Rruga Tropojë-Gjakovë mban emrin “Eliot Engel”

Rruga Gjakovë-Tropojë, që lidh Kosovën me Shqipërinë në pjesën veriore të vendit, nga e premtja më 5 korrik, do të mbajë emrin e ligjvënësit amerikan, Eliot Engel. Ceremonia për vënien e emrit të kësaj rruge, u zhvillua të premten në qytetin e Tropojës, ku pjesë e aktivitetit ishte Kongresmeni Engel si dhe Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta. Gjatë fjalës që mbajti para qytetarëve të Tropojës, Eliot Engel, që mori dhe titullin ‘Qytetar Nderi i Tropojës’, u shpreh se do vazhdojë të jetë gjithmonë mik i shqiptarëve.

“Është me të vërtetë nder i veçantë kur diçka merr emrin tënd dhe ti je gjallë ta shohësh,sepse kur të vdesësh është e mrekullueshme, por nuk arrin ta shohësh. Më lejoni të falënderoj miqtë e mi, Harry Bajraktari dhe Rrustem Geci, dhe të tjerët që më kanë njohur me popullin e mrekullueshëm shqiptar. Unë u them miqve në Washington e New York se mund të udhëtojnë kudo rreth botës duke qenë amerikan, por se askund nuk do të trajtohen aq mirë se nga miqtë tanë shqiptarë”, tha ai.

Ilir Meta i shprehu falënderimin kryetarit të bashkisë Tropojë dhe asaj të Gjakovës, që vendosën t`a quanin aksin rrugor që lidh dy qytetet me emrin “Eliot Engel”.

“Mirënjohjen më të madhe bashkive të Gjakovës e Tropojës që i kanë vendosur kësaj rruge emrin e zotit Eliot Engel, por unë jam i sigurt që emri i tij është i gdhendur në çdo zemër shqiptare që rreh shqip, këtu në Malësinë e Gjakovës, në Neë York, në Shqipëri, Kosovë, gjithë trojet tona dhe kudo në botë”, tha presidenti Meta.

Eliot Engel është një nga përfaqësuesit e lartë të politikës amerikane, që ndër vite ka mbështetur çështjen shqiptare, dhe atë të pavarësisë së Kosovës në veçanti. Në nder të tij, tashmë do të jetë dhe emri i rrugës Tropojë-Gjakovë, një aks që i shtohet busteve dhe shtatoreve, që janë ngritur në shenjë mirënjohje ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kanë mbështetur përherë çështjen shqiptare.

Skip to toolbar