qartë: gropa që mendojnë se do të hapin në truallin e teatrit do të jetë gropa e tyre”, përfundon komenti i Lulzim Bashës. .

Skip to toolbar