Olsi Rama: Ftoj tifozët të festojmë titullin, do investojmë te të rinjtë

Drejtori Sportiv i Partizanit Olsi Rama ka folur sot për mediat gjatë një aktiviteti me fëmijët jetim të kryeqytetit. Numri dy i klubit të ‘kuq’ u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, duke u bërë një thirrje tifozëve për të qenë të pranishëm në “Selman Stërmasi”, për të festuar së bashku me lojtarët marrjen e trofeut të titullit kampion. Ai ka pohuar se Partizani do të fokusohet te talentet e reja, ndërsa mohoi se ka pasur një tratativë për të afruar mesfushorin e kombëtares Migjen Basha.

Vite më parë Partizani ngjante si një skuadër jetime, por ja ku jemi sot, në ditën e jetimëve më të kompletuar se kurrë në të gjitha drejtimet?

Asnjëherë Partizani nuk është ndjerë jetim ndër vite dhe për këtë duhet të falënderojmë tifozët tanë, të cilët asnjëherë nuk e kanë braktisur ekipin dhe në ditët më të vështira.

Çfarë mesazhi sillni në ditë si këto?

Sporti dhe futbolli duhet ti bashkojë njerëzit dhe duhet të bëjë të ndihen afër sidomos për jetimët që duhet të mësojnë të sillen si kampionë përpara se ndoshta ta bëjnë një gjë të tillë në fushat e jetës ku operojnë.

A mund të quhet me shaka kjo ndeshje me jetimët përgatitje për ndeshjen me Kukësin. Si i komentoni deklarat për “gjunjët” e Partizanit?

Të shkuara të harruara, respektojmë çdo rival dhe shpresojmë të jetë një ndeshje e bukur. Partizani është zyrtarisht kampion por kemi detyrim ndaj tifozëve të luajmë për të fituar. Shpresoj që stadiumi të jetë plot sepse do jetë edhe ceremonia e titullit kampion.

Cila do jetë strategjia në merkato?

Normalisht unë kam shumë dëshirë të fokusohem te të rinjtë, por liga e kampioneve është një aktivitet që kërkon dhe gërshetim të lojtarëve me përvojë dhe do operojmë me kujdes në këtë sektor.

A është Basha një opsion?

Nuk kemi tratativë zyrtare me të. Ai doli një foto me lotjarët e Partizanit në grumbullimi e Kombëtares, por kjo nuk do të thotë që do jetë lojtar i Partizanit.

Në cilin stadium do luajë Partizani sezonin e ardhshëm?

Unë besoj te premtimi i presidentit Demi që do të kemi stadiumin e Partizanit. Do shohim me qetësi nëse “Selman Stërmasi” apo “Arena Kombëtare” do na ofrojnë kushtet më të mira në gjithë drejtimet. Shpresojmë të kemi dhe më shumë tifozë në sezonin pasardhës.

Skip to toolbar