Meta sqaron takimin me Alex Soros

Dy ditë pasi priti në zyrë djalin e George Soros, Aleksandër Soros, takim për të cilin u kritikua shumë, duke marrë shkas nga akuzat e tij të forta ndaj miliarderit amerikan, Ilir Meta ka bërë një reagim publik në lidhje me arsyet e këtij takimi. Meta shprehet se kërkesa për takimin ka qenë e “Fondacionit Soros”, pas akuzave publike për rolin e këtij fondacioni në kapjen e drejtësisë së re nga Kryeministër.

“Unë nuk i di arsyet e vizitës së z.Soros në Tiranë, dhe as kam pyetur për to, pasi Shqipëria është e hapur për t’u vizituar nga të gjithë. Ajo që di është se nga muaji korrik kur unë bëra publike disa akuza për rolin e Fondacionit “Shoqëria e hapur” për kapjen e drejtësisë së re nga Kryeministri, ka patur disa kërkesa zyrtare për takim nga përfaqësues të këtij Fondacioni, në veçanti për të sqaruar pozicionin e tyre lidhur me Reformën në Drejtësi”, thotë Meta.

Por, kreu i shtetit ka bërë një tërheqje në lidhje me akuzat e ngritura gjatë verës. Nga deklarata e të dielës, Meta shprehet se “ajo që di është se nga muaji korrik kur unë bëra publike disa akuza për rolin e Fondacionit “Shoqëria e hapur” për kapjen e drejtësisë së re nga Kryeministri”, duke deklaruar se akuzat ishin ndaj fondacionit, dhe jo George Soros direkt. Por, në të vërtetë, Meta iu drejtua në akuzat e tij në korrik, miliarderit amerikan dhe të birit, për të cilin u shpreh se viziton shpesh Tiranën. “Kam dy fjalë edhe për Sorosin; i them Sorosit t`i gëzojë miliardat e veta. Shqipëria është vend i vogël për përmasat e tij. Të vazhdojë punën dhe të investojë në tregjet e mëdha, se Ilir Meta nuk është i racës së Gruevskit është President i Shqipërisë dhe do i dalë për Zot Shqipërisë. Është i racës së Avni Rustemit”, tha ndër të tjera Meta kur e akuzoi drejtpërdrejt George Soros për ndikimin e tij te Reforma në Drejtësi. Megjithatë, pas takimit me djalin e miliarderit amerikan, ai duket se ka ndryshuar qëndrim dhe është zbutur në akuzat e tij.

Më tej, ai sqaron se nëse nuk do e kishte pritur Aleks Soros në takim, “do të ishte jo etike nga ana e tij”. Meta shprehet se “shmangiet dhe gënjeshtrat nuk jaën në karakterin e tij”. Lidhur me temat e diskutuara në takim, Meta thotë se foli për katër tema, jo tre siç njoftoi zëdhënësi i tij në deklaratën për shtyp.

“Takimi është bërë me kërkesë zyrtare dhe ka qenë zyrtar. Tema e të ashtuquajturit “Mini-Shengen” nuk ka ekzistuar në takim. Tre temat që unë jam përqëndruar kanë qenë kapja e drejtësisë nga Kryeministri, përkeqësimi i lirisë së medias dhe të lirisë së shprehjes, dhe gjallërimi i shoqërisë civile në vend kundër shkeljes së të drejtave të njeriut dhe dhunimit të vlerave të demokracisë. E vetmja temë që nuk u përmend nga Zëdhënësi im ishte ajo e menaxhimit të pasojave të tërmetit”, thotë Meta.

Në fund, duke përmendur dhe njëherë qëndrimin e tij për Mini-Shegenin, “se çdo iniciativë rajonale është e dobishme kur është gjithëpërfshirëse e jo përjashtuese, kur udhëhiqet nga partneriteti dhe jo paternalizmi, kur sjell kohezion dhe jo konfuzion, e aq më tepër përçarje”, Meta thotë se asnjë takim i tij nuk e ndryshon axhendën për “sovranitetin”.

“Asnjë takim nuk e ndryshon axhendën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe përkushtimin e Tij për t’iu rikthyer sovranitetin të gjithë qytetarëve shqiptarë përmes garantimit të zbatimit të referendumit si e drejtë kushtetuese. Shqipëria e para, Shqipëria në Bashkimin Europian”, thotë Meta.

Kujtojmë se në muajin korrik, Ilir Meta akuzoi Geroge Soros për “deep state”. Fondacioni “Soros” është një nga donatorët dhe mbështetësit e Reformës në Drejtësi në Shqipëri. Gjithashtu, ky fondacion dhe familja Soros, ishin nga të parët që reaguan për tërmetin e 26 nëntorit, duke shprehur mbështetjen me dhurimin e rreth 500 mijë dollarëve për rindërtimin. Meta pranon se është folur dhe për këtë temë, por ajo nuk u bë publike të shtunën nga zëdhënësi i tij, Tedi Blushi.

