Pas disa ditë protestash senati i Universitetit Bujqësor të Kamzës është tërhequr duke përkrahur vendimin e Bashkisë së Tiranës për të ndërtuar shkollën në truallin pranë këtij universiteti.
Senati Akademik i UBT-së ka dalë në një deklaratë për shtyp ku ka deklaruar se është pro ndërtimit të shkollës në Kodër-Kamëz.
“Ndërtimi i shkollës është domosdoshmëri. Shkolla është vepër e mirëpritur. Takimet e ditëve të fundit qartësuan marrëdhëniet juridike dhe procedurale. Senati mbështet unanimisht marrëveshjen e lidhur mes UBT-së, ministrisë dhe bashkisë së Tiranës për paktin për universitetin”-deklaroi zëdhënësi.
Prej disa ditësh rektori i UBT-së, i mbështetur nga ish deputeti i PD-së, Jamarbër Malltezi protestoi kundër ndërtimit të një shkolle në truallin pranë këtij universiteti duke pretenduar se toka është pjesë e universitetit. Por banorët e zonës së Kodër Kamzës u ngritën në një tjetër protestë dhe kërkuan ndërtimin e shkollës pasi fëmijët e tyre udhëtonin larg për të shkuar në shkollë.
Siç duket palët kanë gjetur një zgjidhje dhe senati i UBT është tërhequr duke i hapur rrugën Bashkisë së Tiranës që të ndërtojë një shkollë në Kodër Kamëz.