Bashkia e Tiranës premton ndërtimin e 17 shkollave: Fund mësimit me dy turne

Bashkia e Tiranës ka në planet e saj ndërtimin e 17 shkollave të reja në kryeqytet të cilat do t’i japin fund mësimit me dy turne. Nënkryetari i ri i bashkisë Toni Gogu bëri të ditur se ky premtim i kryebashkiakut Veliaj për këtë mandat të dytë të drejtimit të bashkisë së Tiranës është plotësisht i relizueshëm.

Ai gjithashtu tha se prioritet në këtë mandat do të jetë zhvillimi i fshatrave të Tiranës.

“Janë një sërë sfidash të tjera. 17 shkolla të reja. Duhet të vazhdojmë sfidën me rehabilitim lagjesh. Por gjithashtu sfida kryesore e këtij mandati është gjithashtu kapja e shpejtësisë për fshatin dhe për zonat rurale, pra atë pjesë të qytetit e cila për shkak të zhvillimeve dhe ritmit që ka pasur në qytet, është duke pritur ende dhe në këto zgjedhje votoi dukshëm që do të ketë të njëjtën gjë në mesin e tyre. Puna ka filluar, ekipet janë në punë, Këshilli Bashkiak është duke u bërë gati për mbledhjen e tij të parë të punës me një rend dite goxha ambicioz, kështu që jemi duke ecur”, deklaroi Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Toni Gogu në një intervistë në Report Tv.

Gogu tha se projektet më ambicioze të bashkisë për këtë mandat janë shndërrimi i Piramidës në një qendër të inovacionit teknologjik si dhe zgjatimi i Bulevardit të ri.

“Kanë filluar punimet te Bulevardi “Zogu i I”. Ajo lloj cilësie që shohim te Sheshi “Skënderbej”, që ishte sheshi më i votuar për vitin 2018 në Europë, do të vazhdojë edhe drejt Bulevardit “Zogu I”. Për shkak se është parë se si ajo që kishim më përpara me ato tullat dhe ato fasadat ka nevojë t’i përgjigjen këtij lloj sheshi që ne kemi. Janë edhe punë të tjera. Kemi sfidën, në drejtim, të Parkut të Ri, me zgjatimin e Bulevardit, me mbërritjen e Bulevardit drejt Parkut të Ri dhe që kryetari ka vendosur disa objektiva goxha ambiciozë, por që shumë të arritshëm.

Piramida është gjithashtu jashtëzakonisht shumë interesant rehabilitimi i saj dhe kthimi i gjithë asaj sipërfaqeje të rinjve të qytetit. Atyre, të cilët duan të ndeshen me sfidat e teknologjisë, por edhe të sipërmarrjes, por edhe qytetarëve të cilët duan të vështrojnë qytetin nga një pikë vështrimi tjetër. Shumë shpejt do të fillojë edhe aty puna”, bëri të ditur nënkryetari i bashkisë së Tiranës.

Toni Gogu zgjidhet kryetar i këshillit bashkiak të Tiranës

Bashkia e Tiranës konstituoi ditën e martë 61 këshilltarët e rinj që do të kryejnë mbarëvajtjen e punës dhe menaxhimit të projekteve dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të Tiranës. Këshilli bashkiak u zgjodh nga zgjedhjet e 30 qershorit dhe u mandatuan me vendim të Kolegjit Zgjedhor. Në krye të Këshillit të ri Bashkiak u  zgjodh zëvendësministri i Drejtësisë, Toni Gogu dhe nënkryetarë të këshillit u zgjodhën Vjollca Braho dhe Luan Bregasi.

Kryetari i Këshillit të Qarkut Aldrin Dalipi vlerësoi kandidaturën e Toni Gogut për detyrën e kreut të Këshillit Bashkiak të  Tiranës dhe shprehu bindjen e plotë në përmbushjen me sukses të detyrës.

“Duke mbështetur maksimalisht propozimin e drejtuesit të grupit të Partisë Socialiste, për kandidaturën e zotit Toni Gogu, si kryetar i ri i këshillit të bashkisë së Tiranës, më lejoni të vlerësoj se zoti Gogu përcjell cilësi shumë të mira qytetare dhe profesionale për këtë detyrë. Me një eksperiencë shumë të vlerësueshme për nga përkushtimi dhe korrektesa, ai ka drejtuar një organizatë të rëndësishme ndërkombëtare si Ëord Vizion për Shqipërinë dhe Kosovën. Po kaq pozitive do të vlerësoja edhe punën e tij në sistemin e drejtësisë, duke lënë gjurmë të posaçme gjatë veprimtarisë së tij deri në detyrën e zv. ministrit të drejtësisë së fundmi”, tha Aldrin Dalipi.

Skip to toolbar