Tedi i Presidentit: Jemi shtet. Poshtë grupi i strukturuar (diplomatik)

Rekomandimi i dërgimit të çështjes së Gjykatës Kushtetuese në Komisionin e Venecias nga disa përfaqësues diplomatik në Tiranë, bëri që kreu i shtetit Ilir Meta të dilte jashtë çdo kontrolli me sulme dhe fjalë ofenduese ndaj tyre. Këto sulme nuk kanë të ndalur, ku pas epiteteve “vagabond, “palaço”, apo “të korruptuar nga Rama”, gjatë sulmit të radhës Presidenti, përmes Tedit të tij, ka shtuar edhe “grup i strukturuar” (diplomatik), por duke insinuuar si të ishte një grup i organizuar kriminal që dhunojnë çdo normë diplomatike duke diskutuar ligjshmërinë e dekreteve të Metës.

Fill pas deklaratave të ambasadores franceze Vazak, e cila rekomandoi se konflikti i krijuar në Gjykatën Kushtetuese të zgjidhet nga Venecia, zëdhënësi i Metës, Tedi Blushi ka vijuar sulmet ndaj ambasadorëve duke i cilësuar ata si “qesharak e karagjoz” pse rekomandojnë pikërisht një gjë të tillë.

Presidenti Meta nuk ndalon asnjë ambasador të bëhet qesharak dhe karagjoz duke hyrë në debate juridike që nuk ekzistojnë, pasi Kushtetuta dhe ligji për Gjykatën Kushtetuese e kanë të shkruar qartë dhe prerë se Presidenti s’mund të bëjë dy emërime të menjëhershme në Gjykatën Kushtetuese. Por Presidenti nuk i ndalon ata t’i drejtohen vetë Komisionit të Venecias e ta pyesin: Kush është me e rëndësishme, Kushtetuta e Shqipërisë apo Dvorani i Partisë?

Ndërsa Presidenti ka një pyetje për këta dhunues të çdo norme diplomatike dhe Konvente: A i keni marrë leje Kryetarit të shtetit tuaj kur hyni në lojërat e grupit të strukturuar diplomatik për të diskutuar dekretet e Kryetarit të një shteti që e ka shpallur Pavarësinë që në vitin 1912″ shkruan Blushi.

Ky reagim erdhi menjëherë pas deklaratave të ambasadores franceze në Tiranë, Kristina Vazak, e cila tha se nuk ka asgjë shqetësuese apo të jashtëzakonshme nëse çështja çohet në Venecia. Deklarata e ambasadores Vazak ishte një mbështetje e deklaratave të mëparshme të SHBA dhe ambasadorit italian Cutillo, të cilët rekomanduan konsulencën e Komisionit të Venecias për zgjidhjen e ngërçit të Gjykatës Kushtetuese.

Pikërisht dërgimi i çështjes në Venecia, çmendi presidentin Meta që sulmoi në mënyrë të paprecedentë ambasadorët e huaj në Shqipëri, kjo për faktin se ai komision është shprehur pro precedentit Vorpsi në të kaluarën.

Presidenca, Ballës: Halli yt është projektligji tjetër që do të kthejmë

Presidenca ka paralajmëruar kthimin në Kuvend për rishqyrtim të një tjetër ligji ditën e mërkurë. Pas kthimit të ligjit për ndryshimet në Kodin Penal të martën, ku presidenti Meta vlerësoi tentativat pozitive të ligjit, por kërkoi përmirësim të disa neneve për të shmangur keqinterpretimet e tyre në zbatim, duket se nga sirtari i Presidentit do të dalë në tjetër ligji (nuk dihet ende se cili) që nuk do të dekretohet.

Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, i cili i është përgjigjur njëkohësisht edhe reagimit të Sekretarit të Përgjithshëm të PS, Taulant Balla.

Balla pas rikthimit të ligji për Kodin Penal nga Meta, e cilësoi atë si “President në detyrë” duke paralajmëruar se ai nuk mund t’i pengojë ato, por në shtator secila prej ndryshimeve të kontestuara do të hyjë në fuqi.  

Në reagimin e tij Blushi tha se deklaratat kërcënuese të “Tao Taove” nuk e trembin aspak Presidentin, i cili vijon pushimet e tij malore,”por e frymëzojnë atë të ngjitet edhe më lartë”. Blushi thekson se në fakt halli kryesor i “Tao Taove” nuk është ky projektligj, por projektligji tjetër që është kthyer dhe që do publikohet nesër (të mërkurën). Në deklaratën e tij, Blushi thekson se në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, i takon Presidentit të shqyrtojë me rigorozitet maksimal çdo ligj.

Që t’i dhimbsen policët Tao Taos, kjo është një shaka që përmbys së qeshuri të gjithë pushuesit në plazh, të cilët e dinë veprimtarinë e tij plot bëma kundër ligjit dhe në shërbim të të fortëve. Presidenti i ka vlerësuar qëllimet pozitive të ligjit në parim, por i ka rikthyer ndryshimet e propozuara në Kodin Penal për t’u bërë përmirësimet e domosdoshme për zbatim efikas. Në kushtet kur Tao Tao drejton opozitën në Parlament dhe kur Tao Taot kanë bllokuar prej dy vitesh Gjykatën Kushtetuese, është detyrë e Presidentit të shqyrtojë me rigorozitet maksimal çdo ligj, me qëllim përmirësimin e tyre si në rastin konkret.

