Ahmataj largohet, Tirana pa trajner 4 ditë para derbit

Humbja e një jave më parë ndaj Kukësit, komplikoi dhe më tepër situatën te Tirana. Skuadra bardheblu, nga pretendente për të fituar kampionatin në fillim të sezonit, tani duket se rrezikon arritjen e një nga tre vendet e para që të çojnë në kupat e europës. Pas humbjes ndaj Kukësit, trajneri Julian Ahmataj nuk ka dalë në stërvitje me ekipin.

Siç raporton Balkanweb, trajneri elbasanas duhet të drejtonte stërvitjen e të hënës, por ai nuk është shfaqur në kompleksin stërvitor “Skënder Halili”. Ndaj, stërvitja është drejtuar nga trajneri i portierëve, Emanuel Egbo.

Klubi bardheblu nuk ka dalë në asnjë njoftim zyrtar për situatën, por duket se trajneri Ahmataj është larguar përfundimisht nga drejtimi i Tiranës. Por lajmin e largimit e ka dhënë vetë Julian Ahmataj për Balkanweb.

Tashmë pritet konfirmimi zyrtar, njëkohësisht edhe pasuesi i Ahmataj për të drejtuar ekipin në ndeshjen derbi ndaj Partizanit, që do të luhet të premten.

Ahmataj është trajneri i dytë që largohet nga Tirana në pak javë, pasi më herët u largua nga drejtimi i skuadrës Ardi Mema. Emrat e përfolur më herët për të marrë drejtimin e skuadrës janë Gugash Magani dhe Bledar Devolli.

Priten debutime, Reja: Kam djem inteligjent, të japin maksimumin

Kombëtarja do të përballet të enjten me Andorrën në “Elbasan Arena”, në sfidën e parafundit Eleminatore të Euro 2020. Trajneri Edy Reja foli në konferencë për mediat të mërkurën, duke u shprehur fillimisht se Andorra duhet respektuar maksimalisht.  “Kam një skuadër me djem inteligjent. Ia kam transmetuar se pika jonë e referimit është ndeshja me Andorrën. Duhet të kemi një rritje nga ana mentale. Nuk duhet nënvlerësuar kjo ndeshje, duhet të japim 110% të kapacitetit tonë”, tha Reja.

Cikalleshi mungon në dy ndeshjet e fundit të kombëtares. Për trajnerin Reja do të jetë një mungesë e rëndësishme, por ai shprehet se janë të gatshëm 5 sulmues për dy ndeshjet e fundit. “Siç e dini Cikalleshi na ka dhënë një rendiment në ndeshjet që ka luajtur. Kemi në kontingjentin tonë 5 sulmues. Kemi Kamberin, Manajn, Uzunin. Sulmuesit tanë kanë të njëjtin nivel dhe karakteristika të njëjta. Unë do të vendos nesër duke parë gjendjen më të mirë fizike. Kush do që do luajë do të japë maksimumin. Kemi dhe Seferin dhe Balajn, që janë shumë të rëndësishëm. Kemi djem të tjerë që do japin më të mirën”, tha trajneri.

Skema pritet të jetë si gjithmonë, 3-5-2. Trajneri Reja e argumenton këtë si modul që i jep më shumë mundësi sulmit.  “4-3-3 është moduli im i preferuar, e kam thënë më para, por me 3-5-2 ne kemi dy sulmues qendror. Dy anësorë që sulmojmë dhe dy mesfushor qendre. Kështu që kemi më shumë mundësi të sulmojmë. Nëse nuk ke dy sulmues krahu të shpejtë dhe dy mbrojtës krahu është e vështirë. Është e vështirë, pasi nuk kemi shumë kohë, për të provuar modul të ri. Ndihemi mirë me këtë modul dhe djemtë mund të arrijnë rezultate më të mira”, tha trajneri.

