Gazetari Mero Baze, botues i gazetës Tema, një nga mediat më kritike ndaj kreut të Partisë Demokratike, publikoi të martën detaje të tjera rreth vilës ku së fundi është transferuar për banim Lulzim Basha. Gazeta Tema, që ishte dhe nxitëse e debatit mbi vilën, që Basha pretendon se ka marrë me qira pasi iu dëmtua apartamenti nga tërmeti i 21 shtatorit, këtë të martë publikoi detaje rreth emrit të pronarit të vilës. Shtetasja që është pronare e vilës, quhet Migena Vrapi, sipas gazetës Tema. Në një opinion të tij botuar të martën, gazetari Baze shkruan se “ka provuar që vila ku banon Basha, nuk ka as kontratë blerje dhe as kontratë qiraje”. Ndaj ai drejton një pyetje publike kryedemokratit, që të sqarojë se kush është Migena, pronarja e vilës!
Për më tepër lexoni shkrimin e mëposhtëm.
Nga Mero Baze
Dëgjova Lulzim Bashën që tha nga Korça se gjithçka që thuhet për vilën ku ai jeton janë gënjeshtra. Në fakt për vilën ku jeton Lulzim Basha deri tani ka folur vetëm Lulzim Basha. Ai ka thënë që është një vilë pak më e vogël se apartamenti që kishte dhe nga ku është larguar pas tërmetit. Po ai vet, është ankuar që vila nuk ka as pishinë. Ne vetëm kemi provuar se apartamenti nuk i është dëmtuar nga tërmeti dhe se tek vila e re, Basha, nuk ka as kontratë blerje dhe as kontratë qiraje .
Vila, pas ikjes së ambasadorit të Suedisë që ka banuar aty, para disa muajsh është në pronësi të shtetases Migena Vrapi. U kërkova tatimeve të deklarojnë qiranë tuaj dhe sa paguan tatim timi zonja Migena, por nuk guron fare në sistem. Tek ujsellësi guronte si klientja nr 78 e bllokut të vilave ku jeton ti. Tani mos na lë të gënjejmë sonte, se nesër ta themi po deshe.
Na thuaj cila është Migena Vrapi dhe në çfarë rrethanash je vendosur aty. Nëse hetojmë gjithë Migenat që janë rreth teje komplikohet situata, e mund të jemi të pasaktë. Një Migenë që ke kushërirë e ke pasur në bashki dhe ka ikur më 2015. Një Migenë tjetër është gruaja e deputetit tënd besnik që qëllon me vezë në parlament dhe fshin serverat e 21 janarit.
Pastaj janë nja katër Migena Vrapi të tjera që sipas gjendjes civile jetojnë në Shqipëri. Detajet nga identiteti i tyre nuk po i bëjmë publike, se nuk duam të prishim privatësinë e tyre. Për më tepër nuk duam të gabojmë, përderisa ti betohesh se je transparent. Ok atëhere është shumë e thjeshtë. Na trego pak për Migena Vrapin në vilën e së cilës jeton. Kjo do na kursente ndonjë gabim nga nxitimi.
Deri tani nuk kemi bërë asnjë gabim dhe nuk kemi thënë asnjë gënjeshtër. I vetmi që ke gënjyer je ti, por dhe ato ti kemi provuar si gënjeshtra. Tani na trego për Migenën që i ka lind në zemër të të jap vilën, ose pa qira, ose pa pa para. Të paktën ti ndihet nder zonjës në fjalë. Po të lëmë afat deri nesër se je rrugëve dhe të duhet të flesh pak në dark. Tek “vila e Migenës”!