“Mirënjohje për marrëveshjen me Serbinë”, Thaçi letër Trump e nderon me medaljen “Urdhëri i Lirisë”

Kosova pritet t’i japë presidentit amerikan Donald Trump medalje, për rolin e tij për ta ndihmuar Kosovën dhe Serbinë në arritjen e marrëveshjes sa i përket normalizimit të raporteve ekonomike, shkruan Reuters.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në letrën të cilën e ka parë Reuters, ka informuar Trumpin se do të pranojë medaljen e Kosovës, Urdhri i Lirisë.

Me medalje do të bëhen edhe këshilltari për Siguri Kombëtare i Trumpit, Robert O’Brien si dhe emisari i posaçëm amerikan për bisedimet Kosovës Serbi.

Kujtojmë që Kosova dhe Serbia janë pajtuar në Uashington për një bashkëpunim ekonomik, ndërsa tani mbetet të trajtohet edhe normalizimi politik.

Në letrën dërguar Trumpit, Thaçi shpreh “mirënjohje për kontributin e dhënë për marrëveshjen”, duke e ftuar që ta vizitojë Kosovën.

Vijon gjyqi i Presidentit Trump në Senat

Demokratët e Kongresit akuzuan Presidentin Donald Trump të mërkurën për hartimin e “një skeme korruptive” për të bërë presion ndaj Ukrainës që të hetonte rivalin e tij kryesor në zgjedhjet e 2020-ës, ish nënpresidentin Joe Biden. Në ditën e parë të hapjes së argumenteve para 100 senatorëve amerikanë që do të vendosin nëse presidenti Trump duhet të shkarkohet nga detyra apo jo, ligjvënësi Adam Schiff tha se votimi për akuzat ndaj Presidentit do të pasqyrojë imazhin e Amerikës në të gjithë botën.

Pas disa ditë ceremonish dhe betejash procedurale, ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve që luajnë rolin e prokurorëve filluan paraqitjen e argumentave në Senatin amerikan.

“Presidenti Trump vonoi qindra miliona dollarë ndihma ushtarake ndaj një partneri strategjik në luftë me Rusinë, për të siguruar ndihmën e huaj në rizgjedhjen e tij. Me fjalë të tjera, për të mashtruar. Në këtë mënyrë, presidenti përdori pushtetin zyrtar shtetëror të disponueshme vetëm për të, dhe të padisponueshme për çdo kundërshtar politik, për të përfituar në një zgjedhje demokratik”, tha demokrati Adam Schiff.

Demokratët thonë se ka edhe më shumë prova për t’u zbuluar, por dështuan në përpjekjen e tyre të parë të martën për të detyruar udhëheqësin e shumicës në Senat Mitch McConnell për të thirrur dëshmitarë në fillim të gjykimit.

“Gjëja e parë që amerikanët panë, kur filluan të ndjekin gjyqin e Presidentit Trump, ishin senatorët republikanë që votuan kundër një gjykimi të drejtë me prova përkatëse. Gjyqi për fajësimin e Presidentit Trump fillon me një grumbull resh mbi të, re padrejtësish”, tha senatori Chuck Schumer.

McConnell tha se nuk do të merret asnjë vendim në lidhje me dëshmitarët deri sa të mbarojnë argumentat hapëse – por mund t’i lejojë ata në respekt të shumicës së amerikanëve që duan të thirren dëshmitarët.

“Ai e kupton se nëse duket si një gjyq i rremë, nga pikëpamja e opinionit publik do të ishte keq dhe mund të jetë e dëmshme për republikanët në nëntor. Kështu që ai dëshiron që ky të duket si një gjykim i plotë në kuptimin që ka deklarata hapëse nga secila palë dhe senatorët kanë një shans të bëjnë pyetje. Por sigurisht, ai nuk dëshiron që gjyqi të vazhdojë pafundësisht, dhe dëshiron që në fund presidenti të shpallet i pafajshëm”, thotë Darrell West i Institutit Brookings.

