Tre gjimnaziste nga Tirana ishin të enjten
fitueset e vendit të parë në një konkurs të organizatës Technovation në San
Francisco të Kalifornisë për zgjidhjen e problemve reale në komunitetet e tyre
përmes teknologjisë. Çdo vit, ekipe vajzash nga e gjithë bota marrin pjesë në
këtë garë. Vajzat nga Tirana paraqitën një aplikacion që u vjen në ndihmë grave
dhe vajzave të dhunuara në shoqërinë shqiptare.
Ka qënë një rrugëtim emocional dhe
mbresëlënës për këto tre gjimnaziste të Tiranës, që iu përgjigjën sfidës së
organizatës Technovation duke gjetur zgjidhje për një problem mjaft të mprehtë
të shoqërisë ku jetojnë – dhunës gjinore.
“Që në fillim donim që të ndihmonim në një
farë mënyre gratë shqiptare dhe duke marrë parasysh mentalitetin shqiptar,
menduam që të trajtonim një temë si dhuna me bazë gjinore, që do të ishte
mënyra më e mirë për t’u ardhur në ndihmë”, thotë 15 vjeçarja Jonada Shukarasi.
Aplikacioni i ndërtuar prej tyre, përmbledh
në një menu shumë të thjeshtë të gjithë numrat telefonikë që mund të marrin
gratë në një situatë të caktuar. Një zgjidhje praktike e cila vjen edhe me një
numër këshillash për të gjetur zgjidhje në situata delikate.
“Ne jetojmë në një shoqëri patriarkale. Kemi
dalë nga komunizmi dhe sigurisht që ka një dominancë të gjinisë mashkullore në
shoqëri dhe një mentalitet shumë të prapambetur që gratë nuk mund të jenë të
pavarura dhe nuk mund të shkollohen, të bëjnë përpara në jetë, të kenë financat
e tyre dhe e gjithë kjo reflektohet edhe në rininë e sotme, edhe pse ka shumë
ndryshime. Ne shohim shenja të hershme të kësaj dhune që reflektohet në
marrëdhëniet e miqve tanë sot”, thotë Dea Rrozhani.
Programi ka qënë shtysa e duhur drejt
teknologjisë për këto vajza në një shoqëri të dominuar nga mentaliteti se
djemtë janë më të prirur për të qënë të aftë në fushat inxhinierike.
“Për djemtë ka qënë gjithmonë më e thjeshtë
që të futen në teknologji. Që të vegjël i shtyjnë tek lojrat kompjuterike
ndërsa vajzat i mënjanojnë nga kjo pjesë sepse është pikërisht ai mentaliteti
maskilist, patriarkal që do t’i ngrerë djemtë më lartë se vajzat. Gjithmonë ka
patur një mentalitet të gabuar për vajzat në teknologji apo edhe në fusha të tjera
siç është biznesi”, thotë Arla Hoxha.
Megjithë përpjekjet për të ndryshuar këtë
tendencë dhe për të inkurajuar brezin e ri drejt në qasje më të drejtë të
barazisë gjinore, vajzat thonë se mbetet ende shumë punë për t’u bërë.
“Edhe nëpër shkollat tona ne bëjmë IT dhe nga
vetë mësuesit e IT-së vajzat nuk marrin aq mbështetje. U jepet prioritet djemve
dhe vajzat lihen mënjanë, anashkalohen duke menduar se ato nuk do të bëjnë
karrierë në atë fushë më vonë, gjë që nuk është e drejtë”, thotë Jonada Shukarasi.
Përvoja e këtyre vajzave në këtë program të
financuar nga kompani të mëdha të teknologjisë në Silicon Valley do të ketë një
efekt të fuqishëm në jetën e tyre shumë kohë pas përfundimit të këtij programi.
Të frymëzuara nga kjo fitore ato kanë fituar
besimin se kanë aftësinë të zgjidhin probleme të komunitetit dhe të ndihmojnë
në thyerjen e barrierave gjinore për të çuar përpara shoqërinë shqiptare. /VOA