Por halli kryesor i Tao Taove nuk është ky projektligj, por projektligji tjetër që është kthyer dhe që do publikohet nesër. Pakica që nuk njeh rotacion, jo vetëm që nuk ia prish pushimet malore Presidentit me kërcënimet e saj të lodhura, por e frymëzon për të ngjitur maja më të larta në ditët që vijnë.

Ndërsa për sa i takon shtatorit, Presidenti është besimplotë se do ta gjejë në Majën më të lartë, atë të Korabit.” – shkruan Blushi

Shpërthen prapë Meta: E ka me Voltanën apo me KQZ?

Ndonëse pritej që Presidenti i Republikës të dënonte aktet e dhunës dhe futjen me forcë nga militantë të opozitës në KZAZ-në e Tropojës, kreu i shtetit ka reaguar nëpërmjet zëdhënësit Tedi Blushi, duke i bërë thirrje KQZ-së që të mos provokojë tensione artificiale.

“Presidenti Meta vlerëson të gjitha institucionet që zbatojnë ligjin dhe i inkurajon që ta bëjnë këtë me përgjegjshmëri maksimale dhe transparencë të plotë. Presidenti mban shënim të gjithë personat që shkelin ligjin dhe provokojnë tensione artificiale, të cilat u shërbejnë vetëm atyre grupimeve të errëta vendase dhe të huaja, që kërkojnë destabilitet në Shqipëri dhe rajon, me qëllim defaktorizimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, shkruan zëdhënësi i Ilir Metës.

Kjo deklaratë ka ardhur fill pas konferencës për shtyp që mbajti zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxha, e cila i quajti të paligjshme veprimet e disa bashkive të drejtuar nga kryetar të opozitës, që kanë kërkuar lirimin e ambienteve publike, ku janë vendosur Komizionet Zonalet të Administrimit të Zgjedhjeve.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vlerëson se këto kërkesa janë në tejkalim të kompetencave, të drejtave dhe detyrave të njohura nga Ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, duke cituar më të drejtën ligjin themelor që rregullon funksionet e pushtetit lokal.

Megjithatë, si kreu i shtetit dhe që mbron unitetin kombëtar, Meta i jep kurajo opozitës në njëfarë mënyre, që dekreti i tij për anulimin e zgjedhjeve, i cilësuar i jashtëligjshëm nga Qeveria dhe i panjohur nga KQZ, të gjejë zbatim në rrugë të tjera, krejtësisht antiligjore nëpërmjet ndërhyrjes me dhunë dhe prishjes së materialeve zgjedhore. Tani një pyetje duhet ti përgjigjet Presidenti: dhuna e Tropojës apo KQZ është veprim destabilizues i forcave të huaja që nuk e duan vendin?

Të hënën nis shkarkimi, acarohet Meta: Parlament i çunave të Shijakut

Në kohën kur Kryeministri Edi Rama ishte duke folur nga Kolonja, ku bëri jo pak ironi me Presidentin e Republikës, dhe drejtuesit e opozitës, ka ardhur një reagim i fortë nga zëdhënësi i Ilir Metës, që duket edhe në një formë kërcënimi.

Kur na ndajnë vetëm 48 orë nga koha kur PS do të dërgojë në Kuvend Mocionin për shkarkimin e Ilir Metës, zëdhënësi i këtij të fundit, Tedi Blushi ka shkruar në rrjetet sociale se: “Ilir Meta është zgjedhur President nga një Parlament plotësisht legjitim, jo nga ky i sotmi. Nga momenti që ai është betuar me dorën mbi Kushtetutë i përket vetëm Republikës”.

Duke vijuar më tej, në mesazhin e shkruar nga z.Blushi, i cili i quan deputetët socialistë “çuna të Shijakut”, duke nënkuptuar bandën e fisit Avdylaj, shprehet se ata që kërkojnë të instalojnë “Narko-Republikën” e bandave do të marrin përgjigjen e merituar nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë.

Mocioni i “çunave të Shijakut” që kërkon të instalojë “Narko-Republikën” e bandave dhe oligarkëve do të marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Shqipëria e para! Shqipëria si gjithë Europa!”, shkruan Tedi Blushi.

Pra, ky mesazh, të lë të kuptohet se në zyrën e kreut të shtetit është përgatitur plani për shpërndarjen e Parlamentit, që në fakt u nënkuptua më herët, kur Ilir Meta kërkoi nga KQZ listën e deputetëve të Parlamentit.

Kjo e sotmja, është ndoshta deklarata më e fortë e bërë nga zëri zyrtar i Presidentit të Republikës, çka nënkupton se tashmë palët janë pozicionuar në “llogore” dhe “lufta” po merr trajtë të nxehtë.

Skip to toolbar