Një ditë maratonë argumentash kundër presidentit Trump nuk duket se ndryshoi opinionet e senatorëve republikanë.

“Dinamika kryesore që do të sjellë ndryshim është kur presidenti të parashtrojë argumentet e tij. Mezi pres të shoh se çfarë do të ndodhë atëherë, dhe kam përshtypjen se kur të dëgjojmë palën tjetër, do të ketë një dinamikë tjetër”, thotë senatori Mike Braun.

Avokatët e presidentit Trump do ta fillojnë të shtunën mbrojtjen e tyre. Por aleatët e presidentit tashmë po akuzojnë demokratët se po e përdorin procesin për përfitime politike.

“Kur bëhet fjalë për Donald Trumpin, ata janë të gatshëm të shkatërrojnë institucionin e presidencës vetëm për ta hequr”, tha senatori Lindsey Graham

Demokratët kanë edhe dy ditë kohë për të parashtruar argumentat e tyre të hapjes, por një betejë mbi lejimin e zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë të dëshmojnë, në këmbim të dëshmisë së mundshme ish nënpresidentit Joe Biden tashmë po vlon.

“Gjyqi nuk është tregti dëshmitarësh. Ata duan ta përdorin këtë gjyq për të njollosur Bidenin. Ky nuk është qëllimi i gjyqit, dhe senatorët nuk duhet të lejojnë që ai të abuzohet”, tha ligjvënësi Adam Schiff.

Nëse McConnell nuk ndryshon qëndrim, ose nuk arrihet një marrëveshje, kjo do të ishte hera e parë që një proces për shkarkimin e Presidentit të bëhet pa dëshmitarë./VOA/

Klima përplas Trump me Greta Thunberg: ‘Shtëpia jonë’ është në flakë

Ndryshimet klimatike kanë përplasur presidentin e SHBA, Donald Trump me aktivisten e re suedeze Greta Thunberg, në Forumin Ekonomik që zhvillohet në Davos. Trump, duke folur për zhvillimin ekonomik, u ndal edhe te protestat dhe deklaratat e shumta shqetësuese që janë bërë në lidhje me ndryshimet klimatike, duke i quajtur këta aktivistë si “profetë të apokalipsit”. Edhe pse nuk  përmendi emra, deklarata e Trump u interpretuar si një sulm kundër aktivistet 17-vjeçare Thunberg.

“Duhet të injorohen profetët shumëvjeçarë të cilët thonë vetëm do të vijë fundi i botës. Këta alarmistë gjithmonë kërkojnë të njëjtën gjë, fuqi absolute për të dominuar, transformuar dhe kontrolluar çdo aspekt të jetës sonë” – tha Trump.

Por nga ana tjetër Thunberg, e cila ndodhej në sallë, u shpreh se politikanët dhe biznesmenët e botës nuk janë duke parë se “shtëpia jonë” është në flakë dhe se ky zjarr po ndizet gjithmonë e më shumë për shkak të mosveprimit të tyre.

“Nëse nuk e keni parë ende, shtëpia jonë është në flakë. Mosveprimi juaj po i ndez flakët dhe po ju kërkojmë vetëm të veproni si t’i donit fëmijët tuaj përpara çdo gjëje tjetër. Por politikanët dhe liderat e biznesit kanë vetëm premtime dhe fjalë boshe’’, tha  Thunberg.

Gjyqi kundër Trump dhe argumentat e nxehta të palëve

Ligjvënës demokratë, aktorët kryesorë të procesit që synon shkarkimin e Presidentit dhe anëtarë të ekipit ligjor të zotit Trump, debatuan në distancë të dielën lidhur me atë nëse përpjekjet e Presidentit për të nxitur Ukrainën për të nisur një hetim nga i cili mund të përfitonte politikisht, përbënin shkelje që të nivelit që parashikon Kushtetuta për shkarkimin e një presidenti.

