Derby, Partizani e fitoi pa filluar

Derbi Tirana-Partizani është një ndeshje “mitike” për kryeqytetin e vendit. Historia, trofetë e fituar, rivaliteti i përjetshëm i tifozerive, identiteti dhe spektakli që i japin fushës së lojës kët dy skuadra, e bëjnë ndeshjen të krahasueshme me derbe të rëndësishme evropiane. Megjithatë, nëse “lufta” në tribuna është gjithmonë në lartësinë e pritshmërive për një ndeshje derbi (siç ishte dhe të shtunën), në fushën e lojës gjërat ndryshojnë. Partizani dhe Tirana rivalizojnë për trofe këtë sezon, por, dëshira duhet parë gjithmonë edhe me investimet.

Merkato e Tiranës

Tirana ishte një nga klubet më aktive në merkaton e verës, duke afruar plotë 10 futbollistë të rinj. Dhe jo lojtarë do si do, por emra që do t`i kishin zili shumë klubet, pse jo, edhe ato që luajnë në Europë. Emra si: Tefik Osmani, Elton Cale, Idriz Batha, Kristi Vangjeli, Edvan Bakaj, Ismael Dunga, Agustin Torasa, apo mesfushori i kombëtares Andi Lila, iu bashkuan ekipit bardheblu gjatë merkatos së verës.  Pesë prej tyre (Osmani, Vangjeli, Batha, Torasa dhe Cale) e nisën si titullar derbin ndaj Partizanit, duke treguar se klubi bardheblu ka pritshmëri të mëdha nga këta lojtarë.

Por, sa është vlera e tyre financiare?

Në fakt, të gjithë lojtarët e afruar nga Tirana erdhën me parametra zero, pra Tirana i gjeti pa kontratë dhe u ofroi atyre mundësi të luanin për klubin bardheblu. Por, nëse ata erdhën me kosto zero (në transferim), pagat e tyre janë nga më të lartat. Ato mund të shkojnë nga 1000 euro (sipas referencave të tregut) deri në 10.000 euro më e larta.

Merkato e Partizanit

Partizani bëri pothuajse gjysmën e afrimeve të Tiranës. William Cordeiro, Esin Haka, Amir Bilali, Solomon, Ron Broja dhe Aldo Teqja ishin lojtarët që Partizani i mbajti në ekip gjatë merkatos së verës. Ashtu si Tirana, edhe klubi i kuq nuk pagoi asnjë lekë për transferimin e tyre, ndërsa pagat, gjithashtu presupozohet të jenë të larta. Trajneri Franko Lerda aktivizoi katër lotjarë në derbin ndaj Tiranës, të cilët erdhën gjatë merkatos së verës.

Vlera financiare e të dy klubeve

Sipas të dhënave të sajtit të specializuar të vlerësimit të klubeve, Transfermarkt, vlera financiare e Partizanit është 6.30 milion euro, ndërsa e Tiranës 4.18 milion euro. Pra, Partizani vlen 2 milion euro më shumë se Tirana si klub. Futbollisti i ardhur nga Flamurtari në Verë, Elton Cale, është lojtari me çmimin më të madh i bardhebluve. Nëse do të shitej tani, vlera e kartonit do arrinte në 450 mijë euro. Ndërsa, Jurgen Bardhi është futbollisti më i shtrenjtë te Partizani. Sulmuesi 21 vjeçar kushton 600 mijë euro. Por Partizani ka dhe lojtarë të tjerë që janë në vlerë mbi 400 mijë euro si: Kordeiro apo Esat Mala.

Pas humbjes të së dielës në derby, Presidenti i Tiranës Refik Halili u shpreh se “disa lojtarë të Tiranës nuk do të luajnë më kurrë në ekipin e parë”, duke lënë të kuptohet se për të “disa nga blerjet” kanë dështuar. Ndërsa merkato e Partizanit ka rezultatuar më efektive, pasi dy nga lojtarët që erdhën në merkaton e verës, Solomon dhe Melo, shënuan golat që i dhanë fitoren e derbit. Pra, Tirana bëri merkato në sasi, ndërsa Partizani në cilësi! Kjo e bëri skuadrën kampione, që ta “fitojë” ndeshjen, ende pa filluar. /Realstory.al/ 

Skip to toolbar