Trazira në Ballkan, nëse BE nuk çel dyert për Shqipërinë

Gazeta prestigjioze Financial Times parashikon se Ballkani do të përfshihet nga protestat dhe trazirat, në rast se Bashkimi Europian nuk do të ndezë dritën jeshile për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Artikulli më shumë, vë theksin te pritshmëria që kanë këty dy vende, veçanërisht Maqedonia e Veriut, e cila dha një shembull pozitiv në të gjithë Rajonin duke miratuar një marrëveshje historike me Greqinë, dhe natyrisht që pret një shpërblim nga BE. Por, ndërkohë, shkruan Financial Times, nëse Maqedonia e Veriut pranohet dhe Shqipëria lihet në pritje, atëherë kjo do të nxisë lëvizjet nacionaliste për Shqipërinë e Madhe.

“Një lëvizje e tillë do të ishte njësoj sikur t’i hidhje benzinë zjarrit të ndjenjave nacionaliste mbarë shqiptare. Politikanët dhe aktivistët në Shqipëri e Kosovë do të braktisnin shpresat e anëtarësimit në BE dhe do të përqafonin kauzën e Shqipërisë së Madhe në mënyrë më të hapur. Kjo do të ndikonte në përpjekjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Serbisë dhe Kosovës por edhe në zbutjen e tensioneve mes boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve në Bosnie Herzegovinë,” shkruhet në Financial Times.

Ballkani, sipas gazetës, është një terren pjellor për ndërhyrjet e ndërkombëtarëve, duke qenë se kohët e fundit ka tërhequr vëmendjen e Rusisë, Turqisë dhe Kinës.

Gazeta paralajmëron Bashkimin Evropian që të tregojë kujdes me vendimet që do të marrë në Samitin e Qershorit, ndonëse kritikët e zgjerimit ankohen për cilësinë e dobët të demokracisë dhe rendin ligjor në Ballkan.

Pavarësisht këtyre kritikave, Financial Times argumenton se ligjvënësit evropianë duhet të marrin parasysh edhe entuziazmin e qytetarëve ballkanas për zgjerimin.

“Besimi i të gjithë rajonit tek Bashkimi Evropian dhe entuziazmi i popujve për reformat e vështira do të zbehet nëse Bashkimi Evropian nuk jep një sinjal pozitiv. Çdo gjë tjetër do të nxiste trazira në Ballkan dhe do të dëmtonte Bashkimin Evropian. Në fund, blloku do t’i bëjë dëm vetes,” shkruhet në gazetë.

Skip to toolbar