Gjyqi në Senat ndaj zotit Trump u hap zyrtarisht javën e kaluar dhe të martën do të dëgjohen argumentet hapëse të palëve. Por ndërkohë përfaqësuesit e ekipit ligjor të Presidentit me komentet e tyre në media të dielën, dhanë një shije të asaj që pritet në Senat.

Avokati Alan Dershowitz, një prej anëtarëve të ekipit që do të mbrojë zotin Trump tha për CNN-in se ai parashikon të provojë përpara senatorëve se “edhe nëse faktet e paraqitura janë të vërteta, ato nuk ngrihen në nivelin e një vepre që duhet të çonte në ngritjen e akuzave zyrtare ndaj zotit Trump me synim shkarkimin e tij nga detyra”, siç tha ai.

Të 100 anëtarët e Senatit gjatë procesit gjyqësor do të luajnë rolin e jurisë dhe do të vendosin mbi fatin e Presidentit Trump. Ata do të vendosin nëse zoti Trump ka kryer një “krim e kundërvajtje” të atij niveli që parashikon Kushtetuta amerikane për heqjen e një presidenti nga detyra.

Ndërsa gjyqi po afron mbetet e pamundur që Senati të shkarkojë zotin Trump, në kushtet kur shumica e tij përbëhet nga republikanët. Për shkarkimin e presidentit do të duheshin dy të tretat e votave të anëtarëve të Senatit.

Në korrikun e vitit të kaluar zoti Trump i kërkoi presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy që të nisë një hetim ndaj kundërshtarit të tij më të fortë në radhët e demokratëve për garën e 2020-s, ish-Nënpresidentit Joe Biden dhe djalin e tij Hunter Biden.

Telefonata mes dy udhëheqësve ndodhi në të njëjtën kohë që zoti Trump mbante të bllokuar 391 milionë dollarëve ndihmë ushtarake për Kievin, ndihmë që më pas u lëvrua.

Zoti Dershowitz argumentoi se veprimet e zotit Trump nuk përbënin një sjellje kriminale. Ai tha se “nëse argumenti i tij triumfon” dhe Senati vendos se nuk ka pasur ndonjë vepër që mund të çojë në shkarkimin e Presidentit “nuk do të ketë nevojë për dëshmitarë” në gjyq dhe se “Senati duhet të votojë për ta shfajësuar zotin Trump ose të pushojë çështjen kundër tij”, siç tha ai.

Ligjvënësi Adam Schiff, udhëheqësi i grupit prej 7 ligjvënësish demokratë që do të shërbejnë si prokurorë gjatë gjyqin në Senat, tha për televizionin ABC se “faktet nuk po merren seriozisht” duke përmendur ndër të tjera se Presidenti pengoi me qindra miliona dollarë ndihmë ushtarake për një aleat në luftë me Rusinë.

Të shtunën, ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve të cilët po bëjnë presion për dënimin e zotit Trump si dhe ekipi mbrojtës i Presidentit paraqitën argumentat ligjore për këtë çështje.

Ligjvënësit e Dhomës thonë se është e qartë se “provat përcaktojnë plotësisht” se zoti Trump është fajtor për të dyja akuzat me të cilat përballet.

Ndërkohë ekipi juridik i zotit Trump e quan përpjekjen e fajësimit të tij “një sulm të rrezikshëm ndaj të drejtës së popullit amerikan për të zgjedhur lirisht presidentin”.

Senati nis gjyqin për procesin e shkarkimit të Trump

Gjyqi për shkarkimin e mundshëm të Presidentit amerikan, Donald Trump filloi të enjten me një sërë procedurash ceremoniale që përgatisin terrenin për argumentet hapëse në fillim të javës së ardhshme. Është vetëm hera e tretë në historinë amerikane që senatorët do të gjykojnë një president amerikan dhe do të përcaktojnë nëse duhet të shkarkohet apo jo nga detyra. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson gjyqi mbahet ndërsa demokratët argumentojnë se prova të reja vërtetojnë se presidenti është fajtor për vendosjen e kushteve për ndihmën ndaj Ukrainës, në këmbim të interesave të tij politike.

