Dy ditë më parë, Ilir Meta i drejtohej me një letër shqetësuese, Kryeministrit Edi Rama, Ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe disa institucioneve të tjera, ku kërkonte informacion në lidhje me masat e marra për një tërmet, që sipas Metës pritet të godasë vendin tonë dhe do të jetë me përmasa apokaliptike. Në përgjigjen, që Xhaçka i kthen Metës, ajo qetëson Presidentin, duke i pohuar edhe faktin që “pas konsultimeve me specialistë të fushës, rezulton se tërmetet janë një fenomen i paparashikueshëm”.
“Përfitoj nga rasti për t’ju informuar ju, e përmes jush edhe mbarë opinionin, pas konsultimeve me Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), se aftësia për të parashikuar vitin, datën e orën kur do të godasë një tërmet, apo fuqinë me të cilën do të godasë shkon përtej mundësive të shkencës. Tërmetet për fat të keq janë të paparashikueshëm. Ky është një fakt që e konfirmojnë sizmiologët tanë dhe çdo sizmiolog kudo në botë. Për më tepër, e konfirmon edhe vetë sizmiologu i njohur Tselentis, fjalët e të cilit janë bërë shkas për shqetësimin tuaj”, shprehej Xhaçka..
Megjithatë, shqetësimit të Presidentit, Olta Xhaçka i është përgjigjur duke i kujtuar edhe ligjin “Për mbrojtjen civile”, miratuar së fundi në Kuvend, dhe dërguar në zyrën e Presidentit për dekretim. “Ndërkohë, shprehja më e qartë e seriozitetit të punës sonë është ligji “Për Mbrojtjen Civile”, që pret sot dekretimin nga ana juaj. Është një ligj i hartuar me ekspertizën e mbështetjen e ekspertëve më të mirë vendas e të huaj, dhe që do të transformojë qasjen e vendit tonë ndaj emergjencave duke e zhvendosur fokusin nga reagimi, tek parapërgatitja, parandalimi e zvogëlimi i riskut. Unë besoj që duke dekretuar këtë ligj, pa humbur kohë, ju do të jepni një kontribut real në përgatitjen e vendit tonë për t’u përballur sa më mirë, e me sa më pak dëme me çdo lloj fatkeqësie natyrore, përfshirë edhe tërmetet, të cilat, pavarësisht dëshirës sonë, në fund, mbeten të pakontrollueshme e të paparashikueshëm”, shprehet Olta Xhaçka.
Pas kësaj kërkese të Olta Xhaçkës, ka ardhur reagimi i Presidentit me anë të zëdhënësit Tedi Blushi, i cili është shprehur se “ligji ‘Për mbrojtjen civile’ është dekretuar para se të përfundojë afati”. Por duket se Presidenca në këtë rast ka dalë blof, pasi ligji, të paktën publikisht nuk gjendet askund i dekretuar. Nga një verifikim në faqen e presidencës, në seksionin e ‘Dekreteve’, shihen disa ligje të dekretuara ose jo, por ai për “Mbrojtjen civile” jo. Në fakt, as në Fletoren Zyrtare nuk është i publikuar ende dekretimi i këtij ligji.