Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vlerëson lart dy vendimet kryesore të tij, siç janë djegia e mandateve të deputetëve dhe bojkoti i zgjedhjeve të 30 qershorit. Dy vendime këto që janë kundërshtuar nga figura të rëndësishme të PD-së dhe janë bërë shkak që PD të mbetet sot pa asnjë pushtet.
Por për Bashën këto dy vendime janë të drejta pasi sollën refuzimin e Ramës nga socialistët e tij në zgjedhjet e 30 qershorit.
Kreu i PD-së tha në Patos se 1/3 e socialistëve refuzuan më 30 Qershor qeverisjen hajdute dhe kriminale të Edi Ramës. Basha vuri në dukje se ky nuk është rezultat i arritur brenda një jave, por i protestave dhe i qëndrimeve politike të PD dhe opozitës, siç ishte djegia e mandateve parlamentare.
“Janë pikërisht protestat popullore, është qëndresa juaj, kurajo juaj, vendosmëria juaj që ka zgjuar kurajon dhe ka vetëdijësuar gjithë shqiptarët përfshirë zgjedhësit e ndershëm socialistë, se 30 qershori nuk bëhej për ta, por për një klikë hajdutësh, që ka thyer çdo rekord babëzie dhe hajdutërie në Shqipëri dhe në Ballkan”, tha Basha.
E ndërsa Basha vlerëson lart vendimet që lanë PD-në pa asnjë pushtet, brenda PD-së po përvijohet grupimi që në shtator do të nisë lëvizjen “Basha Ik”. Disa prej figurave më të rëndësishme në parti kanë kritikuar vendimet e Bashës siç ishte djegia e mandateve të deputetëve dhe braktisja e zgjedhjeve. Realstory ka shkruar më herët se lëvizja “Basha ik”, do të nisë në shtator si një revoltë e organizuar nga të mënjanuarit e PD, të cilët pas zgjedhjeve të 30 qershorit, kanë qenë mjaft kritikë me qëndrimet e tyre ndaj kreut të opozitës.
Pjesë të kësaj lëvizje do jenë zëra të fortë kritikë të Bashës, që nga Jozefina Topalli, Arben Imami, Edit Harxhi, Edvin Kulluri dhe shumë të tjerë, të nxjerrë jashtë strukturave drejtuese të PD, të cilët kanë mbajtur qëndrime të forta kundër Bashës pas zgjedhjeve të 30 qershorit, duke kërkuar që kryedemokrati të mbajë përgjegjësi, si për djegien e mandateve, ashtu edhe për bojkotin e zgjedhjeve.
Kritika këto që deri tani nuk janë lexuar drejtë nga Basha, i cili vazhdon turin e takimeve në strukturat e PD-së ku vijon të mbrojë vendimet e tij./Realstory.al