Senatorët amerikanë bënë betimin dhe nënshkruan se do të gjykojnë në mënyrë të paanshme Presidentin Trump.

Ata do të dëgjojnë kryetarin e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin, Adam Schiff – dhe gjashtë ligjvënësit e tjerë në rolin e prokurorëve – që do të paraqesin argumentet se pse sipas tyre, presidenti Trump duhet të shkarkohet.

“Asnjë president në historinë e Republikës nuk ka urdhëruar një sfidë të plotë ndaj një hetimi për shkarkim. Ky abuzim me postin shërbeu për të mbuluar shkeljet e vetë presidentit”, tha zoti Schiff.

Procesi për akuzat e shkarkimit në Dhomën e Përfaqësuesve me shumicë demokrate, ishte një betejë e ashpër politike.

Udhëheqësi republikan, Mitch McConnell tha se në Senat do të ishte ndryshe.

“Kjo dhomë e Kongresit ekziston që të shikojmë përtej dramave të ditës dhe të kuptojmë se si veprimet tona do të ndikojnë tek brezat e ardhshëm”, tha ai.

Por demokratët thonë se procesi nuk mund të jetë i drejtë nëse senatorët nuk lejohen të dëgjojnë nga dëshmitarët dhe të shohin dokumentet që ata thonë se provojnë që Presidenti bllokoi ndihmën për Ukrainën në këmbim të hetimeve nga të cilat do të përfitonte fushata për rizgjedhjen e tij.

“Secilit nga ne do t’i duhet të vendosë nëse do ta fillojmë gjyqin me synimin për të zbuluar të vërtetën apo në shërbim të dëshirës së presidentit për të fshehur të vërtetën”, tha senatori demokrat Chuck Schumer.

Gjyqi filloi ndërkohë që një agjenci e pavarur qeveritare, njoftoi se administrata e Presidentit Trump kishte shkelur ligjin kur bllokoi ndihmën për Ukrainën.

Aleatët e Presidentit Trump në Senat thonë se nuk ka asgjë që justifikon shkarkimin.

“Departamenti i Mbrojtjes më tha që në fillim se ishin të shqetësuar për qeverinë e re në Ukrainë. Po të shohësh të dhënat, sasia e parave për Ukrainën ishte e njëjtë si përpara”, tha senatori republikan, Lindsey Graham.

Por Lev Parnas – një bashkëpunëtor i avokatit personal të Presidentit Trump, Rudy Giuliani – mund të bëhet dëshmitar në proces pasi tha se zoti Trump e dinte saktësisht se çfarë po bëhej me Ukrainën. Zoti Trump e mohon një gjë të tillë.

“Nuk mbaj mend të kem biseduar ndonjëherë me të”, tha ai.

Demokratët besojnë se këto informacione të reja do të rrisin presionin për të pranuar dëshmitarë.

“Opinioni publik është rritur në favor të dëshmitarëve dhe dokumenteve. Dhe republikanët duhet përballen me publikun për këtë çështje”, tha Nancy Pelosi, Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve.

Gjyqi pritet të fillojë plotësisht të martën kur senatorët të kthehen nga një fundjavë e gjatë feste./ VOA

Akuzat ndaj Trump pritet t’i shkojnë Senatit në fillim të javës tjetër

Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët do të dërgojë akuzat formale kundër presidentit të SHBA-së, Donald Trump në Senat në fillim të javës së ardhshme, ka deklaruar Nancy Pelosi të premten. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Pelosi ka qenë e angazhuar në diskutime për tri javë me liderin e shumicës në Senat, Mitch McConnell, lidhur me gjykimin e Trumpit në Senat.

Demokratët kanë kërkuar përfshirjen e deklaratave të dëshmitarëve dhe provave për presionin e presidentit Trump ndaj Ukrainës rreth hetimeve ndaj presidentit ish-zëvendëspresidentit Joe Biden. McConell nuk e mbështeti këtë ide duke theksuar se ka mjaftueshëm vota të republikanëve për të filluar gjykimin pa pasur nevojë të dëgjohen dëshmitarë të tjera, duke përfshirë këshilltarin e sigurisë kombëtare të Trumpit, John Bolton.

