Një aksident i rëndë ka ndodhur në rrugën Transballkanike, ku një motor është përplasur me një makinë dhe më pas ka shpërthyer në flakë. Ngjarja ka ndodhur pranë një pike karburanti në zonën e Skelës në Vlorë, fatmirësisht pa shënuar viktima.
Dyshohet se shkak i aksidentit ishte shpejtësia me të cilën po lëvizte motori gjë që ka bërë që drejtuesi të humbë kontrollin dhe të devijojë rrugën duke u përplasur me makinën. Makina tip “BMW” me targa AA708 VC po vinte nga një rrugë dytësore, edhe në momentin që po futej në rrugën Transballkanike është përplasur me motorin që po vinte me shpejtësi. Si pasojë e goditjes, motori ka fluturuar disa metra në rrugë dhe më pas ka marrë flakë.
Drejtuesi i motorit fatmirësisht e ka mbajtur në jetë kaska e tij, pasi në të kundërt nuk do i kishte mbijetuar dot këtij aksidenti të rëndë. Ai ka shpëtuar pa lëndime të shumta, ndërsa ka marrë mjekimin e duhur në Spitalin e Vlorës.