Shpulla të rinjve, ish trajneri në polici

Ish trajneri i ekipit të Laçit U-17, Ndue Tarazhi është shoqëruar në polici, pas publikimi në rrjetet sociale të një video ku shfaqet duke dhunuar dhe ofenduar lojtarët e rinj për shkak se humbën ndeshjen. Përveç gjuajtjes me shpulla, Ndue Tarazhi përdor dhe një fjalor ofendues ndaj ekipit që ai drejton.

Tarazhi është shoqëruar në polici për sqarimin e ngjarjes pas akuzave të ngritura se ka dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht të rinjtë pse humbën ndeshjen.

Kjo është një ngjarje e ndodhur disa vite më parë, por video u bë publike mbrëmjen e të martës. Aktualisht Tarazhi nuk drejton asnjë skuadër.

Dy pikë në 9 javë, Flamurtari shkarkon trajnerin

Flamurtari është në krizë të thellë këtë sezon. Skuadra vlonjate njoftoi të enjten paradite se ndërpreu bashkëpunimin me trajnerin Dritan Sadedini.

 Shkak i këtij vendimi të klubit vlonjat janë rezultatet e dobëta të fazës së parë të kampionatit.

Megjithatë, Dritan Sadedini do te vazhdoj të jetë pjese e stafit teknik te ekipit.

Flamurtari mori vetëm dy pikë në nëntë javët e para të Superligës, duke shënuar rezultatet më të dobëta në vitet e fundit.

Skuadra e Flamurtarit pësoi ndryshime të mëdha këtë sezon duke reformuar gjithë skuadrën.

 Klubi bëri pak blerje të bujshme, ndërsa në radhët e ekipit të parë u afruan shumë lojtarë të rinj nga akademia. Ndërkohë, klubi vlonjat nuk jep të dhëna se kush do të jetë trajneri i parë i ekipit.

Ish-trajneri Argjentinës, Sampaoli: Messi vuan në Kombëtare!

Lionel Messi është lojtari më i mirë argjentinas i të gjitha kohërave, dhe pse jo më i miri në botë i brezit të tij së bashku me portugezin Cristiano Ronaldo. Megjithatë, nëse ky i fundit ka fituar një trofe të rëndësishëm me Kombëtaren, Messi ende nuk ka ngritur lart një trofe me fanellën e Argjentinës.

“Pleshti” ka dështuar në çdo kompeticion madhor që ka luajtur si futbollist i kombëtares argjentinase, pavarësisht se ka shënuar 56 gola në 129 ndeshje. Këto nuk kanë mjaftuar, ndërsa Messi ndihet keq për këtë gjë.

Ish-trajneri që udhëhoqi Argjentinën në botërorim e Rusisë, Jorge Sampaoli, ka folur në një konferencê të organizuar nga Federata Braziliane e Futbollit, ku ndër të tjera është shprehur se Messi vuan shumë kur luan me kombëtaren

“Pata fatin të stërvis lojtarin më të mirë në botë. Nuk e di nëse ai është më i miri në histori, por tani ka më shumë se 600 gola në Europë, i ka thyer të gjitha rekordet. Megjithatë, ndryshe nga pjesa tjetër e botës, në vendin e tij është kritikuar”

“Ai është një qenie njerëzore. Argjentinasit përpiqen të kënaqen me Messin, ndërsa tifozët e Barcelonës e kënaqin atë. Messi vuan shumë nga ajo që ka kaluar në kombëtare, vuan shumë nga realiteti. Ai nuk mund t’i tregojë botës gjithçka që është, kur luan për Argjentinën. Pastaj, shoqëria argjentinase gëzohet për shkatërrimin e gjërave shumë më tepër se në rast suksesesh”.

Duke folur për dështimin e Argjentinës në “Rusia 2018”, Sampaoli nënvizoi: “Të jesh trajner i një kombëtareje të Amerikës së Jugut është pothuajse e pamundur, sepse lojtarët më të mirë tanët luajnë në Europë. Ne i kemi ata vetëm për pak kohë në dispozicion, jo mjaftueshëm për t’u injektuar vlerat që duam dhe filozofinë tonë të të luajturit”.

Skip to toolbar