Demokratët janë duke tentuar të bindin disa republikanë të modëruar për të lejuar dëshmitarë të rinj. Senati pritet të gjykojë Trumpin para fillimit të fushatës presidenciale. Presidenti Donald Trump, akuzohet për shpërdorim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit.

Hetimi ndaj tij filloi pasi një informator i paidentifikuar e informoi Kongresin për një telefonatë, midis presidentit Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodymir Zelenksyit, e zhvilluar në korrik të këtij viti. Sipas tij, gjatë bisedës, Trump i kishte kërkuar Zelenskyit që Ukraina të hetojë për korrupsion, rivalin e tij politik, Joe Biden dhe djalin e tij Hunter.

Joe Biden është ndër pretendentët kryesorë, për të fituar nominimin e demokratëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Trump gjithashtu akuzohet se ka kushtëzuar një ndihmë financiare të SHBA-së për Ukrainën, në këmbim të hetimeve të kërkuara./REL/

Rrëzohet 2 minuta pas ngritjes avioni ukrainas në Iran. Vdesin 176 persona në bord

Një avion ukrainas me 176 persona në bord u rrrëzua të mërkurën në mëngjes, pak pas nisjes nga Aeroporti Ndërkombëtar Ndërkombëtar “Imam Khomeini” në kryeqytetin iranian Teheran. Të gjithë pasagjerët dhe nëntë anëtarët e ekuipashit vdiqën raportojnë mediat ndërkombëtare. Të dhënat e radarit tregojnë se avioni u rrëzua vetëm 2 minuta pasi ishte ngritur në fluturim. Avioni ishte një model i ri Boeing 737 dhe kishte vetëm tre vite e gjysmë shërbim.

“Ne po punojmë për të përcaktuar shkaqet e tragjedisë. Konsulli ukrainas po punon në vend, është krijuar një grup operacional i krizave. Tani jemi duke sqaruar numrin e qytetarëve ukrainas në bord”, tha Kryeministri ukrainas Oleksiy Honcharuk në një deklaratë.

Zona e përplasjes shtrihet midis qyteteve Parand dhe Shahriar, sipas kreut të Shërbimeve të Urgjencës Mjekësore në Iran. Sipas mediave CNN, që citon agjencinë e lajmeve zyrtare të Iranit ISNA, avioni u rrëzua për shkak të problemeve teknike. Megjithatë, është ende herët për të përcaktuar shkaqet e aksidentit pasi do të duhet të priten hetimet zyrtare.

Senati dhe procesi i hetimit për shkarkimin e Trump

Qysh në javën e ardhshme, Donald Trump mund të bëhet presidenti i tretë amerikan ndaj të cilit Dhoma e Përfaqësuesve ngre akuza për shkarkimin e tij. Nëse Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët, voton për ngritjen e akuzave për abuzim pushteti ndaj Presidentit Trump, çështja kalon në Senatin e kontrolluar nga republikanët për një gjykim në fillim të vitit të ardhshëm. Senati është një mjedis politik shumë më i favorshëm për presidentin.

Në Senat, një thirrje nga kapelani Barry Black.

“O Zot, drejtoji senatorët tanë në shtigjet e duhura, pranë ujërave të qeta, shëro shpirtrat e tyre.”

Senati ka kaluar nëpër këtë rrugë në të kaluarën.

Në vitin 1999, Presidenti Bill Clinton u lirua nga akuzat se gënjeu dhe pengoi drejtësinë në lidhje me aferën e tij me praktikanten Monica Lewinsky.

Në vitin 1868, Presidenti Andrew Johnson i mbijetoi me një votë një gjyqi në Senat pasi ndaj tij u ngritën akuza për shkelje të akteve të Kongresit që mbrojnë zyrtarët e lartë të qeverisë nga shkarkimi.

