“Vetëm fëmijët mund të na detyrojnë të ngrihemi mbi interesat partiake”. Urimi me politikë i Kryemadhit

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka postuar në facebook urimin e saj për fëmijët me rastin e e qershorit, ku sigurisht jep dhe mesazhe politike.

Kryemadhi shkruan se vetëm fëmijët mund të detyrojnë që liderët të ngrihen mbi interesat partiake. Ajo shkruan se shumë familje e kanë mbyllur muajin vetëm me 5 dollarë në ditë pa patur mundësinë t’i blejnë një dhuratë fëmijëve, ndërsa kujton se shumë fëmijë janë nxjerrë me dhunë jashtë banesave të tyre të Bregu i Lumit apo te Astiri. Kryemadhi gjithashtu përmend edhe integrimin evropian, si një aspiratë të cilët fëmijët shqiptarë e meritojnë, por shton se për hir të fëmijëve ia vlen të luftosh deri në fund

Postimi i Kryemadhit në Facebook:

1 Qershori është dita kur jeta merr kuptimin real, kur gjithsecili nga ne kupton se ia vlen të luftosh deri në fund, për të ardhmen e asaj pjese të shoqërisë që me sinqeritetin më të madh meriton mbështetje, siguri dhe dashuri të pakursyer!

Sot është dita e parë e muajit, nuk e di se si e kanë mbyllur muajin që lamë pas 300,000 mijë familje shqiptare të cilat jetojnë me vetëm 5 dollarë në ditë. A e kanë pasur të mundur ti blejnë një dhuratë sa do të vogël fëmijëve për ti sjellë një shkëlqim lumturie në sytë e tyre?

Është dita e fëmijëve që na kujton sesa pak kemi kthyer sytë nga realiteti, sa kemi gabuar për t’i besuar njerëzve që abuzojnë çdo ditë në emër të tyre. Kemi lejuar dhe kemi qenë dëshmitarë të dhunës së ushtruar ndaj fëmijëve tanë, të nxjerrjes nga shtëpitë me dhunë të dhjetëra fëmijëve te “Astiri”, “Bregu i Lumit” dhe në gjithë Shqipërinë. Lejuam të hidhej gaz mbi fytyrat e ëmbla të dhjetëra fëmijëve në protestë, duke u përballur me urrejtjen e këtij pushteti të krijuar nga ne!

Shifrat alarmante të UNICEF për minorenët shqiptarë të braktisur në dyert e Europës, pamundësia që kanë prindërit sot për të strehuar fëmijët e tyre, për t’i ushqyer, ngrohur, arsimuar e për t’u kujdesur për shëndetin e tyre, tregon qartë qeverisjen e paskrupullt dhe të paaftë që i bëhet një kombi dhe të ardhmes së tij!

1 Qershori është dita e ndërgjegjësimit, e zgjimit të çdo nëne dhe çdo babai për fëmijën e tij. 1 Qershori është dita e integrimit europian që aspirojmë aq shumë, sepse vetëm fëmijët janë ata që mund të na detyrojnë të lëmë me një anë interesat e ngushta partiake dhe të pushtetit për interesat kombëtare!

Gëzuar 1 Qershorin të gjithë fëmijëve të çdo shqiptari kudo që ata ndodhen. Dua ti uroj 1 qershorin veçanërisht të gjithë atyre fëmijëve qe baballarët e tyre i kanë të burgosur nga ky regjim për të vetmen arsye sepse kanë protestuar për të ardhmen e fëmijëve të tyre!

1 Qershori nuk mund dhe nuk duhet të jetë dita e zhgënjimit të fëmijëve sepse duke zhgënjyer ata, kemi zhgënjyer të gjithë kombin! Kjo duhet dhe do të jetë dita e shpresës për fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë se Shqipëria do të ngrihet, do të forcohet sepse brenda saj ka një brez plot jetë, plot energji te i cili shpresa nuk vdes kurrë! Zoti i bekoftë fëmijët e shqiptarëve dhe familjet e tyre. Zoti e bekoftë Shqipërinë!

1 Qershori është dita kur jeta merr kuptimin real, kur gjithësecili nga ne kupton se ia vlen të luftosh deri në fund,…

Gepostet von Monika Kryemadhi am Samstag, 1. Juni 2019
Skip to toolbar