Gjendet i vdekur në banesën e tij, Uliks Gjinarari, vëllai i vrasësit të Naim Zyberit, i njohur ndryshe si ‘i forti i Tiranës’ në vitin ’97. Uliks Gjinarari është gjetur i vdekur në banesën e tij në Lukovë të Sarandës, nga fëmija i mitur. Policia njofton se trupi i tij është dërguar në morgun e spitalit të Sarandës për të bërë autopsinë dhe zbuluar shkaqet e vdekjes. Dyshohet se shkaqet e vdekjes të kenë qenë natyrale, pasi nuk janë gjetur shenja dhune në trup, megjithatë policia vijon hetimet.
Uliks Gjinarari është vëllai i Gerd Gjinararit (i njohur edhe me nofkën Gerd Gjenerali), i cili u lirua në korrik të 2019 me kusht, pas 19 vitesh burgim për vrasjen e Naim Zyberit, i forti i Tiranës në vitin e rrëmujshëm të 1997. Gerd Gjinarari u arrestua në Itali me akuzën për vrasjen e Naim Zyberit në një spital në Milano, vrasje e kryer së bashku me mikun e tij Arben Grori.
Ai u ekstradua në Shqipëri në vitin 2014, pas dënimit e tij me burg përjetë nga drejtësia italiane. Pas ekstradimit, gjykata shqiptare i uli atij dënimin me 25 vjet dhe më pas, në korrik të 2019 vendosi ta linte të lirë me kusht për sjellje të mirë dhe rikthimin si i integruar në shoqëri. Vendimi i lirimit me kusht u apelua, ndërsa u pezullua drejtori i burgut të Drenovës dhe u kërkua hetim i gjyqtarit që e liroi nga qelia Gerd Gjinararin.
Por kush ishte Naim Zyberi dhe pse u vra nga Gerd Gjinarari? Në fillim të viteve ’90, Naim Zyberi njihej si një nga të fortët e kryeqytetit, rival i fortë i një tjetër emri të njohur në Tiranë gjatë atyre viteve, Gaz Muça. Naim Zyberi në vitet e para të ’90-s kishte arritur të mblidhte rreth vetes një grup djemsh, të cilët bënin ligjin në lagjet e kryeqytetit. Ai u cilësua si një nga vrasësit e Gaz Muçës dhe Artur Grorit, ngjarje për të cilën edhe u arrestua bashkë me Franc Konomin, të cilët u liruan pas hapjes së burgjeve në ’97-n.
Vrasja e Artur Grorit , nuk mbeti me aq, pasi vëllai i tij, Arben Grori së bashku me Gerd Gjinararin, e ndoqën atë deri në Itali për ta ekzekutuar në shenjë hakmarrje. Gjatë atentatit ato arritën ta plagosnin në Torino, por nuk u dorëzuan deri në vdekjen e tij. Naim Zyberi, i cili mbeti i plagosur rëndë, iu desh të qëndronte i shtruar për kurim të specializuar në një spital në Milano për disa kohë i mbrojtur nga dy policë italianë. Më 6 gusht të vitit 1997, Gerd Gjinarari, i cili mbante një tufe me lule në dorë, brenda të cilës kishte fshehur pistoletën dhe Arben Grori, bashkë me një person tjetër, futen në dhomën e spitalit ku ndodhej Zyberi. Ato kanë qëlluar Zyberin me 5 plumba, me pistoletë me silenciator. Efektivët italian nuk ndien asnjë zhurme, pasi përveçse arma kishte silenciator, para grykës ishte vendosur edhe një jastëk, duke zbehur akoma më shumë zhurmën e armës.
Pasi dalin nga dhoma, askush nuk kuptoi asgjë, por më pas karabinierët panë që Naim Zyberi ishte vrarë. Policia bëri të mundur arrestimin e tyre duke i dënuar me burgim të përjetshëm.