Në rastin e Presidentit Trump, demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve e kanë akuzuar atë për abuzim të pushtetit dhe pengim të Kongresit në hetimin për dyshimet se Presidenti i ka bërë presion Ukrainës për të hetuar një rival politik, demokratin Joe Biden.

Ligjvënësi Jerry Nadler është kryetar i Komisionit Juridik të Dhomës të Përfaqësuesve.

“Presidenti ynë ka nivelin më të lartë të besimit publik. Kur ai e tradhton atë besim dhe e vë veten përpara vendit, ai rrezikon Kushtetutën, demokracinë dhe sigurinë tonë kombëtare.”

Presidenti Trump ka mohuar akuzat dhe po llogarit ndihmën e republikanëve të Senatit për ta liruar atë nga akuzat.

“Demokratët e majtë radikal dhe klasa e dështuar politike e Uashingtonit po përpiqen të fshijnë votat tuaja, të anulojnë zgjedhjet dhe të rrëzojnë demokracinë tonë. Kjo nuk do të ndodhë, mos u shqetësoni. Nuk do të humb asnjë sy gjumë për këtë.”

Republikanët e Kongresit i kanë qëndruar besnik Presidentit Trump, në përjashtim të vetëm disa senatorëve që kanë shprehur kritika ndaj tij deri më tani, thotë Julie Pace.

“Nuk do të thotë që ata do të votojnë për ta dënuar atë, por do të thotë që ne mund të shohim një skenar në të cilin të paktën do të kemi disa anëtarë të partisë së Presidentit Trump që shprehin shqetësim të vërtetë për veprimet e tij me Ukrainën.”

Për të shkarkuar presidentin, nevojiten dy të tretat e Senatit, pra 67 nga 100 senatorët do të duhej të mbeshtesnin akuzat për shkarkimin e Presidentit Trump.

Kjo është e pamundur, thotë analsti Larry Sabato.

“Unë nuk shoh asnjë rrugë përmes të cilës mund të merret mbështetja e 20 senatorëve republikanë për të votuar në favor të shkarkimit të Presidentit Donald Trump. Ata mund të votojnë për shkarkimin dhe pastaj të shpallin dorëheqjet e tyre sepse ata nuk do të jenë në gjendje të qëndrojnë në postet e tyre për shumë kohë pas një votimit të tillë.”

Pavarësisht nga rezultati, një gjyq në Senat mbi shkarkimin e Presidentit do të jetë një provë e madhe për demokracinë amerikane, thotë senatori demokrat Mark Warner.

“Unë do të shpresoja dhe lutesha që të gjithë kolegët e mi të Senatit do të reflektojnë dhe ta kuptojmë se kjo është ndoshta përgjegjësia më e rëndësishme kushtetuese që kemi.”

Edhe nëse Presidenti Trump i mbijeton një gjyqi në Senat, veprimet e tij mbi Ukrainën ka të ngjarë të jenë një çështje kryesore në fushatën presidenciale të vitit 2020./VOA/

Komisioni i Ligjeve rekomandon ngritjen e akuzave ndaj Trump

Komisioni i Ligjeve i Dhomës së Përfaqësuesve rekomandoi sot ngritjen e akuzave ndaj Presidentit Donald Trump, një ditë pas një maratone debati prej 14-orësh të zhvilluar sipas linjave partiake. Ligjvënësit republikanë bënë që debati rreth dy akuzave të zgjatej, edhe pse nuk kishte ndonjë shpresë se mund t’u merrnin ndonjë votë demokratëve.

Anëtarët e Komisionit të Ligjeve vazhduan përplasjet edhe gjatë orëve të vona të ditës së djeshme, ndërsa republikanët u treguan të vendosur të zgjasnin debatin akuzave ndaj Presidentit, megjithëse nuk kishte ndonjë shpresë se mund fitonin ndonjë votë të demokratëve.

