Task-Forca e Policisë së Shtetit ka bërë bllokimin e disa llogarive bankare dhe ka vënë në sekuestro disa pasuri të paluajtshme në kuadër të aksionit policor “BIZARK’. Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda kanë bërë të mundur sekuestrimin e pasurive të të arrestuarve nga operacioni ‘Toyota Yaris’. Nën sekuestro janë vënë mijëra euro, tokë ranishe, tokë arë, troje e godinë banimi janë vendosur nën sekuestro preventive si pjesa e fazës së dytë të operacionit të nisur në qershor të vitit të kaluar ku sekuestruan 3.4 milionë euro në portin e Durrësit në një automjet tip “Toyota Yaris”. Pronat dhe pasuritë e sekuestruara janë në pronësi të Alban Mollaymerit, Alfred Vladit, A. D., Gj. C. dhe K. M.
Policia e Shtetit zhvilloi fazën e dytë të operacionit policor “BIZARK”, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim dhe “Grup i strukturuar kriminal”, faza e parë e të cilit është finalizuar në datën 24.06.2018 me sekuestrimin e 3.4 milionë eurove në makinën ‘Toyota Yaris”.
Në këtë kuadër u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës, duke vënë nën sekuestro preventive disa pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të shtetasve të arrestuar në lidhje me dosjen “Toyota Yaris”, Alban Mollaymerit, Alfred Vladit, A. D., Gj. C. dhe K. M.
Bazuar në Vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, u vendosën nën sekuestro pasuritë:
– Shuma prej 72 000 € Eurosh në llogarinë e Shoqërisë me inicialet “TRC” sh.p.k, pranë një banke të nivelit të dytë;
– Ranishte me sipërfaqe 11 167 m2 e ndodhur në fshatin Draç, Ishëm, në Gjirin e Lalzit, Durrës.
– Ranishte me sipërfaqe 140 m2 e ndodhur në fshatin Draç, Ishëm, në Gjirin e Lalzit, Durrës.
– Toke Arë me sipërfaqe 873 m2 e ndodhur në fshatin Draç, Ishëm, në Gjirin e Lalzit, Durrës.
– Truall me sipërfaqe 404,5 m2 + godinë banimi 2 katëshe, sipërfaqe banimi kati përdhe 147,6 m2, sipërfaqe verandë + shkallë 10,9 m2 + sipërfaqe banimi kati i parë 158,5 m2, e ndodhur në Njësinë Bashkiake Nr.11 Tiranë.
Vazhdojnë veprimet procedurale në bashkëpunim me Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, për kalimin në administrim nga shteti të të gjitha këtyre pasurive.