Këtë të diel janë dhënë masat e sigurisë për të arrestuarit gjatë operacionit të koduar “Krasta” në Elbasan, ku në prangat e policisë u vu dhe një gazetare, Suela Musta. Për këtë të fundit, Gjykata e Elbasanit ka dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Musta, si anëtare e AMA-s, dyshohet se ka favorizuar dhënien e një liçense për televizion kabllor në favor të anëtarëve të fisit “Çapja” në Elbasan. Gjithashtu, masa “arrest shtëpie” është dhënë dhe për Adem Boriçin, 61 vjeç, pronar i një televizioni privat kabllor, që gjithashtu akuzohet se ka ndihmuar në dhënien e liçensës për një TV kabllor ndaj fisit Çapja si dhe disa personave të tjerë në Tropojë.
Ndërkohë, Gjykata e Elbasanit ka lënë në burg disa persona të tjerë, që akuzohen për të njëjtën akuzë. Ata janë; Bledar Karaj, arrest me burg , lindur dhe banues në Elbasan, Andrea Nathanaili, 67 vjeç, arrest me burg, lindur Sarandë dhe banues në Tiranë; Izmir Hajdari, 51 vjeç, arrest me burg lindur dhe banues në Tiranë; Artan Drazhi, 34 vjeç, arrest me burg lindur dhe banues në Elbasan dhe Ervin Tahiri, 40 vjeç, arrest me burg lindur dhe banues në Tropojë.
Veç personave që akuzohen se kanë favorizuar dhënien e liçensës për TV kabllor në favor të fisit Çapja, anëtar të këtij të fundit u vunë në prangat e policisë gjatë aksionit të RENEA-s dhe FNSH, pasi dyshohet se janë autor të disa veprave të vjetra kriminale, të zbardhura së fundi nga organet ligjzbatuese. Mes të arrestuarëve ishte Florenc Çapja, ndërsa janë shpallur në kërkim persona të tjerë.