“Abuzim me postin, më jep-të jap, rryshfet. Quajeni çfarë të doni. Në fund të ditës, nuk keni fakte që të mbështesni variantin tuaj”, tha ligjvënësi republikan Guy Reschenthaler.

“Presidenti Trump gjendet i akuzuar përpara këtij komisioni për shkak të vetë sjelljes së tij, të mënyrës se si veproi me fondet publike dhe postin, me një çështje private dhe një çështje politike. Pra, për të dëmtuar imazhin e kundërshtarit të tij në 2020-tën”, tha ligjvënësja demokrate Sheila Jackson Lee.

Në akuzën e parë thuhet se Presidenti Trump abuzoi me pushtetin presidencial kur i kërkoi Ukrainës të hetojë rivalin e tij për zgjedhjet e 2020-tës, Joe Biden, ndërkohë që pezulloi në formë presioni paketën e asistencës ushtarake. Në akuzën e dytë thuhet se ai pengoi Kongresin duke bllokuar përpjekjet e Dhomës së Përfaqësuesve për të hetuar veprimet e tij.

Javën e ardhshme, akuzat do t’i dërgohen për votim në plenare Dhomës së Përfaqësuesve. Presidenti Trump, i cili këmbëngul se nuk ka bërë asgjë të gabuar, beson se do të ketë një shfajësim të shpejtë gjatë procesit gjyqësor në Senat, i cili pritet të fillojë muajin e ardhshëm./VOA/

Publikohen akuzat për Trump

Në SHBA, demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve shpallën të martën dy akuza në procesin e ndërmarrë prej tyre për shkarkimin e Presidentit Donald Trump: shpërdorim të pushtetit dhe pengim të Kongresit. Votimi në Dhomën e Përfaqësuesve pritet para Krishtlindjeve. Presidenti Trump reagoi në Twitter duke e quajtur procesin kundër tij një “çmenduri të pastër politike.”

Shpallja e akuzave shënon një hap të ri drejt votimit historik që pritet të ndërmarrë Dhoma e Përfaqësuesve ku demokratët kanë shumicën. Ata e akuzojnë presidentin se ka korruptuar procesin e zgjedhjeve dhe ka vënë në rrezik sigurinë kombëtare.

Kryetarja e Dhomës, Nancy Pelosi, e shoqëruar nga kryetarët e komisioneve që kanë organizuar hetimet kundër presidentit, e quajti hapin e sotëm “një akt solemn”.

Akuzat i shpalli kryetari i komisionit të ligjeve, demokrati Jerrod Nadler.

“Ai rrezikon demokracinë tonë, rrezikon sigurinë tonë kombëtare. Zgjedhjet tona të rradhës janë në rrezik. Kjo është arsyeja pse ne duhet të veprojmë tani”, tha zoti Nadler.

Akuzat e shpallura të martën burojnë nga presioni që demokratët thonë se presidenti Trump i bëri Ukrainës që ajo të ndërmerrte hetime kundër rivalit të tij politik, ndërkohë që pezulloi ndihmën ushtarake për Kievin.

Por, republikanët thonë se demokratët nuk kanë asnjë bazë.

“Nuk kemi krim, nuk kemi asgjë dhe askush nuk po kupton se çfarë po përpiqet të bëjë maxhoranca. Përveçse të ndërhyjë për t’u siguruar që Presidenti të mos fitojë vitin e ardhshëm pasi ndaj tij janë ngritur akuza”, thotë ligjvënësi republikan Doug Collins.

Presidenti Trump publikoi një koment në Tëitter përpara njoftimit ku thoshte se të përpiqesh të shkarkosh një president me arritje si të tijat është “çmenduri e pastër politike.

Dhoma e Përfaqësuesve ka votuar vetëm tre herë në historinë e saj për shkarkimin e një presidenti amerikan.

Votimi në Komisionin e Ligjeve pritet brenda pak ditëve, ndërsa para Krishtlindjeve do të hidhet në votë në të gjithë Dhomën e Përfaqësuesve./VOA./